1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: nuk ka zgjidhje të thjeshta

Në SHBA debatohet nëse Uashingtoni duhet t'i dërgojë armë Ukrainës, për ta pajisur Kievin në luftë kundër separatistëve. Por kjo do të shkaktonte një garë armatimi me Moskën, mendon Miodrag Soriç.

Padurimi po shtohet. Padurimi për t'i dhënë fund luftës me vuajtje në Lindje të Ukrainës. Deri tani nuk ka bërë dobi asnjë mjet. Amerikanët kanë zhvilluar negociata me presidentin rus Vladimir Putin. Pa sukses. Ata vendosën së bashku me evropianët sanksione ekonomike ndaj Moskës. Me këtë ata vërtet i kanë shkaktuar humbje prej miliardash ekonomisë ruse. Por shefi i Kremlinit nuk e ka ndryshuar aspak politikën e tij agresive ndaj Ukrainës. Muajt e fundit, kryengritësit prorusë kanë arritur ta shtojnë territorin nën kontrollin e tyre.

"Kjo nuk mund të vazhdojë kështu". Kjo është atmosfera në Uashington. Zgjidhje të thjeshta, të cilat bëjnë që SHBA-ja të duket e fortë dhe të ketë efekt të shpejtë në Ukrainë janë ato që kërkohen. Ka ardhur ora e intervencionistëve. Ata kërkojnë dërgimin e armëve moderne Ukrainës. Në argumentimin e tyre ata sugjerojnë se janë pikërisht këto armë që do t'i sprapsin shpejt trupat ruse. Ata i bëjnë presion Presidentit Obama. Por ai ngurron. Dhe kritikohet pas kësaj si "frikacak" nga kundërshtari politik. Gjë që është budallallëk. Sepse ky president amerikan përpiqet të mësojë nga gabimet e së kaluarës.

Miodrag Soric

Miodrag Soric

Rrezik për garë armatimi

Njëri nga mësimet është: jo çdo konflikt mund të zgjidhet me mjete ushtarake. Nëse amerikanët i furnizojnë ukrainasit me armë moderne, edhe Presidenti Putin do t'i pajisë më mirë luftëtarët e tij. Do të krijohej një garë armatimi, prej së cilës do të përfitonin para së gjithash firmat e prodhimit të armëve. Në një luftë si kjo, më shumë armë do të thonë më shumë dhunë. Këtë nuk ka njeri që mund ta dojë seriozisht. Prandaj shumica e evropianëve, me në krye kancelaren Angela Merkel janë kundër dërgimit të më shumë armëve. Një mësim tjetër është: ai që furnizon me armë është edhe bashkëpërgjegjës se çfarë ndodh me to. Çfarë do të ndodhte, nëse armët amerikane antitank nuk mbeten te ushtria e rregullt ukrainase po bien në duart e paraushtarakëve? Amnesty International ka vërtetuar se "milicët" ukrainas kanë kryer një sërë shkeljesh të të drejtave të njeriut. Në to e kanë humbur jetën qindra vetë. Si pasojë, armët amerikane mund të dërgohen vetëm atëherë me përgjegjësi, kur qeveria e Kievit mund të garantojë që ato nuk do të bien në duar të gabuara.

Përpara se qeveria e Obamas të miratojë dërgime armësh, Obama do të zhvillojë konsultime. Për shembull me ministrin e tij të Jashtëm, i cili të enjten shkon në Kiev. Ose me kancelaren gjermane Merkel, të cilën ai do ta presë javën e ardhshme. As ajo nuk mendohet se ka zgjidhje të gatshme në bagazh.