1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: NPD lejohet të jetë edhe më tej e parëndësishme

17 Janar 2017

Sërish Kushtetuesja nuk lejoi ndalimin NPD. Kjo është e pakëndshme për parashtruesin e kërkesës, Këshillin Federal, por tregon fuqinë e kushtetutës sonë. Sepse vërtet e rrezikshme, NPD nuk është, mendon Volker Wagener.

https://p.dw.com/p/2VwUJ
Deutschland Karlsruhe Entscheidung des Bundesverfassungsgerichts zu NPD-Verbot
Fotografi: Reuters/U. Deck

Dështimi i ri i politikës për ta ndaluar Partinë Nacional Demokrate, NPD, me anë të Gjykatës Kushtetuese nuk është ndonjë katastrofë. Më tepër është turpëruese për Këshillin Federal, i cili kërkoi për herë të dytë shumë duke pasur pak fakte. Këtu u qëllua me topa kundër harabelave. Si në vitin 2003, kur Bundestagu, Dhoma e Landeve dhe Qeveria gjermane dështuan së bashku para gjykatës më të lartë gjermane. Askush nuk e kundërshton që NPD përdor një program antihuman dhe racist. Por vetëm kjo nuk mjafton për një ndalim.

Një parti si kod për kompleksin gjerman ndaj nacionalsocializmit

Ndalimi i një partie është arma më e fortë e kushtetutës gjermane. Kjo armë bën efekt vetëm atëherë, kur rrezikohet rendi i lirë demokratik - me fjalë të tjera, kur ai duhet të mënjanohet, të largohet me puç. Dhe një gjë e tillë duhet dëshmuar qartë. Për të folur me sinqeritet: a duhet të kemi ne frikë nga një partiçkë, e cila nuk përfaqësohet në asnjë parlament landi, që nuk ka dërguar kurrë deputetë në Parlamentin Federal, Bundestag? Frikë nuk duhet të kemi. NPD është thjesht një kod për kompleksin tonë gjerman ndaj nacionalsocializmit. Kjo është e kuptueshme dhe konfirmon përpjekjen tonë shumëvjeçare për t'u mbrojtur nga fillimet (Kurrë më fashizëm, kurrë më luftë!). Por një ndjenjë e tillë mbrojtjeje historike dhe psikologjike kundër të djeshmëve të përjetshëm e të pashijshëm është krejtësisht e papërshtatshme, kur bëhet fjalë për shpatën juridike të ndalimit.

Gjykatësit e Karlsruhes ia thanë këtë sërish politikës njëherë e përgjithmonë. Pra NPD do të lejohet të vazhdojë punën dhe të jetë edhe më tej e parëndësishme. Dhe kjo nuk duhet të shqetësojë askënd. NPD është një grup shumë i vogël dhe tërheq vëmendjen për ndonjë lajm e shumta kur bëhet fjalë për gjendjen e saj të trishtë të organizimit dhe financave.

Wagener Volker Kommentarbild App
Volker Wagener

Përpjekja juridike vjen gjithsesi disa dekada me vonesë.  Në vitet 1960 një proces gjyqësor për ta ndaluar këtë parti do të kishte pasur ndoshta më shumë gjasa për sukses dhe do të kishte qenë më i nevojshëm. Atëherë NPD ndodhej në disa parlamente landesh, kishte fituar në disa parlamente gati dhjetëpërqind të votave. Edhe më shumë se liberalët e FDP. Por atëherë, në një situatë të njëjtë kushtetuese, askush nuk e mori iniciativën. Shumë nazistë ende punonin, klima shoqërore qe e ndryshme. Nëse ekzistonte ndonjëherë rreziku teorik që NPD mund të dëmtonte Republikën Federale, kjo ishte atëherë. Por shansi që ekzistonte atëherë nuk u shfrytëzua.

Vetëm në epokën e Willy Brandtit (1969-1974) u margjinalizua NPD-ja. Dhe pse? Sepse me Brandtin (Të guxojmë më shumë demokraci!) e gjithë shoqëria gjermane lëvizi në drejtim të mesit të majtë, duke e katandisur në xhuxhe të djathtën ekstreme - fare pa gjykatë kushtetuese dhe pa kërkesë për ndalim të kësaj partie.

Ekstremizmi i djathtë të luftohet me argumenta

Pra demokracia jonë duhet ta durojë NPD. Me kufizime, një mini-parti e kthen në shoqatë martirësh, e cila krijon diku tjetër një organizatë të dytë.

Në fakt, Gjermania, peizazhi partiak dhe e gjithë shoqëria kanë prej kohësh një problem tjetër. NPD e paraqitur si gjoja gjigante e ka kaluar historikisht kohën e saj. Konsensusi i shoqërisë, balanca aktualisht rrezikohet prej të tjerëve: janë AfD-ja, Pegida dhe populizmi i ri, të cilët kërkojnë aleatë me anë të mendimeve të thjeshtëzuara. Dhe pjesërisht i kanë gjetur, siç tregojnë sukseset në zgjedhjet në parlamentet e landeve. Edhe këtu vlen: ndalimi ndalohet. Ajo që nevojitet është përballja me dashamirësit e pamjes së thjeshtëzuar të botës.