1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njeri i gabuar në kohë të gabuar

Birgit Maaß
26 Shtator 2016

Partia laburiste britanike e konfirmoi në post kryetarin e saj, Jeremy Corbyn. Kjo është katastrofike, mendon Birgit Maaß.

https://p.dw.com/p/2QZbZ
Jeremy Corbyn Parteisieg England
Fotografi: picture-alliance/dpa/D.Lawson

"Jez we can" , brohorasin mbështetësit e tij, kur Jeremy Corbyn shfaqet në publik. Për ta ai përfaqëson një parti laburiste, e cila po kthehet në rrënjët e saj: kundër padrejtësive shoqërore, për rishpërndarjen e pasurisë, për shtetëzimin e qarkullimit hekurudhor dhe për industrinë energjetike.

Tek Corbynistët të bie në sy se ka shumë të rinj. Për ta ai është bartësi i shpresave: një njeri që bën politikë të ndershme, i cili nuk e përkul kurrizin - aq më tepër kur pjesën më të madhe të jetës së tij politike ai e ka kaluar në bankat e pasme, ai ishte kundërshtar i Tony Blairit. Ai ka qenë njëri ndër të paktët, që votoi kundër luftës së Irakut, një socialist i shkollës së vjetër. Partinë e Blairit "New Labour", idenë e lidhur me të së ashtuquajturës "Rrugë të tretë", një pajtim me kapitalizmin, mbështetësit e Corbynit e konsiderojnë të kapërcyer.

Një politikë të re, më të butë u ka premtuar Corbyni mbështetësve të tij. Për në Dhomën e Poshtme të Parlamentit ai udhëton me biçikletë, vishet si një mësues gjeografie ose me çorape dhe sandale. "Prime Minister Questions", pyetjet e përjavshme për kryeministren, në të cilat drejtuesi i opozitës i jep në fakt shuplaka verbale kryeministrit, ai i ka kthyer në një orë mësimi demokracie të bazës. Pyetjet drejtuar kryeministres Theresa May ai lejon t'ia diktojë populli, si për shembull: "Paul dëshiron të dijë, pse po i heq qeveria lehtësimet në taksa për familjet."

Luftë për pushtet brenda partisë

Por në fakt, stili politik i Corbynit është çdo gjë tjetër, por jo ledhatues. Brenda partisë laburiste zhvillohet një luftë, që nuk mund të ishte më brutale. Baza e partisë që mbështet Corbynin dhe Grupi Parlamentar skeptik ndaj Corbynit në Dhomën e Poshtme të Parlamentit kanë qëndrime të papajtueshme me njëri-tjetrin. Pacifisti Corbyn dhe aleatët e tij luftojnë me doreza boksi. Deputetë, që nuk e mbështesin Corbynin flasin për frikësime në rrjetet sociale. Një kundërshtareje i thyen xhamat e zyrës në zonën e saj elektorale. Kryetari i partisë distancohet nga sulme të tilla, por megjithatë: nën udhëheqjen e tij partia është e përçarë dhe jo në gjendje të veprojë.

Großbritannien Cardiff Jeremy Corbyn
Fotografi: Reuters/R. Naden

Deputetët dyshojnë me të drejtë, që Corbyni të marrë dot mbështetjen e zgjedhësve. Që prej ardhjes së tij në pushtet një vit më parë, konservatorët e kanë zgjeruar përparësinë e tyre. Dhe sipas një sondazhi aktual, vetëm një e pesta e britanikëve mendon se ai është i aftë të kryejë detyrën e kryeministrit.

Ishte mungesa e udhëheqjes nga Corbyni gjatë fushatës elektorale para Brexit, që e bëri të derdhet gota për shumë laburistë në grupin parlamentar. Asnjë herë të vetme nuk u pa drejtuesi i tyre krah për krah me David Cameronin, për të bërë fushatë pro Bashkimit Evropian. Shumë zgjedhës laburistë nuk e kishin fare të qartë, se linja e partisë së tyre kërkonte që ata të votonin pro Evropës.

Drejtues i pasuksesshëm opozite

Kjo në një kohë kur një shfaqje e vendosur e shefit të laburistë pro Evropës ndoshta do ta kishte penguar votën e Brexit. Sepse ishin para së gjithash zonat, ku partia laburiste është e përfaqësuar tradicionalisht fort, të cilat votuan për daljen nga BE: shtëpi me nivel të ulët arsimor, punëtorë të thjeshtë, njerëz me të ardhura të ulëta.

Sjellja e Corbynit ishte "tradhëti", tha Phil Wilson, njëri nga drejtuesit e iniciativës proevropiane brenda grupit parlamentar laburist dhe kërkoi dorëheqjen e Corbynit. Meqenëse Grupi Parlamentar ia hoqi me votë besimin, kryetarit të partisë iu desh të dilte sërish në zgjedhje. Në kaosin që pasoi pas Brexitit, megjithatë nuk u arrit të gjendej një kandidat alternativ bindës - Owen Smith njihej pak dhe që në fillim ai shihej me pak shanse.

Zgjedhje laburistët nuk mund të fitojnë me Jeremy Corbynin, sado të brohorasin mbështetësit e tij. Për laburistët Jeremy Corbyn është një katastrofë - dhe për Evropën figura kryesore në tragjedinë e Brexitit.