1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Një fitore, që nuk e gëzon Brukselin

Një qeveri koalicioni në Ankara do t'i kishte pëlqyer më shumë BE-së. Tani i duhet të kërcejë sipas avazit të Erdoganit, nëse do ndihmën e tij në krizën e refugjatëve. Një pozitë e vështirë, mendon Barbara Wesel.

Ne dëshirojmë në qeveri të qëndrueshme në Ankara, thuhej zyrtarisht në Bashkimin Europian para së dielës së zgjedhjeve. Por që presidenti i vjetër dhe i ri Rexhep Erdogan do të arrinte një fitore kaq marramendëse, këtë shumica nuk e kishin pritur. A kanë gabuar demoskopët edhe kësaj rradhe, apo në zgjedhje ka patur parregullsi? Sikur lufta e rihapur kundër kurdëve, atentatet e pasqaruara me bomba, shtypja e opozitës dhe mbyllja e mediave kritike, të mos mjaftonin për të zgjuar dyshime mbi cilësinë demokratike të zgjedhjeve.

BE-së i nevojitet "sulltani i Bosforit"

Ironia në këtë histori është, se BE për vite me rradhë e ka lënë pas dore konfrontimim me sulltanin e Bosforit. Nuk ishte e nevojshme të grindeshe me të, sepse negociatat për pranim ishin ngrirë gjithsesi.

Në pragun e BE-së po forcohej një sundimtar gjithnjë e më autokratik - ndërsa Brukseli kishte çështje më të rëndësishme për të zgjidhur. Por tani evropianët janë në një situatë të keqe, kur ata kanë nevojë më shumë për Rexhep Erdoganin se ai për ta. Pa atë nuk ka asnjë zgjidhje në krizën e refugjatëve, e cila rrezikon ta copëtojë unionin. Por presidenti në këtë mënyrë nuk djen më presion politik: pushteti i tij është i siguruar dhe në politikën e brendshme dy milionë sirianët në Turqi për të nuk janë problem. Me sa duket bashkëkombasit e tij i shohin ata me qetësi të madhe.

Erdogan pra është në një situatë të favorshme dhe për lëshimin më të vogël mund ta ngrejë lart çmimin politik. Njohësit e gjendjes në Bruksel thonë se tani do të nisë një fazë e gjatë e diplomacisë së pazarit dhe shumë besojnë se presidenti turk është në një pozitë më të mirë. Sipas shembullit të Angela Merkel krerët evropianë do të shkojnë te Erdogani dhe do të duhet ta ulin kokën para tij. Çfarë ideje krejtësisht e pakëndshme! BE është tani i varur nga mëshira e Erdoganit, thotë një deputet veteran. Kjo është për fat të keq e vërtetë dhe presidenti do ta shijojë atë.

Barbara Wesel, korrespondente e DW në Bruksel

Barbara Wesel, korrespondente e DW në Bruksel

Sa larg shkon politika reale?

Për evropianët nuk bëhet më fjalë, nëse i shesin parimet e tyre bazë për të siguruar bashkëpunimin e turqve, por vetëm sa larg mund të shkojnë. Sikur vendet e Evropës Lindore të merrnin vesh pak nga politika e jashtme, duhet ta kuptonin se një kompromis i brendshëm i BE-së do të ishte më mirë, se sa fati i tij të varej nga autokrati në Ankara. Por meqë nga qielli nuk do të rrjedhë arsye, ne ballafaqohemi me negociata të vështira e të dhimbshme.

Europianët duhet ta pyesin vazhdimisht vetën, se sa të rëndësishme janë për ta vlerat e tyre demokratike. Eshtë një shitje me këste. Eshtë dashur që në kohën e duhur të goditej me grusht mbi tavolinë, qysh në rastin e diktatorit të vogël në Hungari. Para Rexhep Erdoganit, i cili është duke u bërë diktatori i madh i Turqisë, ata kanë tani pak argumente dhe pak mjete të presionit politik.

Bisedimet do të jenë të pakëndshme

Negociatat e ardhshme, nëse dhe ndaj çfarë çmimi presidenti turk do të pengojë refugjatët të vijnë në Evropë dhe do të luajë rojen kufitare të BE-së, do të jenë të pakëndshme. Guri i vetëm në duart e europianëve është dëshira e tij për lideralizimin e vizave - që do të kishte rëndësi ekonomike për Erdoganin. Përmes bashkëpunimit ekonomik mund të gjendet një rrugë, për të marrë prej tij lëshime në çështjen e refugjatëve. Linja, të cilën europianët nuk duhet ta kapërcejnë, është trajtimi i kurdëve: Nëse Erdogani nuk ndryshon qëndrim ndaj tyre, BE duhet t'i japë fund dhe ta zgjidhë krizën e refugjatëve pa të. Në Europë vertetohet ai mallkimi kinez, që i ka punët keq, kush jeton në kohëra interesante.