1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Një emërim shumë domethënës

Bisedime të gjata për koalicionin dhe ndarjen e posteve, në fund një surprizë e madhe. Një tabu bie, një grua bëhet ministre e Mbrojtjes. Ndoshta është lëvizje shahu me qëllime të fshehta, mendon Volker Wagener.

default

Ursula von der Leyen bëhet ministre e Mbrojtjes. Për herë të parë një grua vendoset në krye të ushtrisë gjermane, Bundeswehrit. Një eksperiment? Me siguri që jo! Me shumë një lëvizje gjeniale shahu e Angela Merkelit.

55 vjeçarja e vendosur dhe ambicioze merr një sektor kyç, dhe çfarë sektori. Një ministri burrash. Një ministri, nga e cila mund të bëhet edhe një farë politike e jashtme. Ai, që mund ta vuante këtë, do të ishte pastaj Frank-Walter Steinmeier (SPD), shefi i sapoemëruar i ministrisë së Jashtme nga partneri më i vogël i koalicionit. Ai do të jetë i detyruar që krahas kancelares të ketë edhe një konkurrente tjetër në sektorin e tij. Sepse politika e vertetë e jashtme bëhet në zyrën e kancelares. Kaq për këtë llogaritje taktike strategjike, që duhet ta ketë çuar Angela Merkelin në këtë lëvizje shahu.

Këmbëngulëse dhe rezistente

Ursula von der Leyen mund të jetë e sigurtë se do të ketë një vëmendje të pakufizuar. Si grua në një terren burrash ajo lëviz që tani në zonë të minuar. Gratë në Bundeswehr, ka kohë që kjo është bërë diçka e përditshme, por ato e kanë shumë të vështirë në trupë. Raporti vjetor i të ngarkuarit të parlamentit për ushtrinë e dëshmon këtë. Frikërat e tepruara, se gruaja e vogël me buzëqeshjen e përhershme në fytyrë nuk do ta përballonte tonin nganjëherë të ashpër në kazerma, janë të panevojshme. Mjekja konsiderohet këmbëngulëse dhe rezistente. Përvojat familjare kanë qenë me siguri një shkollë e mirë. Kujt i është dashur të përballojë pesë vëllezër, ai nuk mund të frikësohet shpejt.

Në foto, Volker Wagener

Në foto, Volker Wagener



Me këtë emërim Angela Merkel ka bërë një lëvizje të mirë shahu. Në fakt deri tani ministrja e deritanishme e Punës mendohej se do të bëhej ministrja e re e Shendetësisë. Një ndryshim praktik sektori për një mjeke, e cila dukej se nuk i kishte kartat më të mira në pokerin e posteve të Merkelit. Në parti kryesisht e padëshiruar për shkak të mënyrës kokëfortë të propozimit të temave, ajo ka edhe një marrëdhënie të tendosur me kancelaren, njëkohësisht kryetare e CDU-së. Megjithatë Merkel e ka ndihmuar Ursula von der Leyen të bëjë një hap përpara në karrierë. Pyetja është: Përse? Partneri tjetër i koalicionit, partia motër e CDU-së, CSU, ka dalë nga ndarja e posteve në marrëveshjen e koalicionit me disa ministri të vogla, jospektakolare. Pra kjo duhet të ketë qenë e rëndësishme për të.

Ngritje në post e një konkurrenteje

Ministrja e re në krye të ministrisë së Mbrojtjes përfaqëson gruan e moderuar brenda partisë së Merkel-it. Ajo tërheq ato shtresa, në të cilat CDU dëshiron të zërë më shumë vend. Nëna e shtatë fëmijëve flet lirisht frengjisht dhe anglisht, ajo ka kaluar shumë vite jashtë shteti, ka kryer punime shkencore dhe kujdeset edhe për babain e saj dement. Se si arrin t'i bëjë të gjitha këto, për shumëkënd është një enigmë.

Angela Merkel për vite me rradhë e ka shmangur me sukses konkurrencën mashkullore. Në fakt askush nuk ka mbetur më prej sfidueseve të shumtë, të ngritur lart nga mediat dhe nga të vetëshpallurit princër të kurorës. Prej kohësh ajo është e padiskutueshme në Union. Por tani kërcënon konkurrenca femërore.

Ursula von der Leyen mund të bëhet kancelare, shumë mendojnë se nuk i mungon asgjë për këtë. Ministrja e re e Mbrojtjes është e gdhendur nga i njëjti dru i fortë si kancelarja. Angela Merkel kurrë nuk ka vepruar në mënyrë aktive kundër rivalëve të saj brenda partisë. Ajo thjesht i ka lënë të bëjnë gabime, deri sa të dëmtonin vetveten. Ursula von der Leyen mund të bëhet një shembull paradoks i asaj, që ngritja në pozitë nuk të çon gjithnjë drejt synimit, që i ke vënë vetes. Sepse një gjë është e qartë: Ministrat e Mbrojtjes kanë shpesh periudha të shkurtra në detyrë. Por mund të ndodhë ndryshe. Ndoshta Angela Merkel do të largohet pas mandatit të saj të tretë.