1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Një dimension i ri i terrorizmit

Sulmi hacker ndaj televizionit francez TV5 Monde është një rast i qartë i terrorizmit kibernetik. Duhet të përgatitemi mirë ndaj sulmeve të tilla pasuese, sepse rreziku madje do të shtohet, mendon Matthias von Hein.

Botëkuptimi i të ashtuquajturit "Shteti Islamik" (IS) është i prapambetur e mesjetar. Por për fat tëk keq nuk janë të tilla metodat e terroristëve xhihadistë. Kjo për faktin se hapësirën kibernetike terroristët e IS prej kohësh e kanë zbuluar si fushë beteje. Megjithatë në të ata deri më sot kanë realizuar kryesisht betejat propagandistike: me video të prodhuara në mënyrë të sofistikuar, me revista të shkëlqyeshme online, me shembujt e rrjeteve sociale.

Sulme terroriste nga rrjeti

Tani sulmi i të vetëquajturit "Cyber-Kalifats" ndaj televizionit francez TV5 Monde shënon një shkallë të re të terrorizmit kibernetik. Sepse bëhet fjalë për terrorizëm kibernetik: Një përkufizim, që përdoret edhe nga Zyra Federale e Kriminalistikës e përshkruan terrorizmin kibernetik si "përdorimi i kapaciteteve kibernetike, për të realizuar operacione militante me efekt dominancën, cënimin apo shkatërrimin dhe për të instrumentalizuar frikën përmes dhunës ose kërcënimit me dhunë, në mënyrë që të arrihet një shndërrim politik". Aksioni ishte gjithësesi shkatërrimtar. Dukshëm i shokuar foli drejtori i televizionit Yves Bigot duke u shprehur për një sulm mjaft të rëndë kibernetik. Të njëmbëdhjetë kanalet e televizionit u bllokuan njëkohësisht, llogaritë e Facebook-ut dhe të Twitter-it u bllokuan gjithashtu. Duket se teknika e prodhimit vazhdon të jetë e trazuar. Edhe disa orë pas sulmit TV5 Monde ka mundur të transmetojë vetëm kronika të prodhuara më parë. Madje edhe kërcënimet ndaj ushtarëve francezë përkojnë me përkufizimin e terrorizmit.

Deutsche Welle Chinesische Redaktion Matthias von Hein

Matthias von Hein

Ky incident nuk vjen papritur. Zyra Federale e Kriminalistikës qysh vitin e kaluar kishte paralajmëruar në një analizë të brendshme për kërcënimet prej hapësirës kibernetike. Edhe Agjencia Policore e BE-së, Europol, në shtator 2014 në një analizë të rreziqeve tërhiqte vëmendjen ndaj rrezikut të terrorizmit kibernetik. E pra s'është habi: kur nga çdo cep i botës me një ekip të vogël specialistësh mund të bësh dëme të mëdha në vende mjaft të largëta, gjë që ka trajtën e strategjisë së përshtatshme për zhvillimin e një lufte asimetrike.

"Cyber-Kalifat" qysh në mes të janarit tërhoqi vëmendjen me një sulm disi paqeder duke bllokuar për 30 minuta llogaritë e Youtube dhe Twitter të komandës qendrore të SHBA-së, që është përgjegjëse për luftën në Siri dhe në Irak. Megjithatë ky incident shkaktoi trazira brenda trupave të SHBA-së për faktin, se në faqet e bllokuara u publikuan informacione private lidhur me ushtarët e SHBA-së dhe të afërmve të tyre. Sulmi i tanishëm ndaj TV5 ishte shumë më kompleks - dhe më me efekt. Islamistët duket se kanë mësuar më shumë.

Rreziqet po shtohen edhe më shumë

Problemi është se: sa më shumë afrohen bota virtuale dhe ajo reale, aq më i madh bëhet rreziku në hapësirën kibernetike prej kriminelëve ose terroristëve. Në dhjetor të vitit të kaluar Koreja e Jugut njoftoi për një sulm hacker ndaj një centrali bërthamor. Edhe raporti i fundit vjetor i Entit Federal për Sigurinë në Teknikën e Informacionit përmban detaje të rëndësishme: në të raportohet për shkatërrimin e një furrënalte si pasojë e një sulmi hacker. Dëme reale në botën reale, të shkaktuara prej manipulimeve në zerot dhe njëshat, që po depërtojnë gjithnjë e më shumë në këtë botë. Çfarë mund të ndodhë nëse një rafineri, një kompleks i madh kimik është në shënjestër të një sulmi? Apo nëse në shënjestër vihen të ashtuquajturat "infrastruktura kritike" si furnizimi me energji dhe me ujë apo teknika e komandimit të qarkullimit? Të tillë skenarë askush nuk do t'i imagjinojë.

Dhe: bota jonë nuk po bëhet edhe më e sigurtë. Shkalla tjetër e revolucionit industrial, projekti "Industri 4.0" synon futjen plotësisht në rrjet të teknikës së prodhimit. Kjo do t'i gëzojë aventurierët digjitalë, sepse kësisoj shtohen edhe më shumë shanset e tyre për të shkaktuar shkatërrime e madje edhe katastrofa.