1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Nga histeria në normalitet

Pas pohimit se është homoseksual Hitzlsperger ka marrë jehonë pozitive në rrjetet sociale. Me të drejtë sepse hapi i tij ishte i guximshëm. Tani bota e futbollit duhet të tregojë veten, thotë redaktori i DW Joscha Weber.

Redaktori i DW, Joscha Weber

Përgjigjja e saktë do të ishte një ngritje e supeve. Një futbollist thotë, se i pëlqejnë burrat. E pastaj? Kjo është e drejta e tij dhe krejt normale në ditët e sotme. Politikanë, artistë, stilistë, aktorë, këngëtarë, po edhe sportistët, jetojnë publikisht si homoseksualë. Përqindja e homoseksualëve dhe e lezbikeve në popullsinë gjermane në total duhet të jetë, në varësi të studimeve të ndryshme, nga katër deri në 17 për qind. Përse pohimi i Thomas Hitzlspergerit është një lajm kaq spektakolar në Gjermani? Për shkak se të paktën në futboll publiku ka ende shumë rezerva në lidhje me temën e homoseksualitetit.

Kudo flitet për thyerje të një "tabuje". Dikush pranon haptazi homoseksualitetin në bastionin e fundit të maskulizmit, në futboll – në fakt e paimagjinueshme. Në thyerjen e tabusë bën pjesë me sa duhet fakti, që më parë është tabuizuar diçka. Të pohosh publikisht homoseksualitetin dhe të luash me sukses futboll konsiderohej deri tani nga shumë njerëz si e papajtueshme. Tani është koha për të provuar të kundërtën.

Një gjest, që mund të merret për shembull?

Vendimi i Hitzlspergerit për ta bërë publik në këtë kontekst dëshmon guxim. Hitzlsperger është njëri inteligjent, reflektues, i cili angazhohet kundër përjashtimit të të tjerëve, antisemitizmit dhe racizmit, njo futbollist jo i zakonshëm. Hapi për t'u shprehur nuk ka qenë i lehtë për të, gjashtë vjet ka luftuar me veten, për të vendosur, nëse donte dhe mund t'ia tregonte botës, se është homoseksual.

Kujdesi i tij nuk ishte i rastësishëm. Fundja shokët e skuadrës bënin shaka poshtëruese për homoseksualët dhe drejtuesit organizativë të futbollit si presidenti i Ligës, Reinhard Rauball, i paralajmëronin profesionistët për pasojat e një pohimi të tillë. Ndoshta nuk është rastësi që Thomas Hitzlsperger pak pas përfundimit të karrierës së tij aktive guxon të bëjë këtë hap në publik.

Ai nuk ka pse trembet më nga armiqësia në rradhët e tifozave, nga anonimiteti i të cilëve prej dekadash të tëra ulëritet kundër homoseksualëve, nuk ka përse të shqetësohet më për komentet e papjekura nga shokëve të ekipit, nuk i duhet të dridhet për sponsorët. Futbollisti i parë profesionist aktiv, që do të shprehej tani, për fat të keq do të duhet të ketë frikë nga të gjitha këto dhe megjithatë duhet ta bënte tani hapin.

Një detyrë shoqërore

Në jehonën e madhe, që i bëhet në media pohimit të Hitzlspergerit ofrohet shansi për të ndryshuar gjërat. Tani dhe në vazhdimësi. Aprovimi për Thomas Hitzlspergerin në rrjetet sociale është shumë i madh, shumë tifozë duket se kanë pritur që një profesionist i guximshëm të guxojë të bëjë më në fund këtë hap. Për të hedhur poshtë të gjitha ato skenare horrori se një lojtar homoseksual i Bundesligës e humbet punën brenda një kohe shumë të shkurtër.

Por kjo nuk është detyrë e një futbollisti të vetëm profesionist. Kjo është një detyrë shoqërore e botës së futbollit dhe e medias. Mjedisi tani duhet të mbajë qëndrim, ashtu siç ka bërë Thomas Hitzlsperger. Tifozët në stadium duhet të refuzojnë që të këndojnë këngët budallaqe homofobike, por të japin sinjale me postera dhe koreografi. Funksionarët e klubeve duhet të inkurajojnë dhe jo të paralajmërojnë. Dhe gazetarët duhet të shmangin reflekset histerike, duke spekulluar kot për pohime të tilla nga të tjerë. Hitzlsperger ka guxuar. Edhe bota e futbollit duhet të bëjë tani të njëjtën gjë.