1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Ne të gjithë jemi republika!

Nuk ishte thjeshtë marshim i përmortshëm, por demonstrim solidariteti. Por pavarësisht gëzimit prej të qenit të bashkuar, e ardhmja ajo që do ta tregojë, nëse ky solidaritetit është i qendrueshëm, mendon Barbara Wesel.

Në këtë ditë francezëve thuajse ua ke zilinë, sepse kjo ishte një demonstratë e fuqishme. Pas zhvillimeve të përgjakshme të javës së shkuar ata treguan një lidhje impresionuese me historinë, me vlerat, me kombin dhe me idealet e tyre. Ky marshim i më shumë se 1,5 milionë njerëzve në Paris - dhe i rreth 2 milionë demonstruesve në pjesë të tjera të vendit - ishte një pohim i fortë për demokracinë, kundër dhunës dhe kundër frikës. Njerëzit nuk pranojnë të frikësohen prej terrorit dhe ato duan në radhë të parë që atyre të mos ua mohojnë atë çka është e rëndësishme për ta: lirinë e mendimit. Ajo bën pjesë në traditën e lashtë franceze, në shpirtin e veçantë të vendit. Edhe mendimet ekstreme duhet të shprehen dhe në përballjen e pikëpamjeve dëshmohet demokracia, ky është parimi.

Solidaritet i madh - e madje ndonjëherë edhe i çuditshëm

Kryetarët e shteteve dhe të qeverive nga mbi 40 vende kishin ardhur në Paris, për të shprehur solidaritetin me Francën dhe ata u përshëndetën me një duartrokitje të veçantë. Në këtë kontekst prezantimi i kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu krah për krah me presidentin plestinez Mahmud Abbas nuk ishte pa ironi. Të dy për herë të parë u shfaqën në një demonstratë, por Netanjahu shfrytëzoi çastin e veçantë jo për një gjest paqeje. Përkundrazi në vend të kësaj ai u bëri thirrje herbjeve në Francë që pas ngjarjeve në Paris më mirë të largohen nga Franca dhe të emigrojnë në Izrael. E ç'mund të ketë menduar ministri i Jashtëm rus Lavrov për lirinë dhe demokracinë, teksa marshonte në një resht me presidentin e Ukrainës, Petro Poroschenko? Kjo mund të duket absurde ose e çuditshme, në varësi të kondicionit shpirtëror.

"Bota ngre krye", titullonin gazetat franceze të së dielës, jo pa një farë krenarie, që në këtë ditë e shihnin veten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Sepse aktualisht francezët kërkojnë mbështetje dhe konfirmim nga jashtë. Ata e shohin veten në vijën e parë të frontit për mbrojtjen e vlerave themelore demokratike dhe janë të shqetësuar, sepse e dinë, që ky kërcënim vazhdon të ekzistojë prej terroristëve të prodhuar në vend. Ngjashëm si në Britaninë e Madhe fqinjë Franca ka krijuar truallin e islamit të radikalizuar në getot e periferive, që duket se po dalin jashtë kontrollit.

Republika si identitet i përbashkët

Ka pasur shumë shenja impresionuese të humanitetit dhe frymës qytetare gjatë këtyre ditëve - demonstruesit mbanin parrullat me mbishkrimin "Unë jam Charlie Hebdo, unë jam polic, unë jam hebre", për të sjellë në kujtesë të përbashkëtat me viktimat. E anë e mbanë ishin të pranishme pohimet për republikën franceze si identitet i përbashkët.

Por pas këtyre çasteve të lartësimit pason lodhja me këtë nivel. Grindja politike deri këtë të dielë ishte lënë më një anë - por ajo do të kthehet, kampet do t'i sulen njëri-tjetrit me akuza për fajin dhe do të përpiqen të fitojnë kapital politik prej këtyre ngjarjeve. Por para së gjithash ajo që duhet të nisë në këtë kontekst është një debat i sinqertë për kushtet e jetesës së imigrantëve nga vendet e Afrikës së veriut. Franca përballet sot me neglizhimet e disa dekadave: periferitë e rrënuara të qyteteve, të cilat nuk e konsiderojnë veten si pjesë të kësaj republike dhe burgje me kushte të tilla jo njerëzore, të cilat prej kohësh janë kthyer në fole të radikalizimit.

Franca ka nevojë për një program gjigant reformash për ta përmirësuar në mënyrë të qendrueshme jetën e disa miliona francezëve me prejardhje emigracioni. Megjithatë një e djathtë politike e forcuar do të përpiqet që kjo të mos ndodhë. Pas fjalëve të mëdha emocionuese të ditëve të fundit edhe më shumë shtrohet çështja e një shansi të humbur.

DW.COM