1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Ndalimi i qeseve plastike vetëm politikë simbolike

BE-ja i ka shpallur luftë qeseve plastike. Por ndalimi në vendet e industrializuara është vetëm politikë simbolike. Efekt kanë depozitimi dhe impiantet moderne të djegies në vendet në ekspansion, mendon Fabian Schmidt.

Nëse qeset e plasmasit përhapen në mjedis, padyshim ato janë të dëmshme: po të gëlltiten prej zogjve, breshkave, peshqve dhe gjitarëve të detit. Mikroplastikat grumbullohen në rrjetin e industrisë ushqimore dhe tek e fundit polimeret sërish përfundojnë në pjatat tona.

Por asgjë nuk ndryshon nga ky problem me vendosjen e gjobave ndaj përdorimit të qeseve të plasmasit në tregti apo me ndalimin e tyre, në rast se këto rregulla zbatohen vetëm në vendet e zhvilluara industriale. Sepse kudo atje, ku ka sisteme mirëfunksionuese të asgjësimit të mbeturinave - si në Gjermani apo në Singapor - pothuajse asnjë qese plasmasi nuk përfundon në lumenj apo detra.

Kontraste në vetëdijësimin për mjedisin

Gjithashtu në vende të tilla në opinion është mjaft e zhvilluar vetëdija për mjedisin. Kushdo që i hedh plehrat jo në vendin e duhur, duhet të llogarisë se do ta vrojtojnë, do ta padisin dhe do ta gjobisin rëndë. Kjo për asyen, se qytetarët e tjerë janë të sensibilizuar dhe nuk qendrojnë indiferentë.

Deutsche Welle Fabian Schmidt

Fabian Schmidt

Ndryshe qendron puna në vendet në ekspasion dhe ato në zhvillim si në Indi, apo edhe në brezin e ullishteve në BE, si në Italianë e Jugut apo në Greqi. Në këto vende rëndom lumenjtë abuzohen si të ishin depo mbeturinash - larg syrit, larg zemrës! Në vende të tilla ndonëse ndalimi i qeseve të plasmasit mund ta zbusë disi situatën, ai nuk mund ta zgjidhë aspak problemin thelbësor me qeset e plasmasit. Sepse edhe pa këto qese atje mbeturinat do të vazhdojnë të hidhen në det.

E vetmja çka mund të ndihmojë vërtetë, është grumbullimi dhe asgjësimi sistematik i mbeturinave. Por kjo s'mund të realizohet pa impiantet moderne të djegies së mbeturinave. Kjo, krahas riciklimit, është e vetmja formë e pastër, e përshtatshme për mjedisin dhe me rendiment për asgjësimin e mbeturinave. Në këtë mënyrë zgjidhen shumë më tepër probleme, se sa vetëm ndotja e detrave nga qeset e plasmasit.

Djegia moderne e mbeturinave nuk është aspak toksike

Nëse plehërat digjen në mënyrë profesionale, praktikisht nuk krijohen gazra helmues. Një impiant modern i djegies së mbeturinave, që përballon më shumë se gjysmë milion ton plehra në vit, çliron më pak dioksinë me përqendrim të lartë toksik dhe enoletere, se sa një kazan i vetëm plehërash që digjet, gjë që e has rëndom në çdo cep rruge në vendet në zhvillim. Vetëm djegia e plehërave mund të garantojë, që helmet të mos depërtojnë në tokë dhe në ujërat nëntokësore, siç ndodh shpesh me deponitë e mbeturinave.

Nëse vendet e zhvilluara, që qysh tani praktikojnë një mbrojtje shembullore të mjedisit, e ndalojnë apo e kufizojnë përdorimin e qeseve të plasmasit, kjo mbetet thjeshtë një politikë simbolike - ngjashëm si detyrimi për përdorimin e kokave të dushit që konsumojnë pak ujë në zonat tropikale: masa të tilla janë pa efekt dhe e anashkalojnë zgjidhjen e problemit.