1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Ndërgjegjësim i vonuar për ekstremizmin e djathtë në Lindje

Landet e reja gjermane kanë një problem të madh me ekstremizmin e djathtë. Raporti i qeverisë për gjendjen e Bashkimit Gjerman e përmend problemin me emër. Për këtë u desh shumë kohë, mendon Jens Thurau.

Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë: në një raport zyrtar të qeverisë gjermane për zhvillimin në territorin e ish-RDGJ nuk flitet me dorashka. Në të bëhet fjalë për një rrezik serioz për zhvillimin nga strukturat ekstremiste të djathta. Për rrezikun që qytete dhe fshatra të tëra t'i lihen makthit neonazist. Për atë që për Gjermaninë Lindore janë shumë gjëra në lojë. Dhe e ngarkuara me Lindjen, Iris Gleicke e pranon hapur: në udhëtimet që ajo bën në botën e jashtme, së fundi në SHBA, e pyesin shpesh nëse mund të investohet me mendje të qetë në landet e reja të Gjermanisë. Apo nëse si i huaj thjesht atje je person i padëshiruar. Dhe Gleicke e bëri të qartë: krejt shqetësimin atyre që pyesin ajo nuk është në gjendje që t'ua largojë.

Dobësia e ekonomisë si argumentim për të gjitha

Sigurisht: edhe 26 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë, Lindja vazhdon të ketë nevoja të konsiderueshme për t'i plotësuar. Ekonomia ka mbetur prapa, shumë të rinj largohen nga Lindja. Ekonomia është e ndarë në sektorë të vegjël, thuajse mungojnë zyrat qendrore të koncerneve të mëdha. Prandaj papunësia është më e lartë se në Perëndim, edhe mungesa e perspektivës. Por pikërisht ky përshkrim i gjendjes quhej në njëfarë mënyrë argumentim, se pse është më i fortë në Lindje ekstremizmi i djathtë. Për një kohë të gjatë problemin thjesht e mohuan. Legjendare është shprehja i ish-kryeministrit të Saksonisë, Kurt Biedenkopf, sipas të cilit landi i tij është imun ndaj ekstremizmit të djathtë. Politikanë të tjerë flisnin gjithmonë në mënyrë të turbullt për një problem si të periferisë së majtë, ashtu edhe të asaj të djathtë, sikur ekstremistët e majtë të luanin ndonjë rol të konsiderueshëm në landet e reja.

Raporti thotë shkurt edhe qartë: atje ku shfaqet armiqësi ndaj të huajve, para strehimeve të azilkërkuesve për shembull, në dallim nga Perëndimi mungon protesta e shtresës së mesme të shoqërisë. Përkundrazi: sulmet kundër migrantëve nga kjo shtresë e mesme mbështeten heshturazi, nganjëherë hapur. Dhe po hapur tani thuhet: armiqësia kundër të huajve, vitet e kaluara është rritur, para së gjithash që prej krizës së refugjatëve. Raporti nuk harron të përmendë as se pjesa e të huajve në Lindje shumicën e herëve është më e ulët.

Jens Thurau

Jens Thurau

Më në fund rreziku u dallua

Kjo qartësi të bën mirë. Por megjithatë të mbetet shija e hidhur se kjo analizë e qartë bëhet vetëm tani, sepse para së gjithash partitë në koalicion në Lindje aktualisht ndihen nën presion nga sukseset e populistëve të djathtë të AfD-së dhe se humbasin zgjedhje. Tani duhet të pasojnë me shpejtësi vepra: më shumë para për iniciativat kundër të djathtës, më shumë polici, qartësi më e madhe para së gjithash te qeveritë e landeve dhe te kryeministrat, të cilët nga frika prej qytetarëve të tyre kanë shpesh tendencën që ta paraqesin të zbukuruar gjendjen në landet e tyre. Por hapi i parë u bë: pranimi se në Lindje ka një kërcënim të fortë të shoqërisë nga e djathta ekstreme. Hapi tjetër dhe vendimtar është që më në fund të ndërmerren diçka kundër kësaj gjendjeje.