1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Nawalni e irriton lojën

Arrestimi i Aleksej Navalnit mund të jetë fundi i lëvizjes protestuese në Rusi. Dhe për këtë një pjesë të fajit e mban edhe politikani opozitar, mendon Juri Rescheto.

Një të ri në Novorosijsk të Rusisë jugore e rrahin sa e bëjnë për spital, kur ishte nisur për të lajmëruar në bashki një manifestim proteste. Ky i ri është një simpatizant i Navalnit.

Një tjetër të ri në Irkutskt të Siberisë e keqtrajtojnë sa i rrezikojnë jetën. "Faji" i tij konsiston në faktin se është biri i një sipërmarrësi, i cili jep me qira një dhomë për shtabin zgjedhor të Navalnit.

Mijëra studentë në të gjithë Rusinë kanë marrë letra kërcënuese nga autoritetet. Ata i paralajmërojnë që të mos bashkohen me protestat, të cilat i organizon Navalni. Argumenti i autoriteteve: protestat e Navalnit janë provokim.

Ai që do të luftojë duhet të jetë i kujdesshëm

Këta shembuj tregojnë se sa nervozë janë autoritetet ruse. Dhe ato bëhen gjithnjë e më nervoze, sa më pranë afrohen zgjedhjet presidenciale në Rusi. Miratohen ligje absurde, për t'i futur në burg njerëzit për postime të diskutueshme. Absurde nga këndvështrimi i veprimtarëve të të drejtave të njeriut. Ai që do të luftojë më tej, duhet të jetë i kujdesshëm. Përndryshe lufta merr fund shpejt. Ai që jeton në Rusi e di këtë. Aleksej Navalni jeton në Rusi. Megjithatë ai i hyn rrezikut.

Ai mund të humbasë. Më shpejt se do të dëshironte.

Protestat më të fundit në Moskë do të mbaheshin me miratimin e autoriteteve. Që qyteti dha miratimin për to, kjo është në kufijtë e një mrekullie. Në fund të fundit demonstrata do të zhvillohej në ditën më të rëndësishme kombëtare - në ditën e Rusisë. Vendi i miratuar vërtet që nuk është Sheshi i Kuq, por një vend i njohur demonstratash në mes të Moskës: bulevardi Saharov.

Juri Rescheto

Juri Rescheto

Një provokim krejt i panevojshëm

Një mbrëmje para demonstratës, në orët e vona Navalni u bën thirrje krejt papritur mbështetësve të tij që të takohen në një vend tjetër. Atje, ku do të mbahen festimet për ditën e Rusisë, në Rrugën Cverskaja. Në mes të kampit "armik", për ta thënë ndryshe. Për autoritetet ky është një provokim i qartë. Navalnin e paralajmërojnë qartë, por ai i përmbahet vendimit të tij...dhe përfundon pas kangjellave të burgut.

Me të arrestohen edhe shtatëqind rusë të tjerë, që patën ndjekur thirrjen e tij. Të rinj. Studentë. Nxënës. Shumë prej tyre së shpejti do të lirohen. Por jo të gjithë. Një veprim krejtësisht i tepruar i ashpër i autoriteteve. Por edhe një provokim krejt i panevojshëm i politikanit opozitar Aleksej Navalni. Në një ditë shumë të veçantë. Dhe në një vend shumë të veçantë.

Rezultati: lëvizja protestuese, që Navalni e inicioi vetë dhe që dukej gjithnjë e më e suksesshme, së shpejti mund të marrë fund. Thjesht sepse mungon udhëheqësi karizmatik i saj. Në këtë rast lulja e vogël e brishtë e demokracisë në Rusi nuk do të ketë shanse të mbijetojë. Atëherë loja do të merrte fund krejtësisht. Dhe kjo do të ishte vërtet trishtuese.