1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: NATO ndryshon në mënyrë radikale

Tërheqje nga Afganistani, mision i ri në Evropë: NATO transformohet për t'i treguar kufijtë Rusisë. Diplomacia e besueshme në rast nevoje duhet të jetë e aftë të mbrohet, mendon Bernd Riegert.

Viti 2014 solli një kthesë vendimtare për aleancën më të madhe ushtarake të botës. Largim nga NATO "out of the area" me misionin e saj të shtrenjtë dhe të vështirë për paqen në Afganistan dhe rikthim tek mbrojtja e Evropës. Kthesa e fortë nuk po bëhet krejt vullnetarisht nga Aleanca. Rusia po e detyron për këtë me sulmin e saj ndaj sovranitetit të Ukrainës.

NATO donte që pas tërheqjes së planifikuar nga Afganistanit t'i dedikohej me qetësi detyrave të rejave dhe të kursente para. Por kjo nuk do të ndodhë: me shpejtësi të madhe tani duhet të krijohen përsëri kapacitete dhe aftësi në Evropë, të cilat gjatë njëzet viteve pas fundit të Bashkimit Sovjetik ishin reduktuar me ndërgjegje të qetë. Rusia perceptohet si kërcënim për shtetet lindore anëtare të NATO-s. Edhe pse një ndërhyrje e Rusisë në Estoni apo Letoni nuk ka gjasa të ndodhë, në Bruksel mbizotëron ndjenja se Rusia nën Presidentin Putin nuk është më një partner por një vend i pallogaritshëm, i uritur për pushtet. NATO beson se duhet të tregojë forcë.

Aleanca ka forcuar tashmë praninë ushtarake në Kaspik dhe në hapësirën ajtore mes Finlandës dhe Rumanisë. Ajo po krijon një trupë të ndërhyrjes së shpejtë e cila të paktën tani në fillim nuk është as shumë e shpejtë dhe as shumë e fortë. Do të duhet ca kohë derisa të jetë disponibël një numër i mjaftueshëm ushtarësh, rreth 4000, të cilët mund të transferoheshin në rast krize në Baltik apo në Poloni. Trupa "Majat e shpatave" do të mbahet në gatishmëri të vazhdueshme. Kjo do të thotë edhe për Bundeswehr-in ngarkesë shtesë me personel dhe kosto. Për ta trembur në mënyrë të besueshme Rusinë me trupa konvencionale, NATO duhet të shtojë infanterinë dhe trupat kundërtanke. Vitet e kaluara Aleanca i ka kursyer kostot për këto. Rikrijmi do të jetë i shtrenjtë dhe i gjatë.

Maja ndiqet nga e gjithë shpata

Deutsche Welle Bernd Riegert

Redaktori i DW, Bernd Riegert

Por pas stacionimit të majës së shpatës sipas logjikës ushtarake duhet të pasojë edhe e gjithë shpata, që do të thotë: duhet të pasojnë më shumë trupa. Nëse kriza do të vazhdojë gjatë Gjermanisë do t'i duhet të mendojë edhe për rivendosjen e shërbimit të detyruar ushtarak pasi që sot Bundeswehr-i e ka të vështirë të mbulojë me vullnetarë kërkesën për personel. Krahas përgatitjes ushtarake të manovrës së trembjes ndaj Rusisë, shtetet e NATO-s duhet të vazhdojnë t'i japin rëndësi diplomacisë. Një shtensionim apo zgjidhje e konfliktit me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin do të ishte njëmijë herë më mirë se sa vringëllima e shpatave, të cilën jemi të detyruar të përjetojmë për momentin në NATO.

Jemi ende shumë larg nga fuqia ushtarake e kohës së Luftës së Ftohtë kur në Evropën Qendrore qendronin përballë njëri-tjetrit miliona ushtarë. NATO megjithatë duhet të planifikojë me largpamësi dhe të jetë e pregatitur për gjithçka. Edhe për atë që Rusia me siguri nuk do të shohë duarkryq farkëtimin e "majave të shpatave". Duhet llogaritur me shtim manovrash pranë kufijve të NATO-s, me zhvendosje të tjera trupash dhe provokime të qëllimshme. A do të ketë në fund një garë armatimi mes Rusisë dhe NATO-s? Detyrë e 28 anëtarëve të NATO-s vitin e ardhshëm do të jetë të ruajnë unitetin dhe vendosmërinë. Në shtetet anëtare në jug kërcënimi nga kriza e Ukrainës nuk ndjehet aq shumë. Anëtarja e NATO-s Turqia madje bën biznese të mira me Rusinë paralal me takimin e NATO-s.

Tensioneve me Rusinë i shtohet edhe një sfidë tjetër që vjen nga juglindja e Aleancës: kërcënimi nga ushtria e terroristëve "shteti islamik"( IS), që nga Siria mund të sulmonte anëtaren e NATO-s, Turqinë. Për këtë sfidë NATO nuk ka ende asnjë përgjigje. Këtu nuk ndihmon asnjë trupë e ndërhyrjes së shpejtë. Apo ndoshta po? Nën udhëheqjen e SHBA do ngrihet një aleancë e re kundër IS. Deri tani NATO nuk luan atje asnjë rol. Por kjo mund të ndryshojë.