1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Natë në Lindjen e Afërt

Thyerja e armëpushimit në Siri ishte e parashikueshme. Konflikti ka pasoja - deri në Gjermani.

Lajmi nuk qe vërtet i papritur: në Siri i është vënë pikëpyetje armëpushimit. Kryengritësit e Ushtrisë së Lirë Siriane të moderuar deklaruan se trupat e regjimit të Assadit e patën shkelur disa herë armëpushimin. Dhe sado që nëpër vite mund të jesh mësuar të mos u besosh palëve, argumentat e kryengritësve të moderuar tingëllojnë bindëse. Herë pas here, në vitet e kaluara është thënë se edhe kryengritësit e moderuar nuk kanë alternativë tjetër veçse të luftojnë. Po të dorëzoheshin, ata do të transportoheshin menjëherë në bodrumet e torturave të regjimit të Assadit ose do të vriteshin menjëherë. Mania për hakmarrje e regjimit të Assadit u dëshmua që pas shpërthimit të kryengritjes.

Kështu që dhuna direkte mund të rishpërthejë në Siri. Por nuk duhet të kemi iluzione: edhe një armëpushim, i cili ndoshta do të kish përfunduar në një marrëveshje paqeje, nuk do ta kishte shuar plotësisht dhunën. Një bandë terroriste e parregullt si "Shteti Islamik" është e vështirë të mundet.

Natyrisht që ky pohim nuk është kartë e bardhë për disfatizmin. Në fakt, Rusia dhe Irani e luftuan me efikasitet IS në Siri. Por e bënë këtë pa marrë parasysh humbjet në popullatën civile. Dhe duke mbështetur regjimin e Assadit, që i la të forcohen këta terroristë me qëndrimin e tij të pashoq cinik.

Konfesionalizëm vdekjeprurës

Por problemi nuk është "vetëm" IS. Problemi janë edhe armiqtë e tij. Milicët shiitë, të cilët luftojnë kundër terroristëve sunitë janë po kaq të lidhur me fenë sa edhe armiqtë e tyre. Për ta thënë më saktë: ekzekutimet edhe të civilëve sunitë nga luftëtarë prej radhëve të pushtuesve të Aleppos e tregojnë këtë po kaq qartë sa aktet mizore në kuadër të ripushtimit të qytetit Mosul në Irakun e Veriut, të pushtuar më parë nga IS.

Megjithatë, këto veprime ekstreme janë ndoshta vetëm hapi i parë për trazirat e viteve të ardhshme. Sepse vendosmëria, me të cilën Irani po vepron me fuqi të reja pas marrëveshjes atomike, dhe po ndërhyn në Irak dhe në Siri, të sugjeron gati detyrimisht se bëhet fjalë për përpjekje hegjemoniale. Arabia Saudite, që zhvillon në Jemen një luftë përmes vasalësh kundër Teheranit, do të ishte krejtësisht e izoluar. Një rrethanë kjo për të cilën nuk duhet të të prishet shumë humori, po të mbash parasysh qëndrimin minimumi të paqartë të sauditëve ndaj xhihadizmit.

Kersten Knipp

Kersten Knipp

Pasoja në konfliktin e Lindjes së Afërt

Ndikimi iranian përkundrazi po i afrohet Izraelit. Izraeli po sillet ende çuditërisht i qetë. Nuk përjashtohet, që pas perdeve të bëhen negociata, që të punohet për një marrëveshje. Nëse nuk po ndodh kjo, tensionet mund të rriten. Kjo do të thoshte ndoshta edhe që të mos kemi asnjë të re për zgjidhjen me dy shtete të Izraelit dhe Palestinës. Për aq kohë sa Izraeli e konsideron kërcënim një shtet palestinez, ai nuk do ta përballojë dot një front të dytë, krahas Hizbollave të vendosur tani edhe në Siri.

Për Gjermaninë kjo do të thotë se ajo do të bënte mirë, jo, madje ajo është e detyruar që ta riorganizojë politikën e saj ndaj refugjatëve. Njerëzit do të mund të kthehen në vendin që pas viteve të luftës është bërë pafundësisht brutal. Ata janë pjesërisht viktima të rrethanave, padyshim. Por këto viktima, kjo doli në pah me atentatet terroriste, por edhe me kriminalitetin e "zakonshëm", mund të kthehen edhe në doras. Një shtet, i detyruar që të mbrojë qytetarët e tij, duhet ta llogarisë edhe këtë.