1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Në kërkim të një konsensusi minimal për Sirinë

Pavarësisht nga përpjekjet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Rusia e ka thelluar edhe më shumë hendekun në çështjen e Sirisë. Por diplomacia nuk ka alternativë, mendon Gero Schliess.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier paralajmëroi në fillim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nga optimizmi i tepërt për zgjidhjen e konfliktit në Siri. Por pas maratonës katërditore të debateve nuk ishte më i nevojshëm një paralajmërim i tillë. Gjendja në Siri brenda pak ditësh është pëkeqësuar kaq shumë sa që edhe optimistët më të mëdhenj ndodhen para një prove të vështirë. E kjo megjithëse Steinmeier dhe një armatë politikanësh dhe diplomatësh në Nju Jork angazhohen me të gjitha forcat për gjetjen e zgjidhjes.

E në radhë të parë angazhohet për këtë presidenti amerikan Barack Obama, i cili vendosi të takojë në kuadrin e Asmablesë së Përgjithshme edhe presidentin rus Vlladimir Putin. Rezultati i bisedimeve ishte i zbehtë, por ata megjithatë u takuan. Ende pa përfunduar mirë takimi Obama - Putin, Rusia nisi sulmet ajrore në Siri, pa ndonjë koordinim me amerikanët dhe pa objektiva të qarta. Rusia po dëmonstron pushtetin e superfuqisë dhe po e shpërfill hapur Obamën. Steinmeier ka paralajmëruar me të drejtë Rusinë nga aksionet e njëanshme.

Schliess Gero Kommentarbild App

Gero Schliess

Dobësia e OKB-së

A thua do të realizohet qëllimi i Putinit dhe opsioni ushtarak do të fitojë ndaj atij diplomatik? A mos vallë negociatat e politikës do të sfidohen prej makinerisë ushtarake? Apo mund të thuhet qartë se OKB-ja ka hequr dorë nga zgjidhja e këtij konflikti?

70 vjet pas themelimit të saj, OKB-ja po shfaq qartarzi paaftësinë e saj si kurrë më parë. Rezolutat për Sirinë kanë dështuar në Këshillin e Sigurimit për shkak të vetos së Rusisë. Megjithatë vitet e fundit diplomacia ka arritur disa fitore. Steinmeier ka nënvizuar me të drejtë efektet pozitive të marrëveshjes me Iranin për programin atomik, si një shembull të suksesit. Rusia dhe SHBA ishin në një tryezë kur u vendos kjo. Por për momentin nuk mund të përfytyrohet një marrëveshje në konfliktin e Sirisë. E megjithatë Steinmeier dhe Obama besojnë tek forca e diplomacisë, ndonëse zgjidhja duket shumë larg për shkak të interesave të ndryshme: kontradikatat ruso-amerikane, ato mes Arabisë Saudite dhe Iranit, që po shpalosen brutalisht në tokën siriane.

Roli i veçantë i Gjermanisë

Gjermanët sipas dëshirës së amerikanëve do të duhej të bashkëveprojnë për zgjidhjen e konfliktit në Siri. Ky është më shumë obligim sesa nder. Por Berlini megjithatë ende ka kanale të hapura kontaktesh me Moskën. Dhe kjo - ashtu si dhe në bisedimet atomike me Iranin - ka vlerë të paçmuar. Ministri i Jashtëm Steinmeier u ofruar si ndërmjetësues në OKB. Ai synon që t'i ulë palët në një tryezë palët e armiqësuara. Në fjalimin e tij ai u vu në kërkim të një konsensusi minimal mes kundërshtarëve të ndryshëm: Siria - një shtet seklarist, demokratik dhe i bashkuar , në të cilin dhuna nuk ka asnjë shans. Ai u përpoq të theksojë të përbashkëtat - të cilat tani pë tani ende nuk ekzistojnë. Ndërkohë potencialin më të madh të konfliktit e bart çështja e rolit të diktatorit sirian Baschar al-Assad në të ardhmen. Që europianët ndëkohë në vështirësi prej valës së refugjatëve duan t'i bëjnë më shumë lëshime Putinit se sa amerikanët, kjo është shqetësuese.

Edhe pse OKB deri tani nuk ka qenë në gjendje të gjejë një zgjidhje për luftën që po shkatërron Sirinë prej katër vjetësh: në Nju Jork ishin të gjithë aktorët të pranishëm. Java e Asamblesë së përgjithshme krijoi dinamikën e vet. Nëse kjo do të ketë efekt, këtë do ta tregojnë javët dhe muajt e ardhshëm.