1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Mësime të hidhura nga konflikti i Ukrainës

Bernd Johann14 Janar 2015

Përpjekje pa efekt të Berlinit dhe Parisit: dështon samiti i planifikuar për të enjten në Astana për zgjidhjen e krizës në lindje të Ukrainës. Kievi dhe Moska nuk janë të gatshme për kompromise, mendon Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/1EJwJ
Berlin Außenministertreffen zu Ukraine Lawrow Klimkin 12.01.2015
Fotografi: picture-alliance/AP/Michael Sohn

Një nismë e re për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë dështoi. Sërish ministrat e jashtëm të Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë u takuan në Berlin dhe sërish ata u larguan me duar bosh. Tani për tani nuk do të ketë samit në të ashtuquajturin formati i Normandisë. Takimi mes kryetarëve të qeverive dhe të shteteve të katër vendeve të grupit të kontaktit i planifikuar të mbahej këtë javë në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, nuk do të zhvillohet.

Kjo është e hidhur. Prej kohësh ministrat e jashtëm të katër vendeve përpiqen për zgjidhje diplomatike. Në fillim të vitit ata i intensifikuan edhe një herë përpjekjet e tyre. Por në radhë të parë dështimi është më i hidhur për njerëzit në rajonin e konfliktit Donbas, gjendja e të cilëve edhe për shkak të dimrit po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Armëpushimi mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur prej Moskës nuk respektohet gjithmonë dhe kudo. Madje edhe gjatë Krishtlindjeve ortodokse ka pasur viktima gjatë shkëmbimeve të zjarrit. Gjendja është shpërthyese.

Deutsche Welle REGIONEN Osteuropa Ukrainisch Bernd Johann
Bernd JohannFotografi: DW/P. Henriksen

Në kërkim të paqes në kohët e terrorit

Një mësim i hidhur është dështimi i raundit të bisedimeve edhe duke marrë parasysh faktin, se ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius pavarësisht sulmeve të tmerrshme terroriste në Paris ndërkohë angazhohet po aq intensivisht sa edhe homologu i tij gjerman Frank-Walter Steinmeier për t'i dhënë fund të gjakderdhjes në Ukrainën lindore. Madje është për të vënë duart në kokë e të thërrasësh, se për hir të Zotit Franca ndërkohë ka kaq shumë se me çfarë të merret, se sa të ndalë marrëzinë në Ukrainë!

Fabius dhe Steinmeier meritojnë respekt për angazhimin e tyre. Rrallëherë ka pasur përpjekje kaq të përqendruara dhe intensive për paqen. Franca dhe Gjermania - dikur kundërshtare në luftërat botërore - e dinë, se sa e vlefshme është paqja në Europë. Pikërisht për këtë arsye ato s'lenë asgjë pa bërë, për të arritur tek një zgjidhje e konflitkit, i cili nuk është vetëm një luftë me separatistët në lindje të Ukrainës, por edhe një luftë thuajse e hapur e Rusisë kundër Ukrainës.

E megjithatë palët e konfliktit nuk janë të gatshme për kompromis - kjo është kështu prej muajsh. Nën hijen e terrorit nga Parisi, i cili përbën kërcënim për të gjitha shtetet europiane, Moska dhe Kievi japin sinjale të trishtueshme. Të dyja shtetet ndonëse morën pjesë në ditët e fundit në marshin e përmrotshëm për viktimat e terrorit islamist në Francë, duket se nuk preken në të njëjtën masë prej vuajtjeve të njerëzve në lindje të Ukrainës, ku ndërkohë ka gati 5000 të vdekur.

Kurs i pakompromis në Kiev dhe në Moskë

Në udhëheqjen ukrainase me sa duket ende ka forca, të cilat i varin shpresat tek një fitore ushtarakisht në lindje të Ukrainës: në Kiev ndihmat sociale janë hequr, për të financuar një program gjigant armatimi. Eshtë e kuptueshme, që Ukraina do të pengojë me të gjitha forcat, që konflikti në Donbas të mbetet pezull. Sepse me këtë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia de facto do të vendosej një kufi i ri brenda vendit.

Edhe Moska nuk ka hequr dorë nga planet e saj agresive ndaj Ukrainës. Qëllimi është destabilizimi politik, që në fund mund të kulmonte me coptimin e vendit fqinj. Një konflikt pezull në Donbas do të krijonte bazën, për të përgatitur marrjen e mëtejshme të territoreve në Ukrainë. Rusia ende s'ka ndërmarrë asgjë, që mund t'i shmangte këto shqetësime.

Ndërkohë që sulmet terroriste të Parisit bëjnë që në Europën perëndimore shtetet të bashkohen më fort kundër kërcënimeve të përbashkëta, Lindja e Europës mbetet një zonë e pastabilizuar. Rusia izolon vetveten dhe ka kohë që është kthyer në një kërcënim për fqinjët e saj. Dhe Ukraina është zhytur në një luftë dërrmuese, prej nga s'po gjen më rrugëdalje. Edhe ky është një mësim i hidhur.