1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Mungesa e padurueshme e orientimit në Siri

Shpresa vdes gjithmonë e fundit. Por përballë interesave krejt të kundërta të fuqive vepruese, në luftën e Sirisë aktualisht nuk po përvijohet asnjë zgjidhje, mendon kryeredaktori i DW, Alexander Kudascheff.

Lufta, vrasjet dhe vdekjet në Siri vazhdojnë në mënyrë të paepur. Është një luftë ku gjakderdhja deri në vdekje nuk ndalet - as në vitin e pestë të luftës. Është një luftë, e cila vazhdohet me një mizori të papërfytyrueshme - në radhë të parë në kurriz të popullsisë, e cila prej kohësh mbahet peng nga të gjitha palët. Dhe tani vdiq edhe shpresa e fundit, për ta frenuar, ndoshta edhe për ta përfunduar luftën përmes negociatave midis amerikanëve dhe rusëve. Filli i bisedimeve midis Moskës dhe Uashingtonit u këput, ajo pak shpresë e fundit që kishte mbetur nuk është më.

Nuk ka perspektiva për kompromise

Që bisedimet do të dështonin - nuk dihet a mund t'i quash ato negociata - në fakt parashikohej. Sepse negociatat bazohen në përfundimin se interesat e palës tjetër duhen regjistruar dhe duhen rakorduar me interesat vetjake - për të parë a është i mundur një kompromis. Si duket puna me bisedimet për Sirinë? Rusët kanë një interes të madh: ata duan ta mbajnë në pushtet Assadin dhe krahas kësaj ta rifutin veten në lojë si aktor global, për t'u marrë seriozisht në Lindjen e Afërt. Për këtë ata nuk ndalen para as një mjeti, para së gjithash ushtarak. Assadi vetëkuptohet që kërkon të rrijë në pushtet - nuk ka asnjë interes që të bëhen kompromise, sepse çdo kompromis do të ishte menjëherë i barabartë me fundin e tij politik. Turqia nuk do që të krijohet një shtet kurd. Irani kërkon ta forcojë sundimin shiit, kurse Arabia Saudite kërkon ta pengojë. Dhe kundër të ashtuquajturit "Shteti Islamik" janë të gjithë, kur u përshtatet ushtarakisht ose politikisht.

Po Perëndimi? Para së gjithash SHBA? Ato janë të interesuara që lufta të marrë fund. Para së gjithash për shkaqe morale ato duan që masakra, sulmet ajrore të marrin fund. Por çfarë duan ato politikisht? Një Siri në kufijtë e saj të vjetër? Me ose pa Assadin? Një shtet kurd apo jo një shtet kurd? A duan ato të zhvillojnë bisedime politike me Iranin? A duan ato ta pranojnë me gjysmë zemre pozicionin e tij gjeopolitik apo jo? Dhe ta lënë për këtë politikisht mënjanë Arabinë Saudite, deri tani një faktor stabiliteti në anën e Perëndimit, por strehë shpirtërore e salafizmit - pavarësisht nga pasojat ekonomike dhe politike? Apo duan ato ta mbështesin Mbretërinë në Riad? Vetëm fakti që Kongresi Amerikan i lejoi aktpadijet e viktimave të 11 shtatorit 2001 kundër Arabisë Saudite - kundër votës dhe vetos së Obamas - tregon: Arabia Saudite nuk mund të ndihet më si partnere në Uashington. Edhe këtu morali qëndron më lart se interesi shtetëror. Kështu që nganjëherë mbetet një interes i përbashkët me gjysmë zemre: lufta kundër Shtetit Islamik.

Alexander Kudascheff

Alexander Kudascheff

Kësaj i shtohet: Obama është në fazën e fundit të mandatit të tij. Që tani ai është një "lame duck". Dhe po del në pah se SHBA janë larguar në mënyrë konsekuente nga roli i policit botëror. Obama nuk dëshiron më që SHBA të ndërhyjnë ushtarakisht, edhe sikur kjo të duket me kuptim nga ana strategjike. Thuajse pa u vënë re, ai i ka çuar SHBA në një politikë të përmbajtjes. Në këtë vakum u futën fillimisht rusët - të cilët Obama edhe i talli me përçmim dhe në mënyrë të gabuar si fuqi rajonale. Me vendosmërinë rigoroze të Putinit ato nisën që ta rikthejnë ndikimin në politikën botërore. Ato janë të vendosura që ta zbatojnë me të gjitha mjetet këtë kurs, kurse në Uashington nga ana tjetër "mungon linja e kuqe", në të cilin të nisë frenimi.

Stanjacion deri në zgjedhjet në SHBA

Ndeshja e politikës botërore do të vazhdojë vetëm pasi të jetë zgjedhur Presidenti i ri i SHBA. Deri atëherë, Putini krijon fakte në Siri, të cilat nuk mund të anashkalohen më. Megjithatë, edhe Moskës duhet t'i kujtohet se edhe në Afganistan në fillim Moska ishte e suksesshme ushtarakisht dhe politikisht, përpara se të largohej e dërmuar si humbëse dhjetë vjet më vonë nga vendi. Pra ku do të vejë Siria pas një suksesi ushtarak të rusëve dhe të Assadit? Do të bëhet ajo një Çeçeni e Lindjes së Afërme me një qetësi varreze? Apo një Afganistan i Lindjes së Afërt, të cilin terrori po e vë poshtë çdo ditë? Për momentin Perëndimit, nëse ai nuk vendos menjëherë në mënyrë strategjike që të ndjekë "politikën e frenimit", i mbetet vetëm të shohë i çoroditur vrasjet dhe vdekjet në Siri . Dhe nga pikëpamja morale kjo është e padurueshme.