1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Mungesë përgjegjësie e politikanëve në Ferguson

Gjykata e ka liruar policin, kurse Fergusoni po digjet. A mundej të evitohej kjo gjendje në Ferguson, ku u mbajt procesi për vrasjen e një afroamerikani? Politikanët lokalë janë dëshmuar të paaftë, mendon Miodrag Soric.

Në rast se nuk ka dëshmi të qarta duhet vendosur në favor të të akuzuarit. Duket se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë tepër kundërthënëse. Nuk ka pasur asnjë dëshmi të qëndrueshme se polici Darren Wilson ka shkelur ndonjë ligj me rastin e vrasjes së një një 18-vjeçari. Wilson pohon se ka vepruar në harmoni me ligjin. Fjalët e tij tingëllonin ftohtë, ndërsa ai ishte i bindur se ka vepruar si duhet. Vrasësi prezantohej si viktimë. A nuk do të ishte më mirë të kishte heshtur!

Polici i klasit të dytë

Ai hodhi edhe kripë në plagë, duke ua bërë afroamerikanëve - jo vetëm në rastin Ferguson-it - të vështirë të pranojnë vendimin e trupit gjykues. Darren Wilson me siguri që nuk është bartës simpatish. Ai personifikon atë që shumëkush mendon për ekipet amerikane të sigurisë: së pari shtien me armë e pastaj pyesin. Më e keqja është që disa prej këtyre paragjykimeve janë të vërteta.

Miodrag Soric

Miodrag Soric

Statistikat flasin me një gjuhë të përbashkët: dhuna e tepruar e policisë kundër afroamerikanëve mbetet një problem serioz në SHBA. Përgatitja e policëve në disa rajone është me mangësi. Ajo nuk u përgjigjet standardeve të vendeve të tjëra, si për shembull në Gjermani. Në Frankfurt p.sh. nuk mund të paramendohet që një polic nuk është përgatitur sa duhet për këtë punë. Pikërisht kjo ka ndodhur në shtetin amerikan Missouri. Policët e mirë për shembull, në St. Louis guxojnë të vozisin vetura për kontroll në rrugë. Ndërsa ata më pak të mirët - thënë me eufemizëm - duhet të dëshmohen në pikat problematike sociale si në Ferguson. Atje dërgohen "kujdestarët e rendit të dytë të sigurisë", të cilët edhe paguhen më dobët. Kjo me siguri që nuk motivon.

Përplasjet racore?

Vdekja e Michael Brown është më shumë se vetëm një tragjedi. Më shumë se një rast i veçantë, ku polici ka shtënë me armë zjarri më shpejt se sa duhet. Raste të ngjashme ndodhin çdo ditë diku në SHBA. Vetëm disa prej tyre vijnë në kryetituj. Rasti i Michael Brown ka më shumë potencial dhe mund të shkaktojë pakënaqësi mbi baza racore. Shumë gjëra varen prej përcaktimit të politikës ndaj këtij rasti. Në radhë të parë varet prej qëndrimeve të presidentit Obama dhe bartësve të tjerë të politikës në Washington.

Politikanët lokalë në Missouri kanë dëshmuar se nuk janë në gjendje të përballen me këtë gjendje. Guvernatori Jay Nixon nuk e dinte për shembull, në një intervistë, se kush është përgjegjës për sigurinë në Ferguson. As prokurori përgjegjës Robert P. McCulloch nuk shkëlqente. Menjëherë pas vdekjes së Michael Brown janë shfaqur shumë kritika ndaj prokurorëve. Shkaku: Babai i McCulloch ka qenë polic, të cilin e ka vrarë një afroamerikan. Ky është edhe shkaku pse McCulloch ka vendosur që të gjitha dëshmitë t'i nxjerrë para portës, sipas motos, le të vendosin ata. Më mirë do të kishte qenë sikur këtë rast të kishte marrë mbi vete një prokurori e veçantë. Por McCulloch e ka refuzuar këtë. Në fund, ai me siguri që nuk i ka bërë ndonjë shërbim të mirë vendit të vet. Të paaftë për t'u përballur me gjendjen janë treguar edhe kryetari i bashkisë në Ferguson dhe shumë politikanë të tjerë lokalë. Kjo dëshmon se votuesit në zgjedhjet e tjera duhet të votojnë disa politikanë të tjerë.

Dëshpërimi me politikën dhe drejtësinë në SHBA nuk mund të jetë një justifikim për demonstrata të dhunshme, siç i kemi përjetuar së fundi. Ai që u vë zjarrin makinave dhe plaçkit dyqanet duhet të përfundojë në burg. Edhe banorët e Fergusonit duhet të mendojnë mirë se çfarë mund të bëjnë kundër këtyre njerëzve. Prindërit e Michael Brown kanë dhënë një shembull të mirë: ata kanë bërë thirrje për qetësi dhe protesta paqësore. Ngjashëm kanë vepruar edhe përfaqësuesit e kishave, sindikatave dhe NGO-ve. Të gjithë ata kanë përgjegjësi për këto ditë të rënda në SHBA.