1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Mrekulli, çmenduri, apo të dyja?

Pse një program i tretë ndihme për Greqinë, pyet me habi Christoph Hasselbach, dhe shpreh dyshime nëse negociatat do të zhvillohen vërtet.

Koha nuk pret, po thuhet. Deri në fund të gushtit, Greqia ka për t'i shlyer Bankës Qendrore Evropiane rreth tre miliardë euro, kurse në muajin shtator 1.5 miliardë euro Fondit Monetar Ndërkombëtar. Prandaj, negociatat duhet të përfundohen më përpara.

Diçka të tillë ne e kemi dëgjuar shpesh. Edhe gjatë samitit të trazuar të BE-së në fund të qershorit u diskutua për kredi për Greqinë që ajo të shlyejë kreditë e tjera. Me fjalë të tjera, që të paguajë borxhin vendi duhet të hyjë edhe më tej në borxh.

Ky sistem shpejt a vonë do të shembet. Kjo do të thotë, kreditorët nuk do të arrijnë t'i marrin të gjitha paratë dhe do të detyrohen të nënshkruajnë dokumentin e heqjes dorë pjesërisht prej borxhit.

Barrë mbytëse

Greqia ende ka edhe pas dy programeve të ndihmave më shumë se 3 miliardë euro borxh, që sipas të dhënave të fundit të Eurostatit përbëjnë rreth 170 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Athina kryeson listën e BE-së në këtë drejtim.

Ndërsa borxhi është në rritje, ekonomia po rrudhet. Ekonomia greke pritet të rritet përsëri vetëm në vitin 2017. FMN-ja beson se pa një falje të mëtejshme të borxheve Greqia do të mbytet prej borxhit të saj, sado të favorshme të jenë rrethanat - kështu mendon edhe qeveria e majtë dhe e djathtë e Athinës.

BE-ja thekson se Greqia duhet të fillojë në shumicën e kredive të saj pagimin e interesave dhe të përqindjeve vetëm nga viti 2023. Por ajo që duhet të theksohet është se barra është mbytëse, popullsia në plakje të fortë dhe se dhe kokat më të mira po largohen nga vendi.

Shenja dhe mrekulli

Christoph Hasselbach

Christoph Hasselbach

Do të ishte pothuajse një mrekulli politike nëse negociatat zhvillohen tani. Kjo vlen fillimisht për vetë Greqinë. Qeveria e Tsipras jo vetëm i ka refuzuar deri kohët e fundit pretendimet e kreditorëve, por edhe pyeti popullin duke i rekomanduar të votonte me "jo" - gjë që edhe ndodhi pastaj me rreth 60 për qind .

Pjesa e dytë e mrekullisë politike vihet re në vendet e tjera të eurozonës. Tsipras dhe njerëzit e tij i kanë sharë këto vende, me në krye Gjermaninë, si shantazhiste; ish-ministri i Financave Giani Varoufakis i quajti madje homologët e tij edhe terroristë.

Janë pikërisht këto vende që tani duhet të paguajnë përsëri - dhe me sa duket, kjo është dhe mrekullia, edhe janë gati për këtë. Nëse të gjitha parlamentet do ta pranojnë në fund këtë këtë gjë, kjo është një çështje tjetër. Po për shembull, fakti që parlamentin tejet kritik i Finlandës ka rënë dakord për hapjen e negociatave, bën pjesë në bujarinë e mahnitshme të vendeve të eurozonës, të cilat i kanë nervat e tensionuara.

Besim i shkatërruar

Por ato ende presin për veprime nga ana e qeverisë greke, sepse pas gjithë atyre zvarritjeve, premtimeve boshe dhe marifeteve të qeverisë Cipras, do të jetë një surprizë në qoftë se tani ai e ka vërtetë seriozisht me reformat e nevojshme strukturore. Pastaj është dhe problemi i përballimit të borxhit.

Bazate negociatave aktuale për palën greke është se Athina në fund të fundit nuk ka zgjidhje tjetër. Dhe partnerët evropianë kanë vendosur në fund të fundit politikisht. Kalkulimi i tyre: një thyerje në eurozonë do të kishte pasoja ekonomike dhe politike të pallogaritshme, prandaj është më mirë për ta provuar edhe një herë me partnerin e vështirë. Por në rrugën e përbashkët është shkatërruar mjaft besim. Politikanët evropianë kanë folur në mënyrë inflacionare për një shans të fundit. Por dikur shansi i fundit vërtet që merr fund.