1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: mjeshtër i diplomacisë

Ndërroi jetë në moshën 89 vjeçare ish-ministri i Jashtëm Hans Dietrich Genscher. Ministri i Jashtëm rekord i Gjermanisë, Genscher ishte një figurë që ka formësuar historinë gjermane të pasluftës, mendon Verica Spasovska.

E ngulitur thellë në memorien kolektive të gjermanëve ka mbetur skena e famshme në ballkonin e ambasadës gjermane në Pragë, kur Genscher u thërret mijëra qytetarëve të Gjermanisë lindore, që duan të largohen: "Ne kemi ardhur për t'ju njoftuar se largimi juaj ..." Pjesa tjetër e fjalisë humbi në brohoritjet frenetike të njerëzve, që qëndronin prej ditësh në oborrin e ambasadës për të imponuar largimin e tyre nga Blloku i Lindjes.

Fjalimi në ballkon i Hans-Dietrich Genscherit ishte kurorëzimi i një mjeshtërie diplomatike, që më vonë u dëshmua se kishte qenë një hap i rëndësishëm në rrugën e bashkimit të Gjermanisë. Genscher kishte negociuar më parë largimin e qytetarëve të RDGJ-së pa u lodhur, me zgjuarsi dhe shkathtësi dhe intuitë të madhe politike. Dhe ia kishte vlejtur. Sepse largimi i refugjatëve nga ambasada e Pragës përshpejtoi procesin e erozionit të RDGJ-së në shpërbërje. Genscher e mundësoi këtë dinamikë me aftësitë e tij dipomatike.

Spasovska Verica Kommentarbild App

Verica Spasovska

Nga refugjat prej RDGJ-së në krye të politikës federale të RFGJ-së

Për ministrin e Jashtëm gjerman, i cili kishte lindur vetë në Halle të Gjermanisë Lindore, ky moment i deklaratës së tij ishte "momenti më i lumtur" i veprimtarisë së tij politike. Por në karrierën e tij politike ka pasur edhe pika rënieje, si drama e pengjeve në Lojërat Olimpike në Mynih në vitin 1972, kur nuk u arrit çlirimi i ekipit olimpik izraelit nga duart e terroristëve palestinezë. Në atë kohë Genscher ishte ende ministër i Punëve të Brendshme dhe përgjegjës për përpjekjen e dështuar për shpëtim. Kalimi pastaj në postin e ministrit të Jashtëm dy vjet më vonë hapi rrugën karrierës e tij të jashtëzakonshme politike. 18 vjet ai qendroi në detyrë, ishte edhe zëvendëskancelar, fillimisht në një koalicion me socialdemokratët nën drejtimin e Helmut Schmidt-it, pastaj nga 1982 me kristiandemokratët nën Helmut Kohlin.

Për shumë gjermanë, që jetojnë sot, Genscher, i cili qendroi gjithsej 33 vjet në Bundestag (parlament), ishte gjithmonë aty, gjithmonë i pranishëm, si diplomat i palodhur, që i binte kryq e tërthor botës me një energji të pabesueshme, për të përfaqësuar interesat e Gjermanisë. Për shkak të veshëve llapushë karikaturistët e vizatonin me humor dhe dashuri si elefant fluturues sipas "Dumbo" të Disney. Revista satirike Titanic i vë atij nofkën "Genschman" duke e krahasuar me Batmann shpëtimtarin e botërave. Gjermanët e donin Genscherin, për vite të tëra ai ishte politikani më i dashur. Edhe pse ai kishte meritën, për t'i kuptuar shanset historike dhe për t'i pranuar. Kështu me përpjekjet e tij balancuese me Evropën Lindore, sidomos me RDGJ-në dhe Bashkimin Sovjetik, ai krijoi bazën për ribashkimin e dy shteteve gjermane. Edhe pse politika e tij e ndërmjetësimit fillimisht u cilësua me tone kritike si "genscherizëm", më vonë u vlerësua.

Kritika të forta për politikën ndaj Jugosllavisë

E konstestueshme për një kohë të gjatë ishte politika e tij ndaj Jugosllavisë. Njohja e parakohshme e Kroacisë nga qeveria gjermane gjatë luftës në Jugosllavi në vitin 1991 i solli atij shumë kritika, që e cilësuan një hap të tillë si katalizator për forcat centrifugale të shtetit federal. Por në Kroaci i qenë mirënjohës për mbështetjen politike. Deri më sot atje sheshet dhe rrugët mbajnë emrin e tij.

Genscher ka qenë për dekada një faktor vendimtar në politikën e brendshme gjermane. Si një kryetar shumëvjeçar dhe udhëheqës i fortë në FDP ai i siguroi partinë së vogël liberale për dekada ndikimin masiv politik. Gjithmonë liberalët ishin vetëm pak mbi pragun e pesë përqindëshit, por për gati 30 vjet ata kanë qenë të përfaqësuar pandërprerë në qeveri si partner i vogël i koalicionit.

Se çfarë peshe ndërkombëtare kishte Genscher-i edhe shumë kohë pas tërheqjes së tij nga politika aktive, ai e dëshmoi edhe një herë në vitin 2013. Në atë kohë ai arriti të sjellë kundërshtarin e Putinit Mikhail Chordokovsky nga burg rus në Berlin. Avokatët e Chordokovsky-t i ishin lutur për ndihmë atij, mjeshtrit 86-vjeçar të diplomacisë.

Me Hans-Dietrich Genscherin ndahet prej njesh një nga politikanët më të mëdhenj gjermanë të pasluftës. Vepra e tij diplomatike do të mbetet e paharruar.