1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mirëserdhe në klub, Gjermani!

Max Hofmann15 Mars 2016

Tani është zyrtare: gjermanët janë njësoj të infektueshëm nga partitë populiste të djathta si pjesa tjetër e BE. Ai që ka dëshirë të mësojë se ç'do të ndodhë më tej, të shikojë në drejtim të Francës, mendon Max Hofmann.

https://p.dw.com/p/1ID76
Deutschland Wahlkampf Sachsen-Anhalt AfD Wahlkampfabschluss
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Wolf

Gjermania që prej këtij momenti nuk përbën më përjashtim. Për dekada të tëra, vendi më i madh i Evropës u duk se ishte imun kundër populistëve të djathtë të tipit të Front National në Francë. Në një kohë kur në Hungari e mori pushtetin Fidesz-i dhe në Poloni partia "E drejtë dhe drejtësi", kur qeveria britanike është e zënë me luftën kundër UKIP-it dhe kur FPÖ në Austri merr prej dekadash 20 përqind të votave të zgjedhësve, shumica e gjermanëve dukej se ndiqnin edhe më tej partitë tradicionale popullore si CDU-ja - pavarësisht nga ajo që bënte Kancelarja Merkel. Këto ditë tashmë i përkasin së kaluarës.

Përpjekja për të qendruar të fortë

Franca ka mbledhur ndërkohë përvoja për atë se çfarë ndodh, kur një parti e djathtë fiton në vazhdimësi më shumë se 20 përqind të votave të zgjedhësve. E nevojshme atje është për shembull që të dyja partitë e mëdha - konservatorët dhe socialistët - ta mbështesin njëra-tjetrën, për të penguar çdo forcim të pushtetit të Front National. Gjë që për zgjedhësin natyrisht i fshin dallimet midis dy partive të mëdha. Të cilat dikur kanë qenë dy pole të kundërta në sistemin politik. Por tani nuk bëhet më fjalë vetëm për çështje specifike, por për të qendruar të fortë përballë Front National. Me këtë mënyrë të përbashkët veprimi këto parti megjithatë shkatërrojnë bazën e tyre vetjake. Pra kemi të bëjmë me një akt të vërtetë vrastar për demokracinë.

Mundet që zgjedhësve gjermanë iu desh kohë më e gjatë se sa francezëve, por tani potenciali i vërtetë i djathtë u shpalos qartë, veçanërisht në disa zona. Kjo është një gozhdë tjetër në arkivol, ndoshta e fundit dhe vendimtarja, për një zgjidhje evropiane të krizës së refugjatëve. Le të hedhim njëherë vështrimin drejt Francës: presidenti François Hollande refuzoi që të pranojë një numër të konsiderueshëm refugjatësh, sepse nuk donte të hidhte edhe më tej benzinë në zjarrin që ka ndezur tashmë për këtë temë Front National. Mund të pritet që Angela Merkeli të bëjë pikërisht të njëjtën gjë - edhe nëse nuk do ta thotë, sepse me këtë do të kundërshtonte gjithçka për të cilën luftoi muajt e kaluar. Por në fund do të ndodhë saktësisht kjo.

Merkeli po kthen timonin

Kancelarja gjermane nuk mund të rrezikojë edhe më tej që të pranojë qindra mijëra migrantë dhe që të krijojë edhe më tej përshtypjen se i përmbahet e patronditur politikës së saj të dyerve të hapura. Natyrisht që ajo e di këtë dhe që prej disa kohësh në Bruksel besojnë se ajo vetëm sa thotë që i përmbahet linjës së saj të deritashme. Në të vërtetë ajo ka kohë që po e kthen timonin. Kështu ajo po lufton me të gjitha fuqitë për një marrëveshje me Turqinë, me shpresë se turqit mund ta frenojnë vërshimin e refugjatëve. Po të mos arrihet kjo, populistët e djathtë të Evropës do të përfitojnë edhe më tej nga kriza. Dhe kjo është një nga sfidat më të mëdha të BE.

Angela Merkeli e ka humbur ndërkohë krejtësisht vrullin e saj dhe mbështetjen në skenën evropiane. Por pas zgjedhjeve në tri landet gjermane, ajo është dobësuar edhe vetë në Gjermani. Megjithëse qenë zgjedhje për parlamentet e landeve, rezultatet janë regjistruar me vëmendje edhe në shtete si Hungaria dhe Polonia, të cilat prej kohësh janë kthyer në kundërshtare të politikës migratore të Merkelit. Ato tani kanë edhe më pak shkas që të bashkëpunojnë në çështjen e rishpërndarjes së refugjatëve. Kështu që e vetmja mbështetje, që mund të presë në të ardhmen kancelarja mund të jetë vetëm një rënie dashamirëse shpatullave nga presidenti francez, të shoqëruar nga fjalët: "Mirëserdhët në klub!"