1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Midis dyshimit të përgjithshëm e mospranimit të realitetit

Dita pas sulmit ndaj pasagjerëve në Würzburg e bëri edhe njëherë të qartë: shoqëria gjermane është më se e përçarë mendon Felix Steiner.

Treni i distancave të afërta ku ndodhi atentati

Treni i distancave të afërta ku ndodhi atentati

Në fakt për konceptin "terror" ekziston një përkufizim i saktë: terror është përhapja sistematike e frikës dhe tmerrit përmes aksioneve të dhunës. Mbi këtë bazë sulmi me sëpatë dhe me thikë ndaj pasagjerëve në afërsi të Würzburgut ndoshta nuk ishte fare terror. Vërtet që ndërkohë e dimë se i supozuari si afgan 17-vjeçar u ka dërguar propagandistëve të Shtetit Islamik një video, në të cilën ai bën të ditur se do të ndërmarrë një akt të dhunshëm kundër "të pafeve". Por a është e mjaftueshme kjo për tiparin e sistematikës, kur terroristët e Shtetit Islamik nuk i kanë dhënë atij asnjë detyrë - edhe nëse tani ata mburren me aktin e tij?

Koncepti terror shmanget në mënyrë konsekuente

Në përputhje me këtë, mediet gjermane atë që ndodhi në një tren të distancave të afërta pranë Würzburgut deri tani nuk e quajnë terror, por flasin për "sulm". Që kur thuhet se i riu u radikalizua brenda pak ditësh, pasi kishte dëgjuar për vdekjen e një shoku të mirë në atdhe flitet edhe për një vrapues amoku.

Problemi me këto koncepte formalisht të drejta të medieve: një pjesë jo e pakonsiderueshme e publikut gjerman nuk e kupton më këtë logjikë. Për qytetarin e zakonshëm rrjedha e dendur e atentateve të vogla dhe të mëdha, të gjitha pa përjashtim nga doras myslimanë ka pa dyshim një sistematikë - pikërisht atë që do të na bëjë ta besojmë Shteti Islamik. Prandaj te shumë vetë rritet frika (gjë me të cilën terrori e arrin qëllimin e tij) se edhe ata vetë mund të bëhen viktima të terrorit me motive islamike.

Dhe gjithmonë kur në lojë është frika, njeriu ka tendencë të veprojë në mënyrë iracionale, gjë që kuptohet veçanërisht mirë po të ndjekësh mediet sociale. Në to shihet si burim i të gjitha të këqiave hapja e kufirit në shtator të vitit të kaluar nga Kancelarja Angela Merkel. Asnjërit nuk i intereson të kujtojë se dorasi kishte ardhur në Gjermani si refugjat që në qershor 2015. Dhe që atentatorët e Nicës, Parisit dhe Brukselit qenë pa përjashtim nënshtetas francezë dhe belgë - pra problemi ka kohë që ndodhet brenda në shtëpi.

Dyshimi i përgjithshëm nuk të çon më tej

Pavarësisht nga ajo që mund të mendosh për politikën e dyerve të hapura - një dyshim i përgjithshëm kundër të gjithë myslimanëve që kanë ardhur dhe jetojnë prej kohësh këtu është në kundërshtim me çdo parim të republikës liberale të qytetarëve. Dhe me garanci nuk ndihmon në integrimin e të ardhurve, integrim i cili edhe vetëm për hir të sigurisë së brendshme dhe të jashtme duhet të ketë në të gjitha rrethanat sukses. Por mendime të tilla me sa duket janë shumë të ndërlikuara për rrjetet sociale - talljet therrëse për "brohoritësit e mirëseardhjes", "për hedhësin e arushëve prej stofi" dhe për "eleminuesit e Gjermanisë" të japin shumë më tepër kënaqësi.

E njëjta sjellje joracionale shihet edhe në anën tjetër të spektrit politik: besnikë ndaj motos "nuk mund të ekzistojë ajo që nuk lejohet të ekzistojë", secilit që tërheq vëmendjen për fenë e njëjtë të dorasve i jepet menjëherë një goditje si nazist. Ose të paktën i thuhet se me këtë që thotë u forcon krahët partive të djathta.

Në mediet tradicionale vërehet në rastin më të mirë në kolonat me letrat e lexuesve ose të përdoruesve, në mediet sociale mund ta prekësh me dorë: shoqëria gjermane që prej vjeshtës së kaluar është më se e përçarë. As guxon që ta përfytyrosh gjendjen pas një atentati me shumë të vdekur. Qëndrimin "united we stand, divided we fall" të kombeve të tjera të paktën aktualisht nuk e vërejmë këtu gjëkundi.