1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Mesazh i qartë për Erdoganin

Gjermanisë nuk mund t’i bëhet shantazh. Këtë e bën të qartë Presidenti i Bundestagut, Lammert lidhur me Bundeswehr-it në Incirlik të Turqisë. Kjo është e drejtë, mendon Sabine Kinkartz.

Kush lejohet të shkojë për vizitë tek trupat e Bundeswehr-it në bazën e NATO-s Inçirlik dhe kush jo? Për Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan kjo nuk diskutohet. Baza ajrore, e cila luan një rol të rëndësishëm në luftën ndërkombëtare kundër "Shtetit Islamik" (IS), është pronë e Forcave Ajrore Turke dhe gjendet në Turqi. Prej kësaj Erdogani pretendon të drejtën sovrane që të lejojë apo refuzojë hyrjen e vizitorëve si t’i shkojë atij për shtat.

Për parlamentarët gjermanë trau i hyrjes po qëndron i mbyllur prej gati tri javësh. Një provokim i qëllimshëm, që pasoi jo rastësisht pas rezolutës së Parlamentit gjerman për Armeninë, sipas së cilës masakrat e Perandorisë Osmane kundër armenëve para më shumë se 100 vjetësh konsiderohen si "gjenocid". A janë këto vetëm hakmarrje fëminore, apo Erdogani beson vërtet se me ndalimin e vizitave mund ta bëjë Bundestagun që ta tërheqë rezolutën?

Bundeswehri është ushtri e parlamentit

Sidoqoftë ky është një reagim politik i menduar pak, sepse në pothuajse asnjë vend tjetër, parlamenti nuk ka kaq shumë të drejta për vendimmarrje në çështjet ushtarake, si në Gjermani.

Sabine Kinkartz

Sabine Kinkartz

Bundeswehri konsiderohet si ushtri parlamentare, sepse çdo mision jashtë vendit duhet të miratohet nga Bundestagu. Këtë e kanë thënë tashmë në mënyrë të qartë një seri deputetësh. Në qoftë se tani edhe presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert, e vë në pikëpyetje qëndrimin e Bundeswehr-it në Incirlik, kjo jo vetëm se e përforcon atë që është thënë deri tani, por tregon gjithashtu se një tërheqje e Bundeswehr-it është një opsion që duhet marrë seriozisht.

Lammert është mik i fjalëve të qarta dhe në mosmarrëveshjen me Turqinë po merr pozicion të qartë tani. Në ndryshim me Kancelaren, e cila u angazhua vërtet në fundjavë në një bisedë me presidentin turk për t’i dhënë fund ndalimit të vizitave, por që edhe pse nuk pati sukses nuk do (ende) të nxjerrë konsekuenca. Aty ku Angela Merkel mbetet e paqartë, Nobert Lammert shprehet me të drejtë qartë: nëse Bundeswehri nuk është më i mirëpritur në Turqi - dhe ndalimi i vizitave nuk e sinjalizon vetkuptueshëm këtë – atëhere ai nuk do të qëndrojë përgjithmonë atje.

Incirliku u përkiste Armenëve

Megjithatë edhe Lammerti e ka – si edhe Kancelarja – të qartë se angazhimi i Bundeswehr-it kundër të ashtuquajturit "Shteti Islamik" nuk është vetëm një çështje gjermano-turke. Rreth 250 ushtarët gjermanë që marrin pjesë me avionët luftarakë dhe një avion cisternë në fluturimet e zbulimit mbi Siri dhe Irak, i duhen komunitetit ndërkombëtar. A mund t’i tërheqësh këta pra kaq lehtë? Një konflikt politik dhe moral, të cilin Erdogani e përdor me gjakftohtësi. Dhe që e bën vendimin edhe më të neveritshëm.

Prova e zjarrit do të ndodhë më e hershmja javën e dytë të shtatorit. Deri atëhere Bundestagu është ende në pushimet verore. Por pastaj ekspertët e mbrojtjes e të gjitha grupeve parlamentare duan të shkojnë së bashku për të vizituar ushtarët gjermanë në Turqi. Ata e kanë njoftuar këtë tashmë dhe kanë bërë edhe kërkesën përkatëse. Nuk do të ishte keq që deri atëhere mosmarrëveshja me Turqinë të jetë zgjidhur. Ah, edhe në fund ndoshta edhe një sqarim: territori mbi të cilën gjendet baza ajrore Incirlik sot, iu mor gjatë gjenocidit të vitit 1915 pronarëve të saj që ishin armenë.