1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel si pjesë e problemit

Christoph Hasselbach28 Tetor 2015

Kancelarja gjermane prej kohësh konsiderohet si autoritet në Evropë. Por me politikën e saj ndaj refugjatëve, ajo është duke u bërë barrë, mendon Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/1Gv99
Fotografi: Reuters/G. Bergmann/Bundesregierung

A ka në BE ndonjë temë tjetër përveç asaj të refugjatëve? Kriza e borxhit e mbajti për vite pezull BE, kur thuhej se fati i Evropës ishte në rrezik. Njoftimet e fundit se kreditorët kanë vonuar dhënien e kredive të tjera për Greqinë, sepse vendi vonon reformat, tregojnë se kjo temë është në rendin e ditës si dhe më parë. Por kujtimi i Greqisë tregon diçka tjetër: Brenda disa javësh kancelarja gjermane Angela Merkel ka humbur në mënyrë dramatike prestigjin e saj në Evropë.

Në krizën e borxheve Merkel fitoi autoritet të madh. Ajo simbolizonte respektimin e rregullave, solidaritet, por edhe përpjekjen për ecjen bashkë të Evropës. Ajo ishte e gatshme për kompromis në rast nevoje. Jo kujtdo i pëlqente politika e saj e stabilitetit, por edhe kritikët u bindën, se ilaçi i "mamasë" ishte ilaç i mirë.

Duke i vënë edhe të tjerët para përgjegjësisë

E gjithë kjo zgjati deri në fund të kësaj vere, kur Merkel reagoi ndaj fillimit të dyndjes së refugjatëve me dy fjali fatale "nuk ka kufi të sipërm" dhe "ne jemi në gjendje t'ia dalim". Ajo nuk heq dorë prej tyre as sot e kësaj dite. Këtyre iu shtuan edhe selfie me refugjatët dhe vendimi i saj për të mos i respektuar më rregullat e Dublinit. Gardhet kundër refugjatëve janë për të jo vetëm të padobishëm, por edhe të dënueshëm. Humbjen e kontrollit të shtetit mbi kufijtë e vet, ajo e pranoi me ngritje supesh. Dhe sikur kjo të mos ishte e gjitha, ajo doli para evropianëve të tjerë duke e deklaruar pikëpamjen e saj personale si të vetmen pikëpamje morale korrekte.

Christoph Hasselbach
Christoph HasselbachFotografi: DW/M.Müller

Me fjalë të tjera: Partnerët europianë duhet të ndihmojnë Gjermaninë për të përballuar pasojat e një politike, për të cilën Merkel mban përgjegjësinë e saj. Në fakt askush nuk thotë se Merkel është përgjegjëse për dyndjen e refugjatëve. Por joshjen drejt Europës ajo e ka forcuar në mënyrë të konsiderueshme duke i vënë para përgjegjësisë edhe vendet e tjera evropiane kundër vullnetit të tyre.

Arroganca gjermane

Ja doli përsëri, arroganca gjermane, edhe pse në luftën për një qëllim fisnik. Që atëherë Merkeli përjeton në takimet me homologët e saj europianë vetëm refuzim të akullt. Përkrahësit e pakët, si presidenti francez Hollande, përsëritin vetëm premtime boshe. Kryeministri hungarez Orban tha madje hapur se fluksi i refugjatëve është "problem gjerman" dhe e ka rrethuar vendin e tij. Pas rrëshqitjes politike djathtas në Poloni edhe që andej nuk mund të priten më lëshime. Madje edhe kryeministri suedez Lëfven po bie gjithnjë e më shumë nën presion për të mbyllur kufijtë. Ndërkohë nuk ka mbetur më asgjë nga uniteti evropian. Secili përpiqet për të shpëtuar veten, nëse është e nevojshme në kurriz të tjetrit.

Kancelarja mund të ndjehet se ka të drejtë moralisht - por ajo është e izoluar në politikën ndaj refugjatëve në Europë. Në politikën financiare ajo ka qenë në gjendje të ndikojë me qëndrimet e saj, për shkak se shumica në Evropë me gjithë dhimbjen besonin në këtë politikë. Por me idetë e saj për një pranim të pakufi të refugjatëve ajo ka tashmë kundër vetes jo vetëm shumicën në Gjermani, por edhe një shumicë të madhe në Evropë. Kundër tyre në fund të fundit nuk mund të bësh politikë. Tragjedia personale e Merkelit është se ajo rrezikon të humbasë autoritetin e saj të madh, që ka ndërtuar në Evropë.