1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Merkel i kundërvihet Putinit

Kancelarja Angela Merkel në deklaratën e saj qeveritare për Partneritetin në Lindje të BE-së, përshkroi edhe një element kyç të politikës së re gjermane ndaj Rusisë, mendon Ingo Mannteufel.

default

Fjalët vendimtare për Rusinë Kancelarja Angela Merkel i tha vetëm në fund të deklaratës së saj qeveritare për Partneritetin në Lindje të BE-së, të hënën (18.11.2013). Pasi foli gjatë për shanset që ofron për një vend të Partneritetit në Lindje, arritja e një marrëveshje Asociimi dhe Tregtie të Lirë me BE-në, ajo formuloi fjali, që duhet të kenë ngjallur irritim në Kremlin dhe Ministrinë e Jashtme ruse.

Kancelarja Merkel i bëri thirrje Rusisë, të mos ushtrojë më trysni ndaj Ukrainës, Gjeorgjisë apo Moldavisë në lidhje me afrimin me BE-në. Ajo shtoi me fjalë shumë të qarta: "Vendet vendosin vetë. Nuk mund të ketë të drejtë vetoje të të tretëve." Për t'i dhënë kësaj deklarate politike edhe një kornizë ligjore, Merkel tërhoqi vëmendjen se parimi i mosndërhyrjes është edhe pjesë e Kartës së OSBE-së të nënshkruar nga Rusia, për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë.

Asnjë vëmendje për interesat ruse

Fjalitë e Angela Merkelit ndoshta nuk tingëllojnë edhe aq të veçanta në veshë gjermanë, pasi në Gjermani e drejta e shteteve sovrane si Ukraina, Gjeorgjia apo Moldavia, për të vendosur të pavarur nëse dhe në ç'formë të afrohen me BE-në, është maksimë e gjithëpranuar e politikës.

Por në veshë rusë, këto fjalë të Angela Merkelit, të cilat ajo i ka peshuar me siguri mirë, duhet të kenë tingëlluar në mënyrë të veçantë. Pasi në qarqet politike të Moskës shihet si vetëkuptueshmëri që ish republikat sovjetike, e para së gjithash Ukraina, të orientohen drejt Bashkimit Doganor dhe Bashkimit Euro-aziatik, të iniciiuar nga Rusia. Kjo u thuhet pa ndërprerje njerëzve në Rusi dhe shtetet fqinje përmes medieve shtetërore ruse. Dhe qeveritë e këtyre shteteve muajt e fundit janë nën trysni masive politike dhe ekonomike. Në rastin e Armenisë trysnia ka dhënë tashmë rezultate: Jerevan njoftoi së fundi se do t'i bashkohet Bashkimit Doganor të dominuar nga Rusia, dhe pra kundër marrëveshjes së asociimit dhe tregtisë së lirë me BE, për të cilën ishte negociuar.

Në foto, Ingo Mannteufel

Në foto, Ingo Mannteufel

Deklarata qeveritare e Merkelit para Bundestagut, me fjalë të qarta kundër kësaj politike të jashtme ruse me tone neo-imperialiste, është një sinjal i qartë për Moskën dhe Putinin. Madje më shumë se kaq: prapa saj duket se qendron një element kyç i politikës ndaj Rusisë të një qeverie të re gjermane.

Politika gjermane ndaj Rusisë në mandatin e tretë të Putinit

Me rikthimin e Vladimir Putinit në zyrën e presidentit, në politikën gjermane ndaj Rusisë pati fillimisht një kthim në realitet dhe tani një riorientim. Kancelarja Merkel vërtet nuk u mbështet kurrë në parimin e paraardhësit të saj në detyrë Gerhard Schröder, sipas të cilit Gjermania duhet të jetë "një avokat i Rusisë në Evropë". Por edhe ajo është përpjekur që të krijojë në Evropë mirëkuptim për interesat ruse.

Shembulli më i mirë ishte samiti i NATO-s në Bukuresht në prill 2008, kur Kancelarja Merkel së bashku me ish-Presidentin francez Nicolas Sarkozy, refuzuan planin e Presidentit të atëhershëm amerikan George W. Bush, për pranimin në NATO të Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Kjo u vlerësua nga të gjitha palët si respektim nga Gjermania i interesave ruse, edhe pse ky qëndrim politik duhet parë më shumë në kontekstin e shpresave për një epokë të re mes Rusisë dhe Perëndimit, me zgjedhjen e Dimitri Medvedevit president. Por ajo kohë ka marrë fund.

Euforia gjermane për Medvedevin prej kohësh ka avulluar. Realiteti rus shihet me kthjelltësi dhe pragmatizëm. Mandati i tretë presidencial i Putinit në Gjermani shihet i lidhur me një politikë të brendshme represive dhe një politikë të jashme neo-imperialiste. Kancelarja gjermane Merkel e bëri me të drejtë të qartë në deklaratën e saj qeveritare, se ky këndvështrim ndahet edhe nga Zyra e Kancelares dhe se politika gjermane ndaj Rusisë do t'i kundërvihet këtyre tendencave.