1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Me hov të ri për Evropën?

Ekipi është gati. Tani presidenti i ri i Komisionit të BE, Jean-Claude Juncker, mund të punojë. Për të rëndësi ka kryesisht ekonomia, mendon Bernd Riegert. Por çudi nuk mund të priten.

Jean-Claude Juncker është ndër njerëzit me lidhjet më të shumta në Evropën politike. Ai i njeh të gjithë dhe të gjithë e njohin atë. Me shumicën e aktorëve të rëndësishëm politikani kristiansocial në njëzet vitet e fundit ka arritur ndonjë marrëveshje dhe ka bërë kompromise. Ai ka më shumë kohë në Strasburg se çdokush tjetër. Si kryetar i Eurogrupit për një kohë të gjatë, ai i njeh ulje-ngritjet e politikës monetare dhe ekonomike evropiane. Juncker nuk ka frikë nga të medhenjtë në BE. Ai flet hapur edhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel, apo me presidentin e Francës, Francois Hollande. Këto janë predispozita thelbësore për këtë detyrë madhore, që duhet të marrë Juncker, i cili do të mbushë së shpejti 60 vjeç.

Kompromisi i Junckerit: Të investohet pa borxhe

Komisioni Juncker do të merret kryesisht me ekonominë dhe gjallërimin e koniunkturës. BE ndodhet ende në një krizë ekonomike, edhe pse rajone të tjera të botës i kanë kapërcyer me kohë pasojat e krizave financiare të viteve 2008 dhe 2009. Juncker i thotë jo si masave të rrepta të kursimit, ashtu edhe krijimit të borxheve. Kjo është tipike për të. Ai kërkon një rrugë të mesme midis recetës gjermane dhe asaj franceze. Kompromisi i tij është, investo pa borxhe të reja. 300 miliardë euro do të nxjerrë ai kështu deri në fund të vitit. Ky është një synim ambicioz. Se si do ta rrijë këtë, Juncker nuk e tregoi në fjalimin e tij hapës. Komisioni i ri i BE duhet të kujdeset për një riindustrializim të Europës, pa hequr dorë nga standartet sociale, apo të mbrojtjes së klimës. Kjo duhet të funksionojë pa borxhe shtesë, apo sakrifica finaciare për taksapaguesit në vendet anëtare. Suksesi i Jean-Claude Juncker do të shihet, nëse ai arrin të kapërcejë hendekun e thellë midis atyre, që frenojnë borxhin me në krye Gjermaninë dhe atyre, që bëjnë më tepër borxhe me në krye Italinë dhe Francën. Ai thotë për veten, se ka për të qenë një "makinë kompromisi".

Jean-Claude Juncker, i cili fillimisht e synonte disi me hezitim këtë post, pas zgjedhjeve europiane, gjatë verës, ka mbledhur energji të reja dhe vjen me vrull të ri. Kjo mund t'i shërbejë që të duket më bindës se paraardhësi i tij, Jose Barroso. Portugezi ishte shumë i varur nga kryetarët e qeverive konservatore, sidomos nga kancelarja gjermane Merkel. Në Bruksel ka nga ata, që shpresojnë të shohin një Jacques Delors të ri, shefin legjendar të komisionit, i cili nxiti reformat e thella në vitet 1980-të. Por BE është sot shumë më kompleks se para 25 vjetësh. Pushteti i Komisionit të BE mbinacional është pakësuar në strukturën e institucioneve. Këshilli, përfaqësia e shteteve anëtare, dhe Parlamenti Europian mund ta drejtojnë Komisionin e BE më shumë se dikur. Juncker natyrisht që nuk mund të punojë i pavarur nga kryetarët e shteteve dhe qeverive, por ai mund të shfrytëzojë më mirë mundësitë e tij se sa Barroso.

Gjetja e përgjigjes për skepticizmin ndaj Evropës

Juncker nuk është i vetëm. Ai ka 27 komisarë, që janë të dërguarit e shteteve anëtare, që kanë kualifikime shumë të ndryshme. Presidenti do ta bëjë punën e ekipit më efikase me anë të shtatë zëvendëspresidentëve dhe të një strukure komplekse grupesh pune. Ky është një eksperiment interesant. Nëse do të ketë sukses, këtë nuk mund ta thotë sot askush. Jean-Claude Juncker ka shumë përvojë, por për të drejtuar një dikaster me 30.000 punonjës, i duhet të mësojë ende. Deri tani ai ka qenë kryeministri i një shteti liliput, ku secili njeh secilin. Luksemburgu nuk ka më shumë se 500.000 banorë. Tani ai përgjigjet për 500 milionë njerëz.

Shefi i ri i Komisionit mund të mbështetet në faktin se është zgjedhur si kanditati kryesor nga një proces demokratik në zgjedhjet evropiane. Ai dëshiron të minimizojë burokracinë dhe t'u bëjë të qartë njerëzve, se përse atyre u nevojitet BE. Kjo është shumë e nevojshme për shkak të prestigjit të ulët të BE në shumë vende anëtare. Testi i vërtetë do të jetë, nëse Juncker do të mund të mbajë Britaninë e Madhe në Bashkimin Europian. Ai duhet të gejë një përgjigje për skepticizmin ndaj Evropës jo vetëm në Britaninë e Madhe, por edhe në Francë, Itali, apo Hungari. Kushtet për këtë nuk janë të mira, sepse qoftë qeveria britanike ashtu edhe ajo hungareze e kanë refuzuar dhelprën e vjetër nga Luksemburgu.