1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Marrëveshje historike me Iranin

Marrëveshja në grindjet rreth programit atomik iranian hap mundësi të shumta. Por duhet vepruar shpejt, sepse edhe kundërshtarët janë shumë të fuqishëm, mendon Jamsheed Faroughi.

"Deal or no Deal", kjo pyetje është shtruar 12 vjet me radhë! Bota ka parë me shumë vëmendje drejt Lozanës, ku shpresa dhe frika nga dështimi ishin shumë afër mes tyre. Më në fund një lajm i mirë, për një rajon, ku lajmet e mira janë shumë të rralla. Marrëveshja për programin atomik iranian është pa dyshim një moment historik, jo vetëm për Iranin dhe këtë rajon, por edhe për tërë bashkësinë ndërkombëtare. Por marrëveshja në Lozanë duhet shijuar me shumë kujdes. Sepse djalli fshihet në detaje.

Fitorja e arsyes

Nuk ishte hera e parë që negociatat për programin iranian atomik mbahen në një nivel të lartë. Ato sërish ishin një lojë poker dhe në fund kishte vetëm dy letra: "Zgjidhja Win-Win", apo "Katastrofa Lose-Lose". Arsyeja fitoi.

Kjo ishte një lojë shumë serioze me çështjet më të rëndësishme që mund të kenë pasoja për politikën botërore. Fakti që politikanët më të rëndësishëm janë marrë kaq gjatë me këtë çështje, tregon shumë qartë rëndësinë e negociatave për vendet me të drejtë vetoje në KS të OKB dhe për Gjermaninë, por jo së fundi edhe për vet Iranin.

Kur filloi pokeri në Lozanë, ministri i Jashtëm amerikan John Kerry dhe homologu i tij iranian Mohammed Dschawad Sarif e kanë ditur shumë mirë se nga takimi nuk duhet të dalin duarbosh. Detyra e tyre ishte shumë e qartë - të negociohet deri në gjetjen e një zgjidhje. Dhe pikërisht këtë e bënë. Tani është arritur një marrëveshje bazë. Por sa ia ka vlejtur angazhimi? A është ky rezultati që është synuar në negociatat mes Iranit dhe Perëndimit? Përgjigja e qartë është: Po!

Marrëveshja tepër e rëndësishme

Për pushtetmbajtësit në Iran, marrëveshja vjen në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ekonomia vendore po vuan pasojat e sanksioneve. Gjendja financiare ka ngecur ndjeshëm. Inflacioni e ka dobësuar shumë aftësinë blerëse të popullatës. Papunësia dhe mungesa e perspektivës i kanë dëshpëruar shumë të rinjtë. Jo së fundi, edhe mundësia e një lufte të re kundër një aleance të shteteve arabe të udhëhequra nga Arabia Saudite, e ka detyruar Iranin t'i thotë po negociatave.

Sitauta është shumë serioze. Pas sulmeve ajrore të rebelëve Huthi në Jemen, lufta mes Arabisë Saudite dhe Iranit është futur në një fazë të re. Lufta për pushtet në Jemen ka një potencial që të përfshijë gjithë rajonin e Lindjes së Afërt. Ndërkohë që Jemeni është një fushbetejë e një lufte shumë më të gjërë e tërë rajonit.

Puna e madhe pritet

Dështimi eventual i negociatave do të forconte pozicionet e kundërshtarëve. Këtë e kanë pasur të qartë edhe qeveria iraniane si dhe udhëheqësi më i lartë Ayatollah Khamenei. Ngutia diplomatike e marrëveshjes me Iranin është edhe suksesi më i madh në politikën e jashtme i presidentit Barack Obama. Por puna e vërtetë vjen më vonë. Negociatat në Lozanë paraqesin ndoshta zgjidhje për konfliktin në çështjen e programit atomik iranian. Por theksi është tek "ndoshta". Sepse kundërshtarët kanë vetëm tre muaj kohë për t'i arritur të gjitha, apo për të dështuar.

Pas bërjes publike të lajmit të rëndësishëm nga Lozana, ndër të parët me fjalë është lajmëruar kryeminsitri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili e kritikoi ashpër ate. Por Netanjahu nuk është kundërshtari i vetëm. Nuk duhet harruar edhe letrën e 47 senatorëve amerikanë, të cilët kanë kërcënuar me pezullimin e marrëveshjes pas epokës së Obamës.

Edhe fuqitë rajonale si Arabia Saudite, Turqia dhe Egjipti janë deklaruar shpesh kundër marrëveshjes me Iranin, sepse marrëveshja mund të sjellë deri tek afrimi politik i Teheranit dhe Uashingtonit si dhe kthimi i Iranit në bashkësinë ndërkombëtare. Pikërisht këtë ata duan të evitojnë. Por marrëveshja e pritur gjatë duhet të realizohet sa më parë, sepse kundërshtarët janë të shumtë dhe të fuqishëm.

DW.COM