1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Marrëveshja me Iranin jo me çdo çmim!

Duket se SHBA po bëjnë gjithçka të mundshme, për të mos lejuar që të dështojnë negociatat bërthamore me Iranin. Por me një marrëveshje të çfarëdo çmimi qoftë, nuk është fituar, mendon Gero Schließ.

Në fillim Perëndimi kërkonte që Irani ta ndalojë plotësisht pasurimin e uraniumit. Përveç kësaj të mos ndërtonte raketa, me të cilat mund të dërgohej ndonjë bombë atomike në vende të largëta. Këto pretendime janë braktisur ndërkohë. Në Lausanne pesë anëtarët e KS të OKB-së dhe Gjermania po përpiqen ta mbajnë larg Iranin së paku për një vit nga mundësia për të ndërtuar bombën atomike. Kjo për të fituar kohë, që nëse Irani e shkel marrëveshjen, ndërtimi i bombës të parandalohet përmes sanksioneve ekonomike, ose aksioneve ushtarake. Por Irani është një negociator i vështirë. Këtë e tregoi së fundi me kthesën e papritur me dërgesat e uraniumit të pasuruar në Rusi, tashmë të pranuar. Shumë shpesh ky vend e ka mashtruar perëndimin.

Por duket sikur presidenti amerikan Barack Obama e do marrëveshjen pothuajse me çdo kusht. Papritur nuk është më esenciale, që Irani dërgon materialin bërthamor në Rusi. Edhe përsa i përket parashikimit për afatin e marrëveshjes, SHBA janë të kënaqur me sa duket me 10 vjet, ndërsa francezët këmbëngulin për 15 vjet. Dhe tani pranojnë që të kalojnë në zgjatjen e negociatave, përtej afatit të vendosur nga vetë ata deri me 31 mars, që të arrijnë një marrëveshje politike, për të cilën dihet që tani, se pika të rëndësishme do të lihen detyrimisht për një marrëveshsje finale.

Obama lufton për sukses në politikën e jashtme

Gero Schließ

Gero Schließ

Presidenti Obama në dy vitet e mbetura nga mandati i tij lufton për trashëgiminë në politikën e jashtme. Shumë nuk i mbetet, duke patur parasysh agjendën e politikës së jashtme me shumë dështime. Le të kujtojmë: Obama nuk mundi të vërë kapital politik as nga "pranvera arabe" dhe as kinezët nuk e pranuan dorën, që i shtriu ai. Misioni i paqes në Lindjen e Mesme i ministrit të Jashtëm Kerry përfundoi në katastrofë dhe se çfarë është bërë nga fillimi i ri me presidentin e Rusisë Vladimir Putin, i ashtuquajtur "reset", duket çdo ditë në Ukrainë.

Marrëveshja bërthamore me Iranin është projekti i fundit me prestigj i mbetur në politikën e jashtme, që mund të vlente si trashëgimi. Shumë gjëra janë në lojë. Një Iran me armatosje bërthamore mund të prishte ekuilibrin global të pushtetit midis fuqive ekzistuese bërthamore, ndër të cilat përveç Pakistanit dhe Indisë, bën pjesë edhe Izraeli. Në rrugën drejt një bombe bërthamore iraniane, Izraeli mund të ndjente nevojën për sulme parandaluese ushtarake. Rivali kryesor i Iranit Arabia Saudite do të bënte gjithçka për t'u bërë vetë fuqi bërthamore.

Si fuqi rajonale Irani e ka sjellë tani veten në një pozicion frontal të rrezikshëm duke sfiduar fuqinë udhëheqëse Arabinë Saudite. Siria, Iraku dhe tani edhe Jemeni, janë vendet, kur Irani dhe sauditët luftojnë për supremaci në rajon.

Marrëveshje me një perspektivë interesante

Sigurisht një marrëveshje do të kishte potencialin, për të ndryshuar dinamikën në të gjithë rajonin e Lindjes së Afërt dhe të Mesme, për të mirë, ose për të keq. Por në Shtëpinë e Bardhë optimistët janë në shumicë: Me sa duket janë në gjendje të imagjinojnë një botë, në të cilën një Iran bërthamor i zbutur do të bëjë vetëm gjëra të mira: të luftojë nën udhëheqjen e SHBA-së kundër të vëtëshpallurit „Shteti Islamik“ , ta detyrojë diktatorin Asad të japë dorëheqjen, të mbajë larg Hamasin dhe Hizbollahun nga sulmet terroriste kundër Izraelit, të nxisë Huti-t shiitë në Jemen për të njohur presidentin e deritanishëm dhe të heqë dorë nga çdo gjë, që destabilizon rajonin.

Do të ishte e dëshirueshme të ndodhte kështu. Ndoshta një Iran i pranuar sërish në komunitetin ndërkombëtar do të luajë me të vërtetë një rol konstruktiv në konfliktet e rrezikshme rajonale. Kjo është një perspektivë interesante, që nuk mund të lërë askënd indiferent. Por tani duhet arritur një herë një marrëveshje, që mban, me një regjiment të fortë inspektimesh dhe me kërcënime të sakta për sanksione, në rast se Irani mashtron.

Kush do që ta arrijë këtë, nuk duhet të zgjojë përshtypjen, se dëshiron një marrëveshje me çdo çmim qoftë!