1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Marrëdhëniet Bruksel - Ankara, as mish dhe as peshk

Meqë ministrat e Jashtëm të BE-së duan të hapin një kapitull të ri në negociatat e pranimit me Turqinë, marrëdhëniet mes Brukselit dhe Ankarasë janë në ujëra të qeta - të paktën tani për tani, mendon Baha Güngör.

default

 Diplomacia e BE-së është e njohur për atë që gjithmonë në fund gjen një kompromis në situatat e krizave, kompromis i cili ndonjëherë pranohet jo me shumë dëshirë nga të gjitha palët e përfshira në mosmarrëveshje. Kështu ndodhi edhe me marrëdhëniet e vështira mes BE-së dhe Turqisë që tani për tani u manovrua me mençuri në mënyrë taktike në ujëra të qeta.Theksi bie mbi "tani për tani", për shkak se është shmangur rreziku i shpërthimit të një krize të madhe në kohën e tashme, por ajo nuk është zgjidhur përfundimisht.

Kush beson ende seriozisht në Gjermani dhe Evropë, por po ashtu edhe në Turqi, se qëllimi i shtetit turk - anëtarësimi në BE është arritur në të vërtetë? Turqia, si një anëtar i BE-së refuzohet ndër të tjera edhe nga qeveria gjermane e cila është shumë e përfshirë në çështjet turke. Në programin zgjedhor të partive të Unionit kjo justifikohet me madhësinë e vendit me 75 milion banorë, strukturat ekonomike dhe me mbingarkesën e BE-së. 

BE-ja mund ti bjerë gjoksit me krenari

Por krejt pa Turqinë nuk mund të bëjë as BE-ja ashtu siç nuk mund të bëjë as Turqia pa BE-në. Bëhet fjalë për interesa bilaterale ekonomike dhe për miratimin e çështjeve të politikës së jashtme dhe të sigurisë me Turqinë në një rajon veçanërisht të vështirë. Prandaj, BE-ja më në fund u pajtua me propozimin e Berlinit për një marrëveshje me Ankaranë.

Por çfarë është vendosur konkretisht? Me hapjen e një kapitulli tjetër nuk do të ndërpriten negociatat e pranimit me Turqinë. Megjithatë, diskutimet aktuale për Kapitullin 22 (Politika Rajonale) janë shtyrë për një datë në vjeshtë, pas raportit të ardhshëm të progresit për Turqinë.

 BE-ja mund të rrahë tani gjoksin me krenari dhe të pretendojë se i ka treguar kufinjtë  kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan pas veprimeve brutale të policisë kundër protestuesve në Turqi të cilët protestojnë qysh prej katër javësh kundër stilit qeverisës të kryeministrit.

Erdogan do të përfitonte nga një prishje me Evropën

Güngör_Baha.jpg

Baha Güngör

Por Erdogani mësimin për stilin e tij të qeverisjes - i cili përfshin edhe injorimin e çdo opozite, nuk do ta mbajë për vete. Nuk  mund të parashikohet se kur, si dhe në çfarë mase ai do të nisë zhurmën kundër BE-së. Nëse ai në këtë mënyrë nuk do të qëllojë në objektiv, kjo mbetet për t'u parë.

Vazhdimi i negociatave të pranimit me Turqinë në këste është kështu  as peshk  e as mish. BE-ja ka vendosur shumë kurthe në mënyrë që në fund t'ia hedh fajin Erdoganit. Në qoftë se ai vendosë për të bërë kërcënime kundër BE-së - gjë që ai e ka bërë në të kaluarën shpesh - atëherë Bashkimi Evropian mund të tërhiqet me qetësi dhe të bëjë Erdoganin përgjegjës për krizat e mëtejshme në marrëdhëniet midis Brukselit dhe Ankarasë.

BE-ja nga njëra anë tani ka penguar që të këputen bisedimet mes saj dhe Turqisë. Por njëkohësisht Erdogani ka bërë gati gërshërët e tij.  Duke pasur parasysh ithtarët e tij fetarë-konservatorë dhe anti-evropianë, Erdogan do të përfitonte nga një prishje me Evropën. Humbësit do të ishin pastaj lëvizjet e forcuara kohët e fundit për demokraci, lirinë e fjalës dhe të shtypit si dhe për të drejtat individuale dhe institucionale në Turqi.

BE-ja duhet të qëndroj me ndershmëri dhe vendosmëri pas vazhdimit të procesit të afrimit të Turqisë me Evropën. Nëse kriza midis Brukselit dhe Ankarasë nuk do të shmanget më, atëherë nuk do të mund të hapet kapitulli i ardhshëm mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore të njeriut. Me hapjen e këtij kapitulli evropianët do të ishin të pranishëm me zërin e tyre në zhvillimet e mëtejshme në Turqi, të cilat janë në kundërshtim me shtetin modern juridik. Prandaj nuk duhet të ketë mendime të ndryshme në lidhje me pasojat fatale të një prishjeje në mes të Evropës dhe Turqisë, duke marra parasysh ngjarjet e fundit.