1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Macroni fiton po të modernizohet Franca

Emmanuel Macroni duket se ka për gjithçka dorë të mbarë. Thuajse pa mundim ai arriti të sigurojë një shumicë deputetësh në Parlament. Por reformimi i Francës megjithatë do të jetë i vështirë, mendon Barbara Wesel.

Ai duket si personifikimi i njeriut me fat në politikë - i pajisur me një instinkt të mirë, me arsye të shpejtë dhe me këshilltarët e duhur. Asnjëherë më parë ndonjë president francez nuk ka pasur një fillim të tillë kaq të bujshëm. Përzgjedhja e kabinetit të tij, daljet e para në skenën ndërkombëtare, dhe së fundi në suksesi në zgjedhjet për Asamblenë Nacionale, i cili si të thuash i ra atij direkt në prehër - duket sikur Emmanuel Macroni është në gjendje të ecë edhe mbi ujë. 

Pemët e Macronit nuk rriten pafundësisht drejt qiellit

Megjithatë: në sondazhe shpresat qenë edhe më të mëdha. U fol për mbi 400 vende në Asamblenë Nacionale, për një shumicë prej 2/ 3 të votave dhe për asgjësimin thuajse të çdo opozite. Por në fund kjo nuk u arrit: Emmanuel Macroni fitoi një shumicë solide, e cila do t'ia lehtësojë qeverisjen. Kjo në një kohë kur pjesa e centristëve përmban edhe bërthamën e grindjes së ardhshme. Por francezët nuk i japin Macronit një çek të bardhë, edhe ky mesazh është i qartë.

Kaq shumë fillim nuk ka pasur asnjëherë në politikën franceze, por po kaq i madh është edhe potenciali i kaosit. Ka shumë të rinj në politikë dhe kaq shumë parlamentarë që i kanë ndërruar partitë në bandën kaotike të Macronit, sa ata mund t'ia vështirësojnë jetën kryeministrit të tij. Ai duhet t'u mësojë atyre atë që quhet disiplinë grupi parlamentar. Dhe veç kësaj, lëvizja politike "En marche" duhet të shndërrohet në një parti. Kjo nuk pritet të kalojë fare pa konflikte dhe disa mandate edhe mund të humbasin në këtë proces.

Startim në përditshmërinë politike

Që të hënën në mëngjes nis përditshmëria politike. Presidenti i ri nuk duhet t'i bindë më francezët për personin e tij, por për planet dhe reformat e tij. Dhe në rastin e francezëve kokëfortë kjo është tradicionalisht e vështirë. Çdo qeveri pak a shumë ka dështuar për këtë në dekadat e fundit. Para luftës në rrugë dhe grevave të përgjithshme në fund të gjithë e kanë ulur kokën, ose i kanë zbutur planet e tyre derisa nuk njiheshin më, siç bëri Presidenti pa fat, Francois Hollande. 

Por Emmanuel Macroni nuk mund t'ia lejojë vetes një tërheqje. Emri dhe suksesi i tij qendrojnë dhe bien nga fakti nëse mund të modernizohet vendi dhe mund të vihet në rrugë ekonomia. Dhe kjo nga ana e saj varet nga fakti nëse do të arrijë ai në mënyrë të vazhdueshme t'i ndalojë bashkëkombasit e tij që të dalin në barrikada, kur u merr atyre pjesë të sigurimeve të tyre sociale. Presidenti duhet të gjejë këtu balancën e vështirë midis dhomës së ngrohtë shtetërore, e cila mbyt inisiativën dhe konkurencën dhe radikalizmit të ftohtë të tregut, i cili nuk do të ketë kurrë një mbështetje me shumicë në Francë. Në thelb bëhet fjalë për reforma socialliberale, por të cilat luftohet njësoj si vepër djallëzore nga të majtët e ngurtë, nga socialistët që kanë mbijetuar dhe nga Front National ekstremist i djathtë. Dhe si majë heshte e kësaj lufte e shohin veten edhe njëherë më tepër mbështetësit e vijës së fortë tek sindikatat. Do të pasojë një provë force për Presidentin, nëse ai do të jetë në gjendje që ta thyejë këtë qark, dhe kjo provë pritet që këtë verë.