1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: më pak ligje në Evropë - e lehtë të thuhet, e vështirë të bëhet

Evropa në të kaluarën i ka vënë shumë rregulla vetvetes. Por të ankohesh për to është më e lehtë se sa t'i shfuqizosh. Dhe disa ligje janë sidoqoftë edhe të rëndësishme, mendon Barbara Wesel.

Komisioni i ri i BE-së ka premtuar se nuk do t'i nevrikosë në të ardhmen qytetarët e Evropës me rregulla shumë të hollësishme. Zhburokratizim quhet termi dhe çdo njohësi të politikës evropiane i vijnë menjëherë në mendje disa dhjetëra shembuj për këtë. Shumë prej tyre janë aq të konsumuar sa prej kohësh nuk duhet të përmenden më, si p.sh. rregulli se sa i shtrembër lejohet të jetë një kastravec. Por nuk ka nevojë të jesh armik i Evropës për ta vlerësuar si marrëzi idenë një rregulli për mbrojtjen nga dielli për punëtorët në ndërtim apo të ndalimit të këpucëve me taka për punonjëset e floktoreve.

Gjëra kaq specifike çdo vend anëtar mundet në fund të fundit t'i rregullojë vetë në direktivat për mbrojtjen në vendin e punës, nëse do. Ngjashëm ndodh edhe me kursimin e rrymës: BE duhet të përcaktojë objektiva dhe rregulla dhe t'i detyrojë vendet anëtare t'i respektojnë ndryshe edhe 50 vjet të tjerë nuk do të ndodhë asgjë. Nga ana tjetër: ndalimi i llambave tradicionale inkandeshente si gllabërues të energjisë i ka kushtuar shumë kapital politik Brukselit - nëse kjo është në raport me efektin e dëshëruar tek kursimi i energjisë mbetet e hapur.

Komisioni i BE-së do më pak ligje

Ndërkohë diskutimi për pllakat ngrohëse të makinave të kafesë, fuqinë e fshesave me korrent apo atë të tharëseve të flokëve mund të shihen si dhuratë për karikaturistët dhe autorët e fejtonëve dhe pra si mbështetje për artet në Evropë. Por shaka të tilla duhet të marrin fund, ky është premtimi i Komisionit Evropian. Ai synon ta kufizojë në rregullat e domosdoshme legjislacionin dhe për këtë arsye do ta çlirojë punën e tij që në fillim nga disa pesha të vjetra. Për këtë zv/presidenti Frans Timmermans, njeriu për punët e pakëndshme në Komision e BE ka drejtuar sëpatën në shkurren e projektligjeve dhe do të hedhë disa prej tyre në koshin e historisë: p.sh. rregullin për mbetjet urbane, për të cilit polemizojnë prej vitesh Këshilli dhe Parlamenti. E njëjta gjë vlen edhe për kufijtë e rinj për ndotjen e ajrit apo unifikimin evropian të rregullave për mbrojtjen e grave shtatzëna.

Këto projektligje në formën e planifikuar nuk mund të zbatohen, zënka për to është e pazgjidhshme, thotë Komsioni, pra ato duhet të bien plotësisht apo të ndryshohen. Për këtë gëzohen si fillim të gjithë që i shohin rregullat për mbrojtjen e mjedisit si një pengesë të panevojshme për sipërmarrjet. Por mbrojtësit e mjedisit hidhen në barrikada dhe paralajmërojnë se rregullat për riciklimin e makinave të vjetra, mbetjeve elektronike apo baterive janë të domosdoshme për një të ardhme të shëndetshme të Evropës. Në fund të fundit industria ka treguar se i hedh pa problem në ujërat nëntokësore kimikatet helmuese, nëse askush nuk tregon kujdes.

Objektivi është i rëndësishëm por i vështirë të arrihet

Porträt - Barbara Wesel

Barbara Wesel

Por të bësh më pak ligje por më të mira për Evropën nuk është aq e lehtë sa paraqitet shpesh nga populistët. Natyrisht BE nuk duhet të zgjidhë çdo problem dhe të ndihet përgjegjës për gjithçka. Para së gjithash në të ardhmen duhet t'i zgjedhë më mirë betejat e saj politike në të ardhmen për t'u dhënë më pak material kritike zërave antievropianë. Por është një iluzion të besosh se ata do të ndalonin ndonjëherë propagandën kundër Evropës. Edhe nëse nesër në Bruksel do të hartohej një ligj i vetëm, ata do të gjenin arsye për polemikë.

Megjithatë pjesa më e madhe e temave të përbashkëta para së gjithash mbrojtja e ambjentit dhe konsumatorit mund të zgjidhen vetëm në nivel evropian. Nuk mund të bëhen reduktime për shkak të komoditetit apo mungesës së guximit politik. Komisioni i BE-së duhet të gjejë këtu një ekuilibër të vështirë mes rregullimit të nevojshëm dhe mbështetjes së ekonomisë, gjë për të cilën është zotuar. Shumë kritikë të BE-së kërkojnë në këtë drejtim vazhdimisht lehtësimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Një vështrim në legjislacionin francez p.sh. tregon se kemi të bëjmë me një rast të vetëprangosjes. Ngjashëm ndodh edhe në Itali me burokracinë që përpin gjithçka, që gjithashtu është krijuar vetë.

Megjithatë Evropës i duhen më pak ligje dhe më inteligjente, kjo është e qartë. Dhe çdo qasje për të arritur këtë është si fillim një hap në drejtimin e duhur. Por kush kërkon nga Komisioni të reduktojnë në mënyrë masive rregullat evropiane, nuk i ka kuptuar problemet. Kush kërkon të bëjë më elegant librin e trashë të ligjeve të BE-së duhet të ketë shumë durim dhe ndjeshmëri. Procedurat e nxituara nuk janë mjeti i duhur për të korrigjuar zhvillimet e gabuara të viteve me radhë në Evropë.