1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Lufta guerile 2.0 e Putinit

Tani nuk mund të mohohet më se Rusia po zhvillon luftë kundër Ukrainës. Kjo e detyron Evropën të veprojë, mendon Ingo Mannteufel.

Dy ditë pas takimit të kryeministrit rus Vladimir Putin me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko në Minsk, Kievi njofton për një invazion të trupave ruse në juglindje të vendit dhe pushtimin e disa qyteteve kufitare nga njësi ruse. NATO e akuzon Rusinë për një përshkallëzim ushtarak në Ukrainë dhe botoi fotografi të bëra nga satelitët për të provuar se ushtarët rusë operojnë me armë të sofistikuara dhe tanke në territorin ukrainas. Në Evropë po shtohen zërat që bëjnë thirrje për sanksione të reja dhe më të ashpra kundër Rusisë. Por ndaj të gjitha këtyre akuzave Rusia reagon cinike: ajo e mohon invazionin duke pretenduar se kemi të bëjmë me një problem thjesht të brendshëm të Ukrainës.

Taktikë e pabesë

Prej muajsh Rusia po përdor një taktikë të pabesë që duket se e mbingarkon Perëndimin. Sepse, ndërsa Kremlini zyrtarisht kërkon paqe, që nga marsi kundër Ukrainës po zhvillohet një luftë e pashpallur. Ajo filloi me Krimenë. Dhe për shkak se ky operacion ishte aq i suksesshëm, Kremlini ka filluar me destabilizimin e Ukrainës Lindore, për shkak se nuk dëshiron për interesa të politikës së brendshme dhe të jashtme një Ukrainë evropiane.

Kjo formë e re e luftës asimetrike - lufta guerile 2.0 - lidh një konglomerat të tërë taktikash: përdorimin e mercenarëve dhe vullnetarëve që janë të trajnuar ose udhëhiqen nga ushtarë profesionistë, operacionet sekrete dhe një luftë të sofistikuar informacioni.

Ingo Mannteufel

Ingo Mannteufel

Perëndimi nuk donte të pranonte për një kohë të gjatë atë që po ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës, edhe sepse në Evropë askush nuk ka interes për një konfrontim me Moskën - aq më tepër ushtarak. Përveç kësaj, asnjë politikan i përgjegjëshëm nuk donte ta acaronte situatën duke përdorur fjalën luftë. Nuk duhet harruar as edhe që zyrtarisht edhe presidenti dhe qeveria e Ukrainës deri tani kanë folur për një operacion anti-terrorist.

Sanksione të reja

Por nëse tani edhe kreu i separatistëve Sashartshenko konfirmon se në radhët e separatistëve luftojnë 3000-4000 ushtarë rusë - që gjoja janë me pushime - atëherë në fund të fundit bëhet gjithnjë e më e qartë ajo që prej kohësh ishte një sekret i hapur: Rusia po zhvillon duke përdorur separatistët luftë kundër Ukrainës. Raportet për ushtarë rusë, të cilët është e qartë se janë vrarë në Ukrainë, po bëhen gjithnjë e më të vështira për t'u mbajtur të fshehura në Rusi.

Ndërhyrja gjithnjë e më dukshme ruse në Ukrainë po e detyron Evropën të veprojë. Në kundërshtim me disa shpresa ukrainase Evropa ose NATO nuk do të ndërhyjnë ushtarakisht në konflikt. Por BE-ja do të përgjigjet me sanksione të reja. Kjo do ta përshkallëzojë më tej spiralen e ngjarjeve. Megjithatë udhëheqjes ruse duhet t'i bëhet krejtësisht e qartë se lufta dhe dhuna nuk mund të jenë mjet i politikës në Evropë. E mira është që tani edhe në Rusi po ngrihen zëra të guximshëm që e kundërshtojnë këtë politikë.