1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Luftë kundër IS apo Asadit? - Turqia në vështirësi

Turqia duhet të marrë pjesë në luftën ushtarake kundër IS. Ajo tani po paguan haraçin për politikën e jashtme me zig-zage të viteve të fundit, mendon Baha Gungör.

Lajmet e këqia nga zona e luftimeve në anën siriane të kufirit të përbashkët po bëhen për Turqinë gjithnjë e më dramatike. Ofensiva e milicëve të terrorit të "Shtetit Islamik" (IS) në qytetin siriano-kurd Kobane në afërsi me Turqinë nuk ka mundur të ndalet ende deri tani. Edhe nga zona të tjera të Sirisë, si dhe nga veriu i Irakut, nuk reshtin lajmet e këqia për sukseset e tjera të IS.

Të enjtën parlamenti turk do të vendosë, nëse ushtrisë turke do t'i lejohet të kryejë operacione përtej kufirit në territorin sirian, si dhe në atë irakian. Përveç kësaj do të vendoset edhe për shfrytëzimin e territorit shtetëror turk nga forcat e huaja ushtarake në luftë kundër IS.

Luftë kundër IS me apo pa Asadin?

Por hyrja në territorin sirian pa një leje zyrtare nga Damasku mund t'u kushtonte shumë shtrenjtë Turqisë dhe aleatëve të saj nën drejtimin e SHBA. Regjimi i Asadit dridhet gjithashtu nga IS dhe për këtë arsye duhet të gëzohej për çdo mbështetje në luftën kundër milicëve të terrorit. Për më tepër edhe për faktin se armiku i ri i përbashkët premton një zbutje të kursit të ashpër të perëndimit kundër Asadit. Por megjithatë deri tani nuk ka asnjë miratim nga regjimi i Asadit për operacionet ushtarake në territorin e tij

Baha Güngör

Baha Güngör

Por thjesht të hynin brenda e të luftonin kundër IS, këtë turqit, amerikanët dhe aleatët e tyre nuk duhet ta bënin kurrsesi. Kjo nga Damasku mund të merrej si "shpallje lufte" me pasoja të paparashikuara. Nga ana tjetër as Turqia dhe as SHBA nuk duhet t'i varin veprimet e tyre të ardhshme nga pëlqimi i diktatorit Asad. Rrugëdalja nga kjo situatë e ndërlikuar mund të ishte vetëm një mandat i OKB-së me një bazë sa më të gjërë, me aprovimin e Rusisë dhe Kinës, si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Mbështetja pa dallime ka qenë një gabim

Për situatën e vështirë, në të cilën gjendet sot, Turqia në pjesën më të madhe është vetë përgjegjëse. Ajo bëri gjithçka për rrëzimin e shpejtë të Asadit. Duke mbështetur në mënyrë të pakujdesshme çdo opozitë kundër despotit, ajo forcoi edhe fundamentalistët brutalë islamikë. Dyshimi se grupe të mëdha të IS mund të kenë krijuar fole edhe në Turqi, duke krijuar shumë celula terroriste, e ka shokuar shoqërinë duke shkaktuar frikë masive.

Po të jetë e vërtetë që terroristët e IS kanë rrethuar gardën me 36 roje nderi turke në varrin e gjyshit të sulltanit të parë osman, Turqia nuk do ta pranojë këtë pa reaguar. Varri është territor extraterritorial i Turqisë brenda Sirisë.

Turqit dhe kurdët duhet të ndihmojnë njëri tjetrin

Duke patur parasysh këto lajme në parlamentin turk të enjten do të ketë debate të ashpra. Por a kanë ndonjë alternativë më të mirë, përveç aprovimit të propozimit të qeverisë? Kështu deputetët e partisë fetare-konservatore në pushtet AKP do ta pranojnë ndërhyrjen aktive të ushtrisë turke në luftë në kufirin e jashtëm të NATO-s në Lindjen e Mesme.

Duke pasur parasysh shqetësimet aktuale dhe vështirësitë e Turqisë, ka rrezik që hapja paqësore ndaj kurdëve të mbetet në mes të rrugës. Kjo është një tjetër pasojë negative e hezitimit të deritanishëm në politikën e Lindjes së Mesme të Ankarasë. Tensionet e reja ndërmjet kurdëve dhe turqve në lindje dhe juglindje të Anadollit mund ta vështirësonin shumë luftën e përbashkët kundër "shtetit islamik".