Koment: Linjë e ashpër e BE-së përballë Rusisë | Evropa | DW | 19.12.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Linjë e ashpër e BE-së përballë Rusisë

BE duket pak i impresionuar nga kriza ekonomike në Rusi. Edhe kancelarja Merkel i përmbahet vijës së saj të fortë- me të drejtë, thotë Barbara Wessel.

Polaku Donald Tusk është President i ri i Këshillit të Evropës - dhe si i tillë shefi i procedurave në takimet e nivelit të lartë të BE-së. Dhe meqenëse fshesat e reja duhet të fshijnë më mirë, ai menjëherë i bie shkurt: që pas një mbrëmjeje ai i dërgoi në shtëpi në pushimet e Krishtlindjeve kryetarët e mbledhur të qeverive. Me vete ata marrin të pazgjidhur njërin prej problemeve më të rrezikshme politike të Evropës.

Por më tepër se një konstatim të parimeve bazë, në bazë të të cilave duhet të veprohet përballë Rusisë, nuk qe e mundur të arrihej në një darkë të përbashkët. Vetëm në sfond doli në pah sa të diferencuara janë qëndrimet e personave të prekur, megjithë të përbashkëtat që u theksuan.

Kështu, presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite nuk e fsheh që në njëfarë mënyrë i bëhet qejfi, kur thotë se sanksionet kundër Rusisë tani po tregojnë efektin e tyre. Asaj si qytetare e një shteti baltik nuk mund t'ia marrësh për keq këtë ndenjë - por politikisht ky nuk është qendrim i mençur.

E ngarkuara për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, flet në mënyrë më diplomatike se Grybauskaite: rënia e ekonomisë ruse nuk është lajm i mirë, as për Evropën, as për pjesën tjetër të botës dhe as për qytetarët rusë. Tani dihet që italiania ishte në fillim kundërshtare e sanksioneve, dhe shkaktoi në këtë mënyrë zemërimin e Angela Merkelit. Por me këtë vlerësim Mogherini ka të drejtë.

Porträt - Barbara Wesel

Barbara Wesel

Angela Merkel mbetet e palëkundur

Kancelarja gjermane megjithatë tregohet e paprekur nga zhvillimet e ditëve të fundit dhe mbron pa ndryshim një vijë të ashpër përballë Putinit. Pas javëve të përpjekjeve për ndërmjetësim, të cilat Presidenti rus i bëri të venë dëm, tani ajo dëshiron ta masë atë vetëm me rezultate të prekshme. Në Marrëveshjen e Minskut deri tani nuk është vajtur më larg se te Pika 1, pikërisht tek armëpushimi. Por duhet bërë më tepër në mënyrë që partnerët të rikthehen në tryezën e bisedimeve. Me këtë Merkeli e bën të qartë se nuk do të ketë më paradhënie për Moskën. Sanksionet mund të hiqen vetëm pasi të jenë bërë hapa përpara, p.sh. në integritetin territorial të Ukrainës. Dhe e impresionuar pak nga lajmet horror nga Moska, kancelarja e hedh vështrimin nga pranvera e ardhshme - atëherë do të bëhet një zgjatje e sanksioneve.

Me këtë Merkeli tregohet e pakompromis dhe besnike ndaj parimeve. Mesazhi i saj: evropianët janë të të njëjtit mendim, që e drejta për vetëvendosje e popujve duhet të mbrohet dhe se nuk duhet të ketë kthim në politikën e sferave të influencës.

Një falimentim shtetëror i Rusisë do të kishte pasoja drastike për BE-në dhe do të shkaktonte dëme të mëdha. Megjithatë, parimet e përbashkëta, të cilat i përforcoi Angela Merkeli duhet të vlejnë akoma. Gjendja është si në Mikado: ai që lëviz i pari, ai humbet.