1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Ligji në fuqi pa alternativë

Fuchs Richard Kommentarbild App
Richard Fuchs
16 Prill 2016

Kancelarja lejon që presidenti Erdogan të ngrejë padi kundër satirikut Jan Böhmermann. Ligji përkatës është i vjetëruar. Ndaj tani me të drejtë Angela Merkel do që ta shfuqizojë atë, mendon Richard Fuchs.

https://p.dw.com/p/1IWi9
Deutschland Angela Merkel äußert sich zum Fall Jan Böhmermann
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Schreiber

Kancelarja Merkel sot sërish prezantoi anën më të mirë të saj si administruese e detyrave të shtetit gjerman. Për ditë të tëra u spekulua, nëse qeveria do t'i përgjigjej kërkesës së presidentit turk Rexhep Tayip Erdogan, për të ngritur padi pranë një gjykate gjermane kundër moderatorit të ZDF-së, Böhmermann për fyerje të personit. Tani Merkel hap rrugën, që gjykatat gjermane të vendosin, nëse Böhmermann e ka fyer vërtetë presidentin turk me "vjershën e tij satirike".

Merkel administron ligjet aktuale në fuqi

Vendimi i Merkelit, që të lerë shtetin ligjor të bëjë punën e tij, është i arsyeshëm - për shumë arsye. Sepse ajo administron atë që përmbajnë aktualisht ligjet në sistemin juridik të Republikës Federale. E këtu bën pjesë edhe neni 103 i diskutueshëm i kodit të procedurës penale, që parashikon, se fyerja e një kreu të një shteti të huaj mund të dënohet deri me tre vjet heqje lirie ose me gjobë.

Ky nen tingëllon i vjetëruar dhe jashtë kohës - e në të vërtetë ai është i tillë. Ky nen është konceptuar në fillim të shekullit të 20-të në një Gjermani tjetër. Asokohe shteti ligjor nuk i merrte aq seriozisht ligjet themelore të barazisë, e ai që fyente krerët e vendit, mund të përballej me të gjithë ashpërsinë e elitave në pushtet: arbitrarisht dhe në mënyrë të paparashikueshme. Përderisa një mendësi e tillë në një demokraci moderne jo vetëm është e vjetëruar, por duket thjeshtë jo demokratike, është mirë, që kancelarja njëkohësisht me vendimin për çështjen Böhmermann deklaroi edhe se synon që të shfuqizohet ky nen deri në vitin 2018. "I padobishëm" është ky nen, tha Merkel, e këtë ajo e ka formuluar me mjaft kortezi.

Fuchs Richard Kommentarbild App
Richard Fuchs

Por është gjithashtu mirë, që kancelarja nuk bie në kurth për t'iu shmangur shtegut të shtetit ligjor për hir të marrëdhënieve të vështira gjermano-turke. Ndaj ajo insiston tek respektimi i ligjit në fuqi, i cili nga këndvështrimi i sotëm nuk i përgjigjet më aspak konceptit modern të së drejtës. Për ta thënë shkurt: pavarësisht se ç'mendim ekziston ndaj personit të presidentit turk, pavarësisht se sa me kredibilitet e konsideron atë ose jo, apo sa të dyshimtë e despotik e vlerëson atë - që ai të ndëshkohej personalisht për neglizhencat e legjislativit gjerman, që deri tani nuk e ka shfuqizuar këtë nen, ky nuk do të ishte një model për shtetin ligjor. Merkel është e bindur për forcën e shteti ligjor gjerman, thotë ajo sot. E është pikërisht ky besim, që duhet të reflektohet si përgjigje në adresë të Turqisë dhe presidentit Erdogan.

Një frymë presioni - dhe një rast për të nxjerrë mësime

Qëkurse qeveria në nivelin e BE-së ka vendosur një marrëveshje me qeverinë turke për përballimin e krizës së refugjatëve, në raportet gjermano-turke fare lehtë mund të ndihet një frymë presioni. Edhe në rastin Böhmermann anë e mbanë komentatorët i atestonin kancelares, se presidenti turk po trajtohet me preferencë, pasi ajo ndodhet në varësi të vullnetit të tij në përballimin e krizës së refugjatëve. Por akuza të tilla do të shuhen me fillimin e këtij procesi. Sepse procesi ofron shanse të jashtëzakonshme - për një përmirësim të ri të lirisë së medias e të shtypit këtu në vend.

Ajo çfarë Böhmermann kish përmbledhur në vjershën e tij, ndonjërit nuk mund t'i pëlqejë. Atë mund ta quash edhe si pubertet, vulgare e madje edhe përçmuese ndaj njeriut. Por nëse të gjitha këto përbëjnë lëndë për ndjekje penalisht, kjo pritet ta mësojmë në një proces, në të cilin publikisht do të trajtohet çështja, se ku nis e ku mbaron ofendimi në diskursin publik. E po ashtu do të shtjellohet edhe se si duam ne të komporrtohemi me të drejtat personale në media e në shoqëri.

Para ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë

Ajo që është më tërheqëse në këtë mes, është se përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve nuk do të vlejnë më vetëm për madhëritë e tyre e drejtuesit e shteteve të huaja, por edhe për njerëzit fare të thjeshtë - qofshin ata në post, apo qytetarë të zakonshëm. Sepse nëse dikush fyhet, atëherë nuk ka rëndësi nëse i prekuri është kancelar, pensionist apo i papunë. Dinjiteti i njeriut nuk ka rend dhe shkallë hierarkike. Nëse përmes çështjes Böhmermann fiton kjo mendësi, atëherë në fund kjo do të jetë një fitore e madhe për kulturën tonë demoktratike. Sepse ofendimi i zotit Erdogan nga Ankaraja nuk duhet të peshojë më shumë se sa ai me fjalë të pista dhe akuza seksuale ndaj një zoti Fuchs nga Berlini: çfarë marrëzie!

Ju mund të shprehni mendimin tuaj në fund të këtij artikulli. Ne i mirëpresim komentet tuaja!