1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Le Pen përfiton nga problemet e partive klasike

Ndërkohë që presidenti socialist Hollande qendron mbi pozicion të dobët dhe paraardhësi i tij Sarkozy akuzohet për korrupsion, është Fronti Nacional që përfiton, mendon Christoph Hasselbach.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Si është puna me klasën politike të "Grande Nation"? Presidenti socialist, Francois Hollande, ka rënë mjaft poshtë në sondazhe, pasi nga frika se mos lëndon dikë nuk bën asgjë. Paraardhësi i tij konservator dhe ndoshta sfiduesi i ardhshëm Nicolas Sarkozy shoqërohet nga policia si një kriminel. Akuza: ai është përpjekur të korruptojë një prokuror të lartë. Aktualisht është Marine Le Pen ajo që gëzohet pasi kundërshtarët politikë po shpërbëhen vetvetiu. Në zgjedhjet evropiane Fronti Nacional rezultoi partia më e fortë në Francë. Por deri tani Le Pen nuk ka arritur të krijojë një grup të përbashkët me parti të tjera të spektrit të djathtë ekstrem në Parlamentin Evropian. Asaj i intereson megjithatë në radhë të parë politika e brendshme franceze. Dhe atje dy partitë klasike po ia dërgojnë ujin në mullirin e saj në mënyrë të tillë që të ngjallet frikë për drejtimin e vendit.

Hollande i dobët, UMP e përçarë

Hollande me një profil relativisht të zbehtë u zgjodh si një anti-Sarkozy. Qendrimi i Sarkozy fodull, prej arrivisti dhe martesa e tij plot glamour me Carla Brunin shumë shpejt ia acaruan nervat francezëve. Në fund ata donin më mirë një president "normal" dhe zgjodhën Hollande. Nëse ky do të kishte qenë vetëm normal dhe i mërzitshëm askush nuk do të shqetësohej. Por socialisti mbeti pa vepruar ndërkohë që ekonomia franceze humbte gjithnjë e më shumë aftësi konkurruese dhe papunësia u rrit. Në këtë gjendje të mjeruar deri tani nuk ka ndryshuar pothuaj asgjë. Në fakt një kartë e fortë për çdo sfidues konservator. Por UMP në opozitë deri tani nuk ka bërë asnjë lloj kapitali nga rezultatet e dobëta të Hollande pasi ajo vetë është tmerrësisht e përçarë.

Sarkozy i poshtëruar

I vetmi politikan i UMP të cilit mund t'i besohej deri tani të mundte Hollande dhe t'i tregonte vendin edhe Le Pen-it, ishte Sarkozy. Pyetjes nëse do të kandidonte përsëri ai i ishte përgjigjur se duhej ta lexonin nga mjekra e tij. Dhe pa shiko, pas një mjekre disa muaj të gjatë papritur ai shfaqet i rruar si i shkon një presidenti. Por pamjet e shoqërimit të tij para gjykatësit hetimor mund t'ia prishin llogaritë. Pavarësisht se si do të përfundojë çështja juridikisht, Sarkozy u poshtërua publikisht. Veç kësaj mbi të rëndojnë edhe një seri akuzash të tjera, të cilat së bashku krijojnë në perceptimin e opinionit imazhin e një politikani autokrat. Baza e partisë ndoshta e beson se kundër tij po komplotohet, por shumica e francezëve nuk duan ta shohin Sarkozy-në përsëri në Pallatin Elize.

Mungon ende një kandidat i përshtatshëm

Nëse Sarkozy arrin megjithatë brenda partisë të zgjidhet si kandidat për president në 2017 për Francën situata mund të bëhej delikate: Francois Hollande është aq dobët sa vetëm mund të humbasë. Dhe Sarkozy do ta përçajë kombin. Marine Le Pen do të thotë se ajo është krej ndryshe nga kjo kastë politikanësh që interesohen vetëm për vete dhe aspak për popullin. Në zgjedhjet presidenciale 2002 babai i Marine Le Pen, Jean-Marie Le Pen, doli papritur në balotazh kundër presidentit Jacques Chirac. Atëherë fitoi kandidati konservator Chirac pasi në balotazh për të votuan edhe shumë të majtë për të penguar Le Pen. Ky efekt mund të mos jetë patjetër i njëjti në një balotazh të mundshëm Le Pen - Sarkozy, nga njëra anë sepse Sarkozy polarizon fort opinionin dhe nga ana tjetër sepse Front National është bërë i pranueshëm ndërkohë për shumë francezë. Tani në radhët e UMP kërkohet një kryetar partie dhe kandidat për president me integritet, që bashkon dhe njëkohësisht reformator. Dhe që këtu një lutje për partinë: mos u fiksoni shumë shpejt tek Sarkozy!