1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Kursi i ri i Trumpit - fundi i iluzioneve në Japoni

Qeveria konservatore japoneze donte të kufizonte përpjekjen e Kinës për hegjemoni me një thellim të aleancës me SHBA. Kjo llogari nuk ecën me një President Donald Trump, mendon Martin Fritz.

Japonezët duan të planifikojnë dhe të përgatiten deri në detajet më të vogla. Ata i lënë sa më pak shans që të jetë e mundur rastësisë. Në këtë kuptim, një President i SHBA, Donald Trump është një nga aksidentet më të mëdha të mundshme në politikën e jashtme dhe të sigurisë së Japonisë. Sepse elita në Tokio nuk qe e përgatitur në asnjë mënyrë për këtë rezultat zgjedhjesh.

Në fushatën elektorale, Trumpi u pati vënë pikëpyetje shumë gjërave të vetëkuptueshme në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Tokios - që nga trupat e SHBA deri në çadrën mbrojtëse bërthamore. Por Tokio heshti në pritje të fitores së Hillary Clintonit. Kurse tani burokratët e ministrive në lagjen qeveritare Kasumigaseki thonë në një akt qetësimi të vetes se sulmet kundër Japonisë të Trumpit kanë qenë thjesht retorikë. Politika konkrete do ta tërheqë atë në tabanin e fakteve, thonë këshilltarë të qeverisë.

Japonia - qylaxhesha

Por kjo do të rezultojë e gabuar. Elita japoneze nuk duhet të harrojë se ka dekada që Trumpi e kritikon ashpër Japoninë si përfituese qylaxheshë të politikës së jashtme të SHBA dhe si shfrytëzuese të qasjes në tregun e madh të SHBA.  Me të vërtetë, buxheti i mbrojtjes i Japonisë, me vetëm një përqind të produktit të brendshëm bruto, në rang ndërkombëtar është i vogël. Me të vërtetë Toyota vazhdon t'i eksportojë veturat e saj luksove të markës Lexus nga Japonia në SHBA. Me mënyrën e vështrimit prej tij të punëve, Trumpi nuk e ka kaq gabim.

Presidenti Obama e vendosi pikërëndesën e politikës së tij të jashtme në Paqësor. Ai u dha japonezëve premtimin e dëshiruar, se rasti i aleancës ushtarake vlen edhe për një grup të vogël ishujsh japonezë, ndaj të cilëve Kina ngre pretendime. Duke i besuar këtij premtimi, Japonia i mbrojti në mënyrë aktive ishujt e pabanuar kundër avancimeve të Kinës. Në këtë rast disa herë u rrezikua edhe një shkallëzim ushtarak i situatës.

Martin Fritz, Journalist in Tokio (Privat)

Martin Fritz

Por Trumpi nuk do të lërë të humbasin jetën ushtarë të SHBA, në luftë për disa shkëmbinj japonezë në Detin e Kinës Lindore. Premtimin e Obamas Trumpi nuk pritet ta përsëritë. Ai pritet që të flasë troç edhe për tregtinë me Kinën. Kjo pritet të dëmtojë interesat e shumë sipërmarrjeve japoneze, të cilat e shfrytëzojnë Kinën si punishte të tyre.

Fund i politikës së konfrontimit me Kinën

Strategjia e kryeministrit Shinzo Abe, për ta frenuar përpjekjen për hegjemoni të Kinës në Azi me ndihmën e SHBA, ishte fodulle që në fillim. Ekonomia dhe fuqia e Kinës do të rriten edhe më tej, në një kohë kur Japonia qoftë edhe për shkaqe demografike e ka kaluar kohën më të mirë. E ardhmja ndodhet në bashkëjetesën e Japonisë dhe Kinës, jo në kundërshtimin e njëra-tjetrës.

Japonia duhet të heqë dorë nga politika konfrontuese ndaj Kinës. Ky do të jetë një hap, të cilit Tokio do të jetë e vështirë t'i shpëtojë gjatë një presidence të Trumpit. Por për këtë Abe është njeriu i gabuar. Ashtu si burokratët në Kasumigaseki ai ka iluzione për Trumpin dhe flet për besim. Kundërshtari i Abes dhe pasardhësi potencial, Shigeru Ishiba i ra pikës: Trumpi i vë pikëpyetje edhe vetë vendit Japoni. Qeveria e Tokios duhet t'i kuptojë sinjalet e kohës dhe të ecë e lirë politikisht dhe ushtarakisht - edhe ndaj SHBA.