1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Kurdistani - modeli i së ardhmes

Me luftën e tyre kundër organizatës terroriste "Shteti islamik" kurdët irakianë po çojnë përpara edhe projektin e tyre për një shtet të vetin. Projekti ofron perspektiva për gjithë rajonin, mendon Kersten Knipp.

Bandat terroriste të "Shtetit Islamik" (IS) po i shtrojnë rrugën me mjete që nuk konsideroheshin të mundshme "kalifatit" të tyre. Sa gjatë mund të ekzistojë ajo strukturë, duket se për momentin nuk u intereson shumë. Cdo shtet, edhe nëse e quan veten "kalifat", në periudhë afatgjatë është i varur nga bashkëpunimi me shtete të tjera. Për këtë pak shtete do të jenë të gatshme përballë akteve të mizorisë së IS-it. Se si do të mbijetojë në periudhë afatgjatë struktura me karakter të fortë fetar mbetet një herë për një herë, sekret i kalifëve.

Në mënyrë të pavullnetshme pjesëtarët e IS-it po çojnë përpara edhe një projekt tjetër, pafundësisht më premtues: një shtet kurd në veri të Irakut. Kurdët janë aktualisht të vetmit që të mbështetur nga SHBA, po i bëjnë ballë terroristëve të IS-it. Kjo u siguron atyre simpati në mbarë botën. Kështu merr hov të ri edhe ideja për një shter të pavarur kurd.

Rezervat ndaj një shteti kurd

Natyrisht, shndërrimi i rajonit autonom në një shtet përballet aktualisht edhe me pengesa. Turqia ka vërtet marrëdhënie të mira me rajonin e kurdëve, jo së fundi edhe ekonomike. Me idenë e një shteti të pavarur kurd ajo e ka megjithatë të vështirë të pajtohet. Turqia druan se projekti mund të frymëzonte edhe kurdët turq për fantazi të reja për pavarësi. Për të njëjtë arsye edhe Siria dhe Irani refuzojnë idenë e një Kurdistani të pavarur. Pasi nëse diskutimi do të niste, do të vendoseshin në pikëpyetje edhe kufijtë e tyre shtetërorë, të paktën në periudhë afatgjatë. Edhe fuqitë perëndimore kanë rezerva ndaj një shteti kurd. Ata druajnë se rajoni mund të destabilizohej edhe më shumë për shkak të lëvizjes së kufijve ose edhe më keq, luftërave për ndryshim kufijsh.

Kjo nuk mund të përjashtohet. Megjithatë rajoni është që tani shumë i destabilizuar për të mos thënë që në pjesë të madhe është i zhytur në kaos. Siria gjendet prej plot tre vjetësh e gjysmë në një luftë civile. Si pasojë e saj regjimi i Assadit ka humbur kontrollin mbi pjesë të mëdha të vendit. Veriu i Sirisë sundohet nga IS-i, "kalifati" i të cilit shtrihet përtej kufijve aktualë shtetërorë të Irakut. Ky i fundit po shkërmoqet hap pas hapi. Rajoni i kurdëve është e vetmja zonë në veri të Irakut në të cilin ende ruhet rendi publik.

Për këtë dhe për luftën e tyre kundër "shtetit islamik" kurdët dikur do të kërkojnë një çmim, e pikërisht hapa të mëtejshëm në drejtim të pavarësisë. Do të jetë e vështirë të kundërshtohet kjo kërkesë e tyre.

Model suksesi përtej besimeve

Krahas meritës së tyre në fushën ushtarake, kurdët irakianë mund të paraqesin edhe një argument politik për shtetin e tyre: territori i tyre është i vetmi në rajon i cili nuk bazohet mbi një rend shoqëror të bazuar në besimin fetar. Në krahinën autonome kurde jetojnë në paqe me njëri-tjetrin sunitë, të krishterë, jezidë dhe alevitë shiitë.

Një model i tillë i ngritur përtej kufijve të besimit fetar mund të rrezatonte në të gjithë rajonin. Pasi logjika e përkatësisë fetare e ka çuar atë në buzë në humnerës. Politika dritëshkurtër e mbështetur në përçarjen fetare e ish kryeministrit irakian Nuri al-Maliki bëri që të shpërthejë nga brenda shteti irakian. Në Siri krahas luftës civile zhvillohet edhe një tjetër luftë e përfaqësuesve të fuqive rajonale të ndërtuara mbi modelin fetar, nga njëra anë Irani dhe nga ana tjetër Arabia Saudite. Qeveritë e të dy shteteve shohin tani se çfarë katastrofe ka shkaktuar të menduarit në linja fetare. Edhe Libani me rendin e tij shoqëror të ngritur mbi besimin fetar, po përfshihet gjithnjë e më shumë në vorbullën e luftës civile siriane.

Të menduarit shkatërrimtar në kategori besimi në Irak i kundërvihet që tani një provincë kurde autonome, e cila jo më kot është ndër fitimtarët e transformimeve aktuale. Me kujdes ajo i ka bërë ballë të gjitha rrymave të zellshme fetare dhe është bërë një peisazh i zhvilluar. Si rajon autonom apo ndoshta sikur si shtet i pavarur, shembulli kurd tregon që tani rrugën në një drejtim për të cilin ia vlen të reflektohet.