1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Kuota duhet të zëvendësojë Dublinin

Vatrat e krizave dhe vendet nga vijnë azilkërkuesit në BE kanë ndryshuar. Shumica e vendeve të BE-së nuk ka asnjë interes për shpërndarjen e refugjatëve sipas kuotave, mendon Bernd Riegert.

25 vjet më parë, vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord për të ashtuquajturat rregulla të Dublinit për pranimin e azilkërkuesve. Qëllimi ishte që shtetet e BE-së të mos ia hidhinin përgjegjësinë për azilkërkuesit reciprokisht njëri-tjetrit. Rregullorja e parë e Dublinit nuk kishte hyrë ende në fuqi, kur nisi një debat i madh nëse shpërndarja e refugjatëve është me të vërtetë e drejtë dhe e përballueshme. Ndërkohë ekzistojnë rregullat e Dublinit III. Në thelb, sipas ligjit evropian përgjegjës për regjistrimin e azilkërkuesve dhe procedurën e azilit është ende shtetit në të cilin azilkërkuesi hyn për herë të parë në kufijtë e BE-së.

Por me vite vatrat e krizave dhe vendet nga vijnë azilkërkuesit kanë ndryshuar, sikurse edhe barra e refugjatëve, që për momentin rëndon më tepër ndaj Greqisë dhe Italisë. Lufta në Siri ka bërë që të shtohet numri i refugjatëve nga ky vend.

Kriza aktuale nuk ishte e paralajmëruar. Që më 2014 ministrat e Brendshëm të BE-së u ranë këmbanave të alarmit. Por pakkush në Evropë i dëgjoi, sepse në lidhje me politikën e refugjatë Evropa nuk reagon në mënyrë parashikuese por sipas rastit dhe me shpresën se ndoshta refugjatët shkojnë në vendet fqinjë.

Rregullat e Dublinit të shfuqizuara

Bernd Riegert

Bernd Riegert

Por kjo shpresë është mashtuese. Drejt Evropës po vijnë rryma refugjatësh nga Siria, Eritrea, Nigeria dhe nga Ballkani. Sipas marrëveshjes Dublin III përgjegjesë për to duhet të ishin Greqia, Italia, Bullgaria dhe Hungaria, ku hyjnë shumica e refugjatëve.

Por kuadri ligjor i Dublinit nuk funksionon më, sikurse pranoi më në fund për herë të parë publikisht në një intervistë me ZDF, kancelarja Angela Merkel. Disa shtete realisht nuk mund të pranojnë më azilkërkues. Kurse disa shtete nuk duan. Gjendja në ishullin grek Kos është dramatike dhe për të të ardhur keq, por qeveria greke është prej vitesh e paaftë dhe jo e gatshme për të ndërtuar një sistem regjistrimi funksional, pavarësisht nga ndihma financiare e ofruar nga Brukseli. E njëjta gjë vlen në formë të dobësuar edhe për Italinë, ku regjistrohen më pak kërkues azili nga sa arrijnë në të vërtetë në këtë vend. Shumë prej tyre vazhdojnë më tej drejt Veriut, pavarësisht marrëveshjes së Dublinit. Po bëhet pra e qartë që marrëveshjet e Dublinit kanë marrë fund dhe do të ishte mirë nëse të gjithë liderët e BE-së do ta pranonin tani këtë. Por çfarë vjen pas tij?.

Kuota nuk gjen mbështetjen e shumicës

Prej shumë vitesh vendet e BE-së po diskutojnë për një sistem shpërndarjeje të refugjatëve sipas kuotave, p.sh. në bazë vullnetare sikurse propozon Komisioni i BE-së. Por ministrat e Brendshëm të BE-së nuk janë dakord me këtë. Aktualisht vetëm pesë shtete po pranojë kërkesa për azil. Në rast se do të futet një sistem kuotash duhet që 23 shtetet e mbetura të pranojnë më shumë azilkërkues. Sidomos Britania e Madhe, Spanja dhe shumë shtete anëtare të Evropës Lindore janë kundër kuotave.

Pra, është mirë që kancelarja e ka shpallur çështjen e refugjatëve si projektin e ardhshëm të madh me anë të të cilit Evropa mund të tregojnë se është në gjendje për të vepruar së bashku. Këto fjalë tani duhet të pasohen nga vepra.

Për një shpërndarje të drejtë dhe një sistem uniform azili Evropa po përpiqet prej rreth dy dekadash. Gjermania ka interes të madh për përmirësimin e sistemit, për shkak se në Gjermani vijnë shumë vetë për të kërkuar azil. Po të kishte një kuotë imagjinare Gjermania duhet të strehonte 16 për qind të refugjatëve që vijnë në BE. Ndërsa për momentin janë më shumë se 30 për qind e të gjithë azilkërkuesve në Europë, që vijnë në Gjermani.

Shumë fjalë boshe

Për shkak të interesave të ndryshme të 28 shteteve anëtare, duket e pamundur që në të ardhmen e afërt do të gjendet një kuotë. Fjalët e presidentit të Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker, që shtetet anëtare të BE-së duhet të tregojnë më shumë solidaritet me njëri-tjetrin, do të shkojnë huq.

Bashkëpunimi me vendet e origjinës as ia vlen të përmendet më, se është frazë shumë e konsumuar. Arsyet për largimin dhe fatet e qytetarëve të tyre nuk u interesojnë pushtetarëve në Siri, Libi, Eritrea dhe vende të tjera.

Ndoshta BE-ja të paktën mund të ushtrojë ndikim tek disa vende afrikane të moderuara dhe tek shtetet demokratike në Ballkan. Për këtë qëllim mblidhet në nëntor një takim Afrikë-BE dhe javën e ardhshme konferenca për Ballkanin Perëndimor. Në këto takime duhen prezantuar faktet dhe duhet të ndërmerren hapa konkretë. Por kjo kërkesë është pothuajse aq e vjetër sa Marrëveshja e parë Dublinit: 25 vjet.

Ju mund të bëni një koment në fund të këtij komenti. Ne gëzohemi për mendimin tuaj!