1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Kthesë në politikën e Kinës

Frank Sieren2 Nëntor 2015

Surprizë në Pekin: Udhëheqja kineze shfuqizon politikën strikte të një fëmije për familje e u lejon çifteve kineze dy fëmijë në të ardhmen. Por kjo nuk e zgjidh problemin e popullsisë automatikisht, mendon Frank Sieren.

https://p.dw.com/p/1GxZ3
China Reform Ein-Kind-Politik
Fotografi: DW/S. Ballweg

Në vitin 1979 futja në fuqi e politikës -një fëmijë për familje- ishte një ide e mirë: Reformuesi i madh kinez Ten Hsiao Pin, i cili e futi atëherë këtë politikë, mënjanoi që Kina sot të ushqente 300 milionë njerëz më shumë. Por ndërkohë kjo politikë po tregon më shumë disavantazhe: Kina ka shumë të moshuar, shumë pak femra dhe shumë pak fuqi punëtore, Tani të gjithë çiftet kineze lejohen të kenë dy fëmijë. Mesatarisht një grua kineze sjell 1,55 fëmijë në jetë, por Kina ka nevojë për një kuotë prej 2,1 fëmijësh me qëllim që të garantojë një numër të stabilizuar popullsie, Para dy vitesh Kina i lehtësoi rregulloret e politikës së familjes me një fëmijë. Kështu çiftet, ku një partner ishte fëmijë i vetëm, kishin të drejtë të kishin edhe një fëmijë të dytë. Më parë duhej që të dy partnerët të ishin fëmijë të vetëm, në mënyrë që të merrnin lejen për fëmijë të dytë.

Asnjë popullsi nuk po plaket më shpejt

Pekini shpresonte kështu që rreth 10 milionë çifte të planifikonin fëmijë tjetër. Por këto shpresa nuk u bënë realitet. Para tre muajsh e habitën opinionin kinez vlerësimet e studiuesit kinez, Zhang Juvei nga Instituti për Popullsinë dhe Ekonominë në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale: Ai dhe kolegët e tij ishin të mendimit se Republika Popullore e Kinës do ta arrijë kulmin e popullsisë pas 10 vitesh, pra në vitin 2025 me 1,41 miliardë vetë. Ndërkohë deri në vitin 2050 numri i popullsisë do të bjerë në 1,3 miliardë. Me këtë Kina do të kishte 70 milionë banorë më pak se sot.

Frank Sieren *PROVISORISCH*
Frank SierenFotografi: picture-alliance/dpa/M. Tirl

Politika e një fëmije ka bërë që gjithnjë e më pak të rinj të përgjigjen për pensionet e të moshuarve në vend: Në 30 vitet e fundit mosha mesatare e popullsisë është rritur me 12 vjet, në 34,5 vjet. Krahasuar me Gjermaninë, ku mosha mesatare është 45 vjet, sigurisht kjo moshë është shumë më e re. Por e rrezikshme është shpejtësia me të cilën po ndryshon Kina: Në 25 vitet e ardhshme numri i pensionistëve do të rritet në 320 vetë, gati dyfish. Kaq shpejt nuk është plakur asnjë popullsi tjetër! Kategoria e aftë për punë në popullsi – pra njerëzit nga mosha 20-60 vjeç do të ulej kështu nga 817 milionë vetë në 696 kinezë.

Prindërit e rinj kanë nevojë për ndihmë

Në të ardhmen kjo do të thotë: ulje e fuqisë punëtore dhe rritje e barrës financiare në sistemin social të vendit. Reformat e bëra tani publike nuk mjaftojnë për të ndryshuar gjendjen. Nuk dihet nëse politika e dy fëmijëve mund ta ndryshojë gjendjen. Sepse edhe lehtësimet në politikën e një fëmije u përdorën nga shumë më pak familje se mendohej. Në marrjen e vendimit nëse një çift i ri do të bëjë një fëmijë ndikojnë edhe në Kinë shumë faktorë si në Europë: gjetja e një vendi pune dhe shpenzimet. Pikërisht për gjeneratën e kinezëve të rinj, të rritur si fëmijë të vetëm, karriera është shumë e rëndësishme.

Kaq e rëndësishme, sa që shpesh ata nuk kanë kohë për të rritur edhe një fëmijë të vetëm, jo më dy. Kësaj i shtohet se shkollimi i fëmijëve në metropolet kineze është shumë i shtrenjtë. Një vend në kopsht, shkollimi apo universiteti po bëhen gjithnjë e më të shtrenjtë në Kinë. Pra po qe se Kina do ta motivojë popullin e saj të sjellë më shumë fëmijë në jetë, duhet që qeveria të çojë përpara reformat edhe në këtë drejtim. Ose ajo duhet t'i subvencionojë bebushët. Ky do të ishte hapi tjetër në vendin me popullsinë më të madhe në botë.