1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Kryeministri i Francës në Berlin

Manuel Valls erdhi në Berlin. Në çantë: të dhëna ekonomike mizerabël dhe kërkesa për ta toleruar Francën. Marrëdhëniet gjermano-franceze kanë qenë dikur më të mira, mendon Friedrich Schmidt.

"Më shumë kursime, kjo nuk është punë që bëhet", bëri të ditur kryeministri francez Manuel Valls që pa nisur vizitën në Berlin. Dhe shkaktoi moskuptim te shumë vetë me këtë deklaratë. Edhe vetë shefi i Bankës Qendrore të Francës, Noyer kërkon më shumë përpjekje për kursime nga qeveria e tij.

Valls e nisi punën pesë muaj më parë si reformator i vendosur. Sot nga ky pikësynim nuk sheh shumë rezultate. Java e punës me 35 orë ka mbetur, paga minimale nuk është prekur. Një rritje e moshës së pensionit as nuk diskutohet.

Premtime bosh të Francës

Dy herë i lejoi BE shtyrje Francës, për sa u përket reformave strukturore, për të thyer rregullat e ngrira të tregut të punës, për ta liruar ekonominë nga kthetrat mbytëse të shtetit dhe për ta bërë sërish të aftë për konkurrencë. Premtime nga pala franceze pati shumë. Por për fat të keq ato rezultuan si flluska bosh.

Nëse kjo do të ndryshojë pas bisedës së Valls me kancelaren gjermane? Ai i kupton dyshimet në kursin reformues francez, tha Valls në Berlin. Por gjermanët duhet të kenë më shumë besim. Qeveria e tij do të ofrojë rezultate dhe do të jetë në lartësinë e përgjegjësisë së saj. Që reformat të zbatohen dhe që qeveria t'i përmbahet kursit të kursimeve, kjo është në interesin e Francës.

Reflektim i vërtetë apo sërish premtim bosh? Pikërisht për shkak të inflacionit të ulët qeveria franceze mund të kursejë më shumë dhe ta shëndoshë buxhetin e saj. Por Franca nuk do ta respektojë edhe për shumë vite kufirin e deficitit të BE prej tre përqind të prodhimit ekonomik. Bilanci ekonomik i Francës është katastrofal, papunësia në nivel rekord, vlerat e preferencës së Presidentit përtokë. Në Francë njerëzit kanë frikë për shkak të forcimit të Frontit National të Marine le Penit.

Kuptim karakteristik për Evropën

Merkel pret Valls në Berlin

Merkel pret Valls në Berlin

Të gjitha këto, kryeministri Valls me sa duket nuk i sheh si rezultate të një politike të gabuar ekonomike dhe financiare të socialistëve në pushtet. Përkundrazi, ai lë përshtypjen se Francën e ka shtyrë në recesion "diktati për kursime" i gjermanëve duke forcuar me këtë, në mënyrë indirekte, Front National. "Franca vendos vetë, se çfarë ka për të bërë", tha Valls para pak kohësh në deklaratën e tij më të fundit qeveritare. Njëkohësisht ai u dha mësime gjermanëve, si duhet t'i përgjigjen ata përgjegjësisë së tyre në Evropë. Kjo hedh një dritë karakteristike për mënyrën si e kupton Evropën qeveria franceze.

Kancelarja është natyrisht në dilemë. Një konflikt i hapur me Francën asaj nuk i duhet, sepse në Evropë thuajse nuk arrihet dot asgjë, nëse midis Francës dhe Gjermanisë ngec puna. Sa të mëdha janë dyshimet e Merkelit për Francën, këtë kancelarja nuk e la të kuptohej pas bisedës së saj me Valls. Në vend të kësaj, ajo i lëvdoi përpjekjet për reforma të Francës, por tërhoqi vëmendjen në respektimin e Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes në Evropë.

Franca nuk duhet të kërkojë rabat politik, të cilin nuk e kanë marrë shtetet më të vogla si Portugalia, Irlanda ose Greqia, por të nisë me guxim reformat. Përndryshe BE rrezikon të humbasë besueshmëri.