1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Klimë e kontaminuar

Qëkurse ka marrë postin kryeministri i ri grek Cipras Bashkimi Europian nuk po gjen më qetësi. Një kthim ky në kohët, të cilat besohej se i përkisnin një të shkuare të largët, mendon Alexander Kudascheff.

Klima politike në BE është e kontaminuar. Mes Berlinit dhe Athinës. Por edhe mes Athinës dhe Bankës Qendrore Europiane. E po ashtu edhe mes 18 vendeve të Eurozonës dhe Athinës - e anasjelltas. Bashkimi Europian po luhatet drejt një krize të thellë, për të mos thënë që ai qysh tani ndodhet në vorbullën e saj. Papritur duket se në këtë projekt madhështor të paqes sërish po lulëzojnë reminishencat kombëtare, madje ato nacionaliste. Papritur mes vendeve anëtare mbizotëron një ton, që normalisht njihet mes armiqve, por jo mes partnerëve, që prej dekadash komunikojnë paqësisht mes tyre.

Edhe përpara luftohej ashpër

S'ka asnjë dyshim: edhe në dekadat e mëparshme janë bërë truqe në tryezat europiane të bisedimeve. Eshtë bërë pazar. Eshtë bërë poker negociatash dhe janë shfrytëzuar mundësitë deri në maksimum me shpresën që secili për vete të mund të sigurojë avantazhin. E kjo vlen për të gjitha vendet anëtare - pa asnjë përjashtim. Por askush nuk është prekur prej kësaj, askush nuk është fyer, asnjëherë nuk ka pasur kërcënime të hapura me thyerjen e të gjitha rregullave dhe marrëveshjeve.

Alexander Kudascheff DW Chefredakteur Kommentar Bild

Alexander Kudascheff

Qeveria e re greke - e zgjedhur për shkak të premtimeve të saj elektorale, e zhytur tani në një mandat të madh - ka përdorur pikërisht këtë ton. Një ministër populist i djathtë për Mbrojtjen kërcënon, se do të lejojë depërtimin e gjysmë milionë refugjatëve drejt Europës duke shkelur kështu politikën e përbashkët europiane të azilimit. Kryeministri grek Cipras në pokerin e bisedimeve për politikën e shpëtimit të Euros hap një front të ri, në të cilin ai kërkon reparacione prej Gjermanisë. E vazhdimisht qeveria i cilëson troikën dhe partnerët europianë si pushtues, ndonëse ata pavarësisht të gjithave janë partnerë.

Duhet ta themi qartazi: vendet e Euros duan ta ndihmojnë Greqinë. Por është e vetëkuptueshme, që ato nuk e bëjnë këtë pa kushte ndaj Greqisë. Parimi i tyre, që borxhet nuk duhen luftuar me borxhe, është i arsyeshëm - dhe u ka ndihmuar Spanjës, Irlandës dhe Portugalisë.

Por e padiskutueshme është edhe se: në Greqi kjo lloj gatishmërie për ndihmë ekonomike ka dështuar. Këtu qeveria e re në Athinë ka të drejtë. Greqia kërcënohet prej falimentimit ekonomik dhe social, madje edhe më keq akoma: Greqia po tronditet prej një krize shtetërore.

Nuk e ka Gjermania fajin për gjithçka

Por kjo nuk është arsye për ta zgjedhur Gjermaninë si kokë turku - dhe për të abuzuar taktikisht në pokerin e bisedimeve me çështjen e reparacioneve për krimet gjermane të luftës. Moralisht nuk ka aspak dyshim, që Gjermania në radhë të parë duhet të zhdëmtojë viktimat e kohës së pushtimit, që ende jetojnë. Ndoshta edhe për këtë mund dhe duhet menduar, nëse mund të bëhet më shumë se deri tani.

Ndërsa nga këndvështrimi juridik çështja e reparacioneve tashmë është mbyllur. Por edhe këtu është toni ai që përcakton melodinë diplomatike. Gjermania pikërisht pas fundit të juntës së krerëve ushtarakë është angazhuar vazhdmisht për Greqinë në BE - ashtu siç kanë bërë edhe vende të tjera. Ka ardhur koha, që klima të dekontaminohet dhe problemet ekonomike e politike të trajtohen profesionalisht. Kjo vlen për Athinën - por edhe për vendet e tjera të BE-së. Në rast të kundërt pas më shumë se 50 vjet historie suksesi BE-ja do të shkërmoqet - siugrisht padashje, por pasojat do të jenë të rënda.

DW.COM