1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Kërcënim absurd nga Ankaraja

BE-ja kundërshton përpjekjet e qeverisë turke për liberalizimin e vizave në këmbim të kthimit të refugjateve. Nuk ka vend për presion, mendon Bernd Riegert.

Shantazhi nuk mund të jetë mjet politike mes partnerëve. Dhe BE-ja dhe Turqia ende e shohin veten si të tilla në politikën e refugjatëve, pavarësisht tronditjeve të rënda në politikën e brendshme turke. Prandaj është logjike që Komisioni i BE-së i kundërshton përpjekjet e qeverisë turke për ta detyruar BE-në që në këmbim të kthimit të refugjateve dhe migrantëve të heqë regjimin e vizave për qytetarët turq. Në marrëveshjen e marsit BE-ja e njohu edhe një herë si objektiv heqjen e vizave nëse Turqia plotëson kushtet përkatëse. Po në samitin e marsit nuk u vendos ndonjë datë e veçantë për këtë.

Turqia e vë vetë veten nën presion

Ideja e qeverisë turke për të vënë tani një ultimatum dhe për të përmendur tetorin si datë për fillimin e lheqjes së vizave është absurde. Me këtë qeveria turke e vë më shumë veten nën presion. Ajo duhet të plotësojë deri në tetor shtatë kushtet e fundit nga 72 kushtet e BE-së, përndryshe nuk do të ketë heqje vizash për shtetasit turq në BE. Por meqë qeveria turke ka deklaruar edhe se ajo nuk do të plotësojë të paktën një kusht, zbutjen e ligjeve antiterror, ajo e ka bërë vetë të parealizueshëm afatin e tetorit.

Bernd Riegert

Bernd Riegert

Kërcënimet nga Ankaraja janë kështu më tepër një teatër absurd që ka për qëllim efek politik të brendshëm, por nuk e zgjidh problemin. Po ashtu kërcënimi për prishjen e paktit për refugjatët nuk është krejtësisht i ri. Përfaqësuesit e Turqisë e shprehën një gjë të tillë në maj, pasi donin që ta arrinin liberalizimin e vizave më 1 korrik. Por afati kaloi pa pasoja. Qeveria turke duhet ta ketë të qartë që heqja e kërkesës për vizë për në BE nuk është vetëm një proces teknik, por gjithmonë edhe një vendim politik, i cili zhvillohet në një mjedis politik. Me një vend në një gjendje të jashtëzakonshme, presidenti i të cilit u përball me një përpjekje për grusht shteti dhe tani po ndërhyn disproporcionalisht për standarde të BE-së, nuk ka gjasa të bihet dakord për një hap të tillë.

Në këtë moment liria e vizave është në radhë të parë një trofe politike që presidenti Erdogan do të fitojë prej BE-së. Liria e udhëtimit pa viza për turqit nuk është me rëndësi vitale. Pa dyshim është e vështirë dhe e shtrenjtë për të aplikuar për vizë, por 90 përqind e të gjitha kërkesave miratohen lehtësisht. Kushdo që dëshiron apo ka nevojë për të udhëtuar, mund të udhëtojë.

Dëbimet në Turqi deri tani një përjashtim

Me paktin për refugjatët, Bashkimi Evropian, i kryesuar nga kancelarja Angela Merkel, ka hyrë natyrisht në një lloj varësie ndaj Turqisë. Kufiri i mbyllur midis Greqisë dhe Maqedonisë dhe mundësia për t'i kthyer nga ishujt grekë sërish në Turqi i ka frikësuar aq shumë refugjatët dhe emigrantët saqë ata nuk guxojnë të kalojnë më përmes detit Egje.

De facto për në Turqi janë ekstraduar faktikisht vetëm disa qindra vetë. Midis tyre nuk ka thuajse fare sirianë, për shkak se procedurat e azilit në Greqi zgjasin shumë më gjatë nga sa parashikohet në paktin e refugjatëve të muajit mars. Shërbimi që ofron Turqia nuk lidhet për këtë arsye jo aq me kthimin masiv të emigrantëve dhe azilkërkuesve të refuzuar, por sidomos me kujdesin ndaj refugjatëve dhe emigrantëve në Turqi. Për këtë organizatat humanitare marrin fonde dhe ndihma nga BE-ja, edhe pse Erdogani e mohon këtë.

Turqia mund ta abrogojë nga sot nesër paktin për refugjatët, i cili është vetëm një deklaratë politike dhe jo një traktat sipas së drejtës ndërkombëtare. BE-ja po ashtu. Por çfarë do të ndodhte? Do të shtohej përsëri menjëherë numri i refugjatëve që vijnë përmes detit Egje? Askush nuk mund ta parashikojë këtë me saktësi. Disa ekspertë të BE-së shpresojnë se efekti parandalues do të vazhdojë për aq kohë sa rruga e Ballkanit, pra udhëtimi nga ishujt grekë në Evropën Veriore, do të jetë e e pamundur.

Asnjë solidaritet me Greqinë

E rrezikshme është situata veçanërisht për Greqinë. Aty mund të mblidhen edhe më shumë refugjatë nga sa ka tani. Dhe deri tani shtetet e tjera të BE-së nuk po bëjnë shumë përpjekje për ta lehtësuar Greqinë. Pas kësaj ndoshta ka edhe llogari cinike. Në fund të fundit, sa më e keqe të bëhet situata në Greqi, aq më e madhe do të jetë frika e emigrantëve të rinj për të shkuar atje.

Nëse nga Turqia do të vijnë në fakt përsëri më shumë refugjatë në Greqi, BE-ja duhet të merret të paktën formalisht edhe një herë me rialokimin e diskutueshëm të refugjatëve. Kësaj teme BE-ja iu shmang për shkak të marrëveshjes me Turqinë në muajin prill.

Kjo do ta përkeqësonte në mënyrë dramatike situatën, nëse presidenti turk do ta bëjë vërtetë atë që kërcënoi vitin e kaluar: pra që mund t'i fusë në çdo kohë refugjatët në autobusë dhe t'i dërgojë përtej kufirit në Greqi ose Bullgari. Tingëllon e sforcuar? Në qoftë se mbajmë parasysh situatën aktuale politike në Turqi, vërtetë që nuk mund të përjashtohet më asgjë .