1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: jo, turqit nuk po vijnë

Barbara Wesel16 Qershor 2016

Jo, Turqia nuk ndodhet në pragun e derës të BE. Marrëveshja për refugjatët me Turqinë mbetet e brishtë, e njëjta gjë vlen për heqjen e vizave dhe më shumë për negociatat e anëtarësimit, mendon Barbara Wesel.

https://p.dw.com/p/1J7FL
Symbolbild Aufhebung Visumspflicht für türkische Staatsbürger
Fotografi: Getty Images/C. McGrath

Nxitësit e Brexit nuk ndalen para asgjëje. Megjithëse ndërkohë ata nuhasin se mund të fitojnë, ata stërhollojnë çdo argument, për t'i frikësuar britanikët edhe më tej për frikën ndaj Evropës. Pohimi më i fundit: 70 milionë turq janë si të thuash në pragun e derës të Mbretërisë së Bashkuar. Nga njëra anë britanikët ndoshta e mbivlerësojnë forcën tërheqëse të ishullit të tyre. Nga ana tjetër: Turqia as nuk i është afruar një anëtarësimi në BE.

Turqia largohet

Disa në Evropë konstatojnë me keqardhje, të tjerë me keqdashje thuajse të hapur: Turqia po largohet edhe më shumë nga ne. Ndjekja e gazetarëve dhe opozitarëve, e deputetëve dhe shkrimtarëve - lista e aksioneve antidemokratike bëhet gjithnjë e më e gjatë. Dhe Presidenti Erdogan po bunkerizohet edhe më tej në sundimin e tij autokratik. Ai që e kundërshton atë, është armiku i tij. Kjo vlen ndërkohë thuajse për të gjithë BE, për Parlamentin Evropian, për deputetët gjermanë të Bundestagut, në fakt për të gjithë. Erdogan është i rrethuar nga armiq të përfytyruar, kjo e nxit jashtëzakonisht paranojën.

Erdogani e ka të vështirë të afrohet me BE. Aktualisht BE dëshiron që ta shpëtojë edhe pak marrëveshjen për refugjatët, të paktën në letër. Po të kalojë në njëfarë mënyre vera, në tetor, në datën tjetër për heqjen e vizave Ankarasë mund t'i deklarohet me keqardhje se ajo nuk i plotëson kushtet. Kjo dihet që sot, por sezoni i refugjatëve përfundon në vjeshtë. Dhe nëse kufiri me Maqedoninë mbahet edhe më tej i mbyllur, vërshimi i refugjatëve do të jetë i menaxhueshëm, megjithë kërcënimet turke.

Barbara Wesel
Barbara Wesel

Britania e Madhe e ka vetë fajin

Dihet që kujtesa historike e njerëzve nuk zgjat shumë. Sa për ta sjellë në kujtesë: ishte kryeministri britanik Tony Blair ai që këmbënguli në vitin 2005 me të gjitha fuqitë që të nisnin patjetër negociatat e anëtarësimit me Turqinë. Franca nuk donte fare, Gjermania ishte skeptike, CDU gjithmonë qe kundër. Atëherë antipatia kishte të bënte më tepër në ndjesi, sot ajo është e argumentuar. Turqia bëhet gjithnjë e më e pabesueshme, potencialisht e rrezikshme, jo demokratike. Ky është një zhvillim për të ardhur keq, por ne nuk mund ta ndalim.

Të gjitha bisedat, negociatat dhe përpjekjet për ta fshehur të vërtetën janë vetëm gjeste diplomatike. Plani i veprimit në fakt është i qartë: edhe disa muaj, dhe pastaj marrëveshja për refugjatët, heqja e vizave dhe negociatat dështojnë njëra pas tjetrës. Dhe negociatat ngrijnë sërish, aty ku e kanë vendin. Dikur, kur ne të jemi plakur dhe kur Erdogani të ketë vajtur në azilin e sulltanëve në pension, atëherë mund ta nisim të gjithën nga e para.