1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Jo në mënyrë të drejtpërdrejtë

Matthias von Hein30 Mars 2014

Zyrtarisht presidenti i Kinës Xi Jinping nuk tha asnjë fjalë për Ukrainën gjatë vizitës në Berlin. Megjithatë kjo temë ka luajtur rol kryesor, përveç të drejtave të njeriut dhe ekonomisë, mendon Matthias von Hein.

https://p.dw.com/p/1BYP1
Matthias von Hein
Fotografi: DW

Asnjë vend tjetër në Europë nuk ka marrëdhënie kaq të ngushta me Kinën sa Gjermania. Që ato janë në rradhë të parë të natyrës ekonomike, u bë e qartë edhe në vizitën shtetërore të kryetarit kinez të shtetit dhe të partisë Xi Jinping. Një sërë marrëveshjesh midis sipërmarrjeve gjermane dhe kineze janë pjesë e bilancit të vizitës së parë të një kryetari kinez shteti në Gjermani që prej tetë vjetësh, duke përfshirë edhe angazhimin për zgjerimin e Frankfurtit në një qendër tregtare për monedhën kineze juan në zonën e euros. Por këto marrëdhënie shkojnë më tej. Ekziston një marrëdhënie e besimit politik mes Berlinit dhe Pekinit. Kjo është me sa duket aq e madhe, saqë mund të preket edhe çështja e të drejtave të njeriut, aq e pakëndshme për politikanët kinezë. Sidomos kur bëhet me aq mirësjellje, por me vendosmëri, siç e bëri presidenti Gauck.

Tani marrëdhëniet gjithsesi të ngushta duhen zgjeruar: Në një „partneritet të plotë strategjik“, siç thuhet në deklaratën e përbashkët. Dhe ajo duhet të përmbajë në mënyrë të qartë një dialog strategjik dhe të politikës së sigurisë. Për Gjermaninë dhe Kinën, të cilat deri tani janë kufizuar në çështjet ekonomike, ekologjike, të arsimit dhe kulturës, kjo është diçka e re. Pas kësaj qëndron synimi i Berlinit për ta përfshirë Pekinin më shumë në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare dhe për ta afruar më shumë me qëndrimet e perëndimit. Për këtë ka hapur një dritare kriza e Krimesë. Sepse Pekini nuk mund të jetë dakord me qëndrimin e Moskës. Integriteti territorial dhe mospërzierja në çështjet e brendshme të vendeve të tjera janë parime themelore të politikës së jashtme kineze. Këmbëngulja e Rusisë në të drejtën e vetëvendosjes së banorëve të Krimesë, e mbështetur me referendum, bën që në Pekin të bien kombanat e arlarmit për shkak të aspiratave për autonomi të tibetianëve dhe ujgurëve. Në fakt Xi Jinping ka evituar çdo kritikë publike ndaj Putinit duke patur parasysh lidhjet e ngushta ekonomike dhe politike të Kinës me Rusinë.

Por jo rastësisht kjo gjen referim në dokumentin përfundimtar për 100 vjetorin e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Shprehimisht të dyja palët shprehen për: "Zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe konflikteve rajonale dhe ndërkombëtare në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Në një fjalim për politikën e jashtme të premten në mbrëmje (28.03.) Xi shprehu refuzimin kinez ndaj politikës së hegjemonisë dhe të pushtetit. Më mirë do të kishin qenë fjalë më të qarta për krizën e Krimesë, por mund të shpresohet, se ato janë thënë të paktën me dyer të mbyllura.

Dhe megjithatë kjo kritikë e rezervuar të lë të mendosh se Pekini po largohet nga vazhda e Moskës. Ndoshta mund të shpresohet, që Kina, gjithashtu pas dyerve të mbyllura, të flasë fjalë të qarta me partnerët e saj rusë. Presidenti gjerman Gauck ka po ashtu të drejtë, kur thekson se asnjë nga problemet e mëdha të shekullit të 21-të nuk mund të zgjidhen pa Kinën, apo kundër Kinës. Xi Jinping nga ana tjetër nuk u lodh së theksuari, se sa e rëndësishme është paqja dhe një mjedis paqësor për Kinën.

Nëse është kështu, ekonomia e dytë më e madhe në botë duhet të jetë më e angazhuar për standardet ndërkombëtare dhe të bëjë më shumë për respektimin e tyre. Deri tani Pekini me kënaqësi ia ka lënë të tjerëve detyrat e pakëndshme ndërkombëtare dhe ka lundruar në hijen e Moskës. Ndoshta Pekini e sheh tani që partnerët e besueshëm janë në perëndim.