1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Janukoviçi në defensivë

Bernd Johann 27 Janar 2014

Presidenti i Ukrainës u përpoq të përçajë lëvizjen e protestavee. Po ai po vihet edhe më shumë vetë nën presion. Kriza e shtetit mund të zgjidhet vetëm me zgjedhje mendon Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/1AxXF
Fotografi: DW/P. Henriksen

Ofertat e helmuara nuk mund të pranohen. Drejtuesit e opozitës në Ukrainë nuk u mashtruan nga fintja e re e Presidentit të Ukrainës. Ata vepruan me mençuri dhe e hodhën poshtë ftesën për pjesëmarrje në qeveri. Ata nuk mund të marrin pozicione drejtuese qeveritare nën një president të korruptuar që është kapur pas pushtetit dhe me sa duket shpreson se mund ta përçajë opozitën dhe lëvizjen e protestës.

Ende asnjë ndryshim në qëndrimin e presidentit

Presidenti Viktor Janukoviç nuk është ende i gatshëm për t'iu përgjigjur kërkesës qendrore për zgjedhje të reja. Edhe në aspekte të tjera ai nuk ndryshoi qëndrim. Ligjet jodemokratike që kërcënojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e demonstrimit si dhe veprimtarinën e nismave sociale sipas tij ndoshta mund të rishikohen. Por nuk u përmend asnjë fjalë për shfuqizimin e ligjeve të tilla, që e çojnë vendin drejt diktaturës. Demonstruesit e arrestuar ai dëshiron t'i lirojë vetëm nëse protestuesit tërhiqen krejtësisht nga qendra e Kievit.

Këto nuk janë oferta serioze të cilat opozita dhe lëvizja e protestës mund t'i pranojnë. Sidomos kur forcat speciale të Ministrisë së Brendshme janë ende të gatshëm për të shtypur lëvizjen e protestës me gjak. Madje edhe në kohën kur Janukoviç po u bënte gjoja ofertën politikanëve të opozitës, ministri i Brendshëm Vitali Sasharshenko e ashpërsoi fort tonin ndaj protestuesve: Ata janë "ekstremistë" që në çdo moment mund të përballen me përdorimin e forcës daj tyre, deklaroi ministri në varësi të së cilit janë njësitë speciale.

Tani përballje edhe me ekonominë

Ndërkohë udhëheqja e Ukrainës po përballet edhe me një presion në rritje. Protesta masive e Kievit është zgjeruar në të gjithë vendin. Në qytetet e mëdha në perëndim dhe në qendër të vendit kritikët e qeverisë mbajë të pushtuara zyrat e guvernatorëve dhe të kryetarëve të komunave. Edhe në qytete të tjera, ka kryengritje. Madje dhe në lindje të vendit, ku presidenti deri tani gjente mbështeje protestat po bëhen më të forta. Sfera e Janukoviçit po ngushtohet.

Presioni presidenti ukrainas po ndjen tani me sa duket edhe nga një drejtim krejt i ndryshëm. Bosët e sipërmarrjeve industriale me ndikim në politikë, që në Ukrainë i quajnë oligarkë, janë të shqetësuar për pasojat e krizës politike ndaj ekonomisë ukrainase. Kjo sepse lufta për pushtet po e paralizon gjithnjë e më shumë të gjithë vendin, i cila është ekonomikisht tepër i dobët. Rinat Akmetov, sipërmarrësi më i fuqishëm i Ukrainës dhe deri tani i e njohur si një mbështetës i ngushtë i Janukoviçit, paralajmëroi se nëse do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, ekonomia nuk mund të qëndrojë e qetë kur vriten njerëz. Kështu shkroi ai në një letër të hapur, e cila u përhap në mediat ukrainase.

Zgjedhjet e reja e vetmja rrugëdalje

Ai ka të drejtë. Dhuna në Kiev duhet të ndalet. Ukraina nuk duhet të bjerë në kaos apo madje në luftë civile. Dhe zgjedhjet e reja janë e vetmja mënyrë për ta parandaluar këtë. Opozita duhet t'ja bëjë të qartë këtëJanukoviçit. Ofertat e tij hipokrite për riorganizimin e qeverisë nuk e zgjidh krizën. Duhet të zhvillohen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presidenciale.

Dhe në të njëjtën kohë duhet që njësitë speciale të policisë të tërhiqen tani. Presidenti mban përgjegjësi për dhunën e ditëve të fundit. Ai nuk duhet të lejojë që situata të vazhdojë të përshkallëzohet. Ndaj demonstruesve nuk duhet të qëllohet më, sepse kjo do të ishte një krim kundër njerëzimit.

Bernd Johann është drejtues i redaksisë ukrainase të Deutsche Welles.