1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Islami liberal është iluzion

Reagimet refuzuese pas hapjes së "xhamisë liberale" në Berlin nuk janë të habitshme. Por ato nuk vlejnë si argument për paaftësi të reformimit të islamit, mendon Loay Mudhoon.

U quajt "një ngjarje botërore në zemër të Berlinit". Ky reagim është i justifikuar, po të kesh parasysh jehohën e madhe në Gjermani e jashtë saj pas hapjes së "xhamisë liberale" në një kishë të mëparshme evangjeliste në lagjen e Berlinit, Moabit. Përfaqësues nga e gjithë bota duan të jenë prezentë, kur juristja dhe aktivistja e gruas, Seyran Ates paraqet për opinionin projektin e saj reformues në formën e një xhamie.

Xhamia Ibn-Ruschd-Goethe është e hapur për të gjithë myslimanët - besimi dhe orientimi seksual nuk luajnë ndonjë rol. Në këtë xhami të veçantë po ashtu shfuqizohet ndarja e gjinive në kohën e faljes. Burra e gra mund të falen pranë njëri-tjetrit. Faljen e së premtes e drejtojnë një burrë e një grua. E ajo që është më e rëndësishmja për debatin e islamit në këtë vend - "Imamja" nuk ka shami koke!

Islam liberal për shumicën jo-myslimane?

Nuk të habit as fakti se reagimet nga vendet islame lidhur me hapjen e një xhamie të tillë do të ishin refuzuese dhe sigurisht të ashpra. Realitetet represive në këto vende ta mësojnë këtë. Kjo vlen edhe për Egjiptin dhe Turqinë, vende, ku reagimet kundër një xhamie të tillë ishin  nga më të ashprat.

Por më interesante se reagimet e pritshme nga bota islame janë reagimet në Gjermani. Këto ishin kryesisht pozitive. Gati të gjitha mediat e ngritën lart hapjen e një xhamie të tillë si një vend të islamit të hapur e të emancipuar. Edhe disa qarqe konservatore dhe aktorë "kritikë të islamit" apo grupe interesi e shohin modelin e një xhamie të tillë si një alternativë të xhamive të shoqatave myslimane ultra-konservatore. Sipas tyre Gjermanisë i përshtatet vetëm "ky islam."

Mudhoon Loay Kommentarbild App

Loay Mudhoon

Megjithatë entuziazmi i tepruar i mediave dhe politikës nuk mund të fshehë dot dy probleme kryesore: Së pari: I ashtuquajturi "islami liberal" gjendet tek persona të veçantë, personalitete të jetës publike, pa struktura të rëndësishme. Në Gjermani ka ndërkohë disa iniciativa civile të myslimanëve liberalë, por shkalla e organizimit të tyre është  e vogël ashtu si edhe lidhja me trendin kryesor konservator mysliman.

Së dyti: Aktorët kryesorë të islamit liberal janë të vagullt nga ana përmbajtësore. Ata e përkufizojnë vetveten më shumë me refuzimin e islamit konservator. Por substancialisht kjo është shumë pak për të pasur një ndikim më të madh.

Respektim i pluralizmit të myslimanëve

Nuk ka dyshim - hapja e xhamisë Ibn-Ruschd Goethe është një hap i guximshëm dhe i pazakontë. Por xhami të tilla liberale nuk janë fenomen i ri në Gjermani. Xhami të tilla ka kohë që ekzistojnë në Britaninë e Madhe dhe SHBA.

Mbështetësit e islamit liberal duhet -që para hapjes së xhamisë- të sqaronin, se mbi cilat baza e mbështesin botëkuptimin e tyre liberal të kësaj feje. Ata duhej të kishin zhvilluar një debat faktik mbi rolin e sheriatit në një shtet laik dhe të së drejtës. Kjo do të ishte sigurisht një ndihmesë për të bërë dallimin mes aspekteve të pranueshme e jo të pranueshme të sheriatit.

Islami i kontrollur nga shteti nuk gëzon besim

As pjesëmarrja e ulët e myslimanëve në demonstratën pro paqes dhe kundër terrorit në Këln e as reagimet refuzuese lidhur me hapjen e xhamisë në Berlin nuk mund të merren si prova për paaftësinë e islamit për t'u reformuar. Në fund të fundit përpjekje për reforma nga aktivistë myslimanë i gjen të të gjithë botën. Lufta për fjalën e fundit për islamin zhvillohet gati gjithkund dhe me shumë ashpërsi.

Ndërsa politika do të bënte mirë, nëse nuk do të mbante anën e asnjë krahu të islamit - as atij konservator dhe as atij liberal. Një islam i mbështetur dhe kontrolluar nga shteti nuk do të ishte i besueshëm në një demokraci pluraliste. Për zhvillimin e mëtejshëm të islamit në Gjermani do duhej më mirë të respektohej pluralizmi ekzistues mes myslimanëve dhe botëkuptimet e ndryshme brenda kuadrit të shtetit kushtetues-liberal dhe integrimi institucional i islamit.