1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Interesat amerikane në Irak

Cili është qëllimi i SHBA-së në luftën kundër ekstremistëve të organizatës ISIS në Irak? Në vend të parë është siguria e vet. Nëse Iraku do të shkatërrohet është e një rëndësie të dytë, mendon Miodrag Soric.

Vlerat e presidentit amerikan Barack Obama në sondazhe janë shumë të ulëta. Por në politikën ndaj Irakut shumica i mbështetë qëndrimet e tij: Uashingtoni nuk duhet të dërgojë trupa tokësore në Irak. Nga këndëvështrimi i Uashingtonit, Bagdadi është një shembull i pashpresë. Qeveria niset nga mundësia që Irani dhe Arabia Saudite do të vazhdojnë luftërat e tyre atje. Konflikti duket se nuk ka të zgjidhur me mjete ushtarake. Pra më mirë të qëndrohet larg.

Sikur të mos ishin ekstremistët e ISIS të cilët po i fusin nën kontroll gjithnjë e më shumë pjesë të Irakut, të cilët duan të destabilizojnë Sirinë dhe në shtigje afatshkurta apo afatgjata paraqesin rrezik edhe për Jordaninë, Libanin e madje edhe për vet Izraelin. Ndaj Amerika nuk mund ta lë pasdore këtë rajon. Tepër gjëra janë në lojë, e në fund edhe siguria e vet SHBA.- Nëse islamistët e shfrytëzojnë këtë luftë për mbajtjen e kampeve terroriste, atëherë Amerika nuk mund dhe nuk guxon të kthejë kokën në anën tjetër.

Me fjalë edhe më të thjeshta, qëllimi strategjik amerikan është: që të evitojë mundësinë që ky rajon të shndërrohet në një zonë të rrezikshme për sigurinë e SHBA dhe partnerëve të saj. Në fund është e rëndësisë së dorës së dytë, nëse në Bagdad do të ketë një qeveri të fuqishme apo do të ndahet në tri pjesë, nëse veriu i vendit kontrollohet prej kudërve, perëndimi prej sunitëve apo jugu dhe Bagdadi prej shiitëve. Pra de-facto një shkatërrim i Irakut? Amerikanët janë pragmatikë. Zëvendëspresidenti Joe Biden, i cili vitin e kaluara ka telefonuar dhjetëra herë me kryeministrin e Irakut Nuri al-Maliki dhe e ka takuar shumë herë personalisht, ka propozuar që në vitin 2006 ndarjen e Irakut. Por në pyetjen nëse kjo do ta stabilizonte këtë vend, askush nuk mund të përgjigjet.

Përgatitjet për rastet ekstreme

Për momentin Uashingtoni është i nteresuar më së shumti të dobësojë ISIS. Edhe më mirë: që ta dëbojë nga vendi. Ndaj në rajon do të dërgohen këshilltarë ushtarakë; SHBA po negocion fshehurazi me Iranin; Ministri i Jashtëm John Kerry po viziton Arabinë Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit për të bërë të qartë se është gabim mbështetja financiare dhe lejimi i veprimit të ISIS.

Uashingtoni njëkohësisht po përgatitet edhe për rastin më të keq: që ISIS nuk mund të ndalet dhe futet në Bagdad. Uashingtoni në Irak ka ambasadën më të madhe në botë, me rreth 5000 bashkëpunëtorë. Nëse ushtria irakiane dështon, Amerika duhet të jetë në gjendje që brenda pak ditësh të tërheqë diplomatët dhe familjet e tyre. Të paktën tetë anije ushtarake amerikane janë duke patrulluar në Gjirin Persik dhe ato duhet të shërbejnë si mbështetje logjistike. Por punët ende nuk kanë ardhur deri këtu.