1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: "Idiokracia e republikanëve"

Një pakicë brenda pakicës është fajtore për bllokimin e tanishëm në Uashington. Për Jefferson Chase, amerikan dhe redaktor në DW, shkaku qëndron në sistemin zgjedhor amerikan.

default

Ndër detyrat e mia si amerikan, që jeton në Berlin, është që të sqaroj herë pas here miqtë e mi gjermanë në lidhje me sistemin politik të Shteteve të Bashkuara. Nuk është detyrë e lehtë, sepse shumica e njerëzve, që jetojnë në vendet demokratike, e barazojnë formën e qeverisjes së vendit të tyre me demokracinë. Ka mënyra të shumta. Për amerikanët është e çuditshme që politikanët jo fort të dëshiruar mund të bëjnë karrierë përmes listave të partive, ashtu si dhe gjermanëve u duket e çuditshme, që Barack Obama nuk është kryetari i Partisë Demokrate, apo që presidenti amerikan zgjidhet nga kolegji elektoral dhe jo drejtpërdrejt nga populli.

Megjithatë për krizën aktuale në Uashington unë nuk kam asnjë shpjegim, të paktën jo një, që të sqarojë arsyet politike, apo historike. Ajo, që ndodh tani në Kapitol Hill, nuk është debat rreth borxhit të shtetit, nga i cili mund të shpresohet një kompromis i arsyeshëm e pragmatik, por përpjekja e një pakice, përkatësisht e Tea Party për të qeverisur kundër vullnetit të shumicës. Pra jo demokraci, por si mund të quhet ndryshe? Idiokraci. Një qeveri e budallenjve.

Sarah Palin konsiderohet nëna e kësaj lëvizjeje politike. Pasardhësit e saj nuk janë aspak më të mençur. Michele Bachmann, udhëheqësja i grupit Tea Party në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një nga përgjegjësit kryesorë të krizës politike, paralajmëroi një herë se vaksinat kundër disa sëmundjeve të transmetueshme në rrugë seksuale shkaktojnë të meta mendore dhe mendon se nuk do të ketë më të papunë në SHBA, vetëm në qoftë se hiqet paga minimale. Çfarë u mbetet presidentit Obama dhe demokratëve për të negociuar? Nuk ka asnjë kompromis të arsyeshëm me njerëz, të cilët mendojnë se toka është e rrafshët.

Megjithatë votuesit e zonës zgjedhore numër 6 të shtetit të Minesotës e kanë zgjedhur Bachmann-in katër herë si përfaqësuesen e tyre. Ka 49 anëtarë të Tea Party në Dhomën e Përfaqësuesve. Për idiokracinë nuk mund të argumentohet. Vetëm mund të përpiqesh të shpjegosh, se si ka lindur ajo. Dhe për këtë duhet të fillosh në zonat zgjedhore.

Salamandra helmuese

Nëse injoron votat e partive të treta, republikanët fituan vetëm 49 për qind të votave në zgjedhjet për dhomën e përfaqësuesve në vitin 2012 dhe demokratët 51 për qind. Sipas "Cook Political Report", politikisht të pavarur, 1,17 milionë më shumë amerikanë votuan për demokratët se sa për republikanët në këtë nivel. Megjithatë republikanët kanë 234 vende (rreth 54 përqind) në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët 201.

Fajtorë për këtë janë disa zona zgjedhore, që u formuan në atë mënyrë, që republikanët të jenë pothuajse automatikisht në shumicë. Fenomeni quhet gerrymandering. Fjala vjen nga fillimi i shekullit të 19-të, kur guvernatori i atëhershëm i Masaçusets, Eldridge Gerry, i përcaktoi rishtazi zonat zgjedhore në favor të partisë së tij. Një zonë zgjedhore kishte pamjen e një salamandre, prandaj neologjizmi "Gerry-mander". Disa zona zgjedhore në vitin 2012 kishin forma të ngjashme groteske. Në zgjedhjen e presidentit dhe senatit, ku të gjitha shtetet kanë vetëm dy deputetë, gerrymandering nuk ka efekt. Për zgjedhjen e Dhomës së Përfaqësuesve ai është helm për demokracinë.

Rregullat kombëtare, apo standarde, se si duhet të jenë zonat elektorale, nuk ka në SHBA. Përgjegjësinë për këtë e mban secili shtet. Republikanët kanë mundur që me fitoret në zgjedhjet komunale në vitin 2010 të mund të fitonin më lehtë zonat zgjedhore. Lajmi i keq është se zonat zgjedhore do rikonfigurohen në vitin 2020. "Cook Report" vlerëson se deri atëherë demokratëve do t'u duhet të fitojnë rreth 55 për qind të votave, për të arritur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve

Marrëzi dhe mungesë guximi

Një pasojë është se vendimet për përfaqësuesit e mundshëm merren në zgjedhjet paraprake brenda partisë. Këtu vepron krahu joracional i republikanëve. Nëse një përfaqësues republikan me një vend të "sigurt" nuk i duket Tea Party konservator sa duhet, atëherë ai apo ajo rrezikohet nga një konkurrent nga e djathta. Kështu përfaqësuesit e popullit bëhen gjithnjë e më radikalë, fetarë dhe gjithnjë e më larg realitetit. Pas zgjedhjeve të vitit 2012 vetë guvernatori republikan i Luizianës, Bobby Jindal, pranoi se republikanët janë bërë "the stupid party".

Që përfaqësuesit e Tea Party përpiqen për t'i bërë presion administratës së Obamës, nuk duhet të çudisë askënd. Më shqetësuese është mungesa e guximit ndër republikanët e arsyeshëm për të ndalur krahun joracional të partisë. Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, John Boehner, mund ta përfundonte nesër krizën politike. Por më mirë preferon të jetojë me idiokratë, sesa të rrezikojë pozicionin e vet.

Në këtë rast kjo strategji është në vetvete absurde, sepse i njëjti konstelacion, që u ka sjellë republikanëve në dukje një shumicë të sigurtë në dhomën e përfaqësuesve, në të ardhmen e afërt, do të bëjë që ata ta kenë mjaft të vështirë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe të senatit. Një parti ekstremistësh do ta ketë të vështirë të gjejë një shumicë në nivel kombëtar. Shumica e amerikanëve i fajëson për bllokimin e tanishëm në Uashington.

Fundi i dialogut

Të lind dyshimi se republikanët e Tea Party nuk duan të bashkëqeverisin. Sepse demokracia kërkon që të gjithë pjesëmarrësit të jenë në gjendje për të zhvilluar dialog. Në idiokraci mund të mbash një monolog të pafund, sado absurde apo e pakuptimtë të jetë përmbajtja. Republikanët te Obama do të kishin një bashkëbisedues pragmatik, të paideologjizuar. Për fat të keq ata nuk duan bisedime.

Në një demokraci republikanët tani duhej të analizonin humbjen elektorale të vitit 2012, për të ndryshuar dhe zgjeruar bazën e vet. Në fakt ata bëjnë krejt të kundërtën. Ata qëndrojnë në universin e tyre fantastik, ku duhet të bllokohet vetëm Obama i keq për të eliminuar të gjitha problemet e vendit. Tragjedia këtu është se republikanët nëpërmjet shumicës së tyre të pamerituar në Dhomën e Përfaqësuesve i imponojnë SHBA-së një stanjacion të tillë.

Unë duhet të pranoj se jam xheloz, kur shoh, se si konservatorët në Gjermani, që kanë arritur një shumicë thuajse absolute, negociojnë me kundërshtarët e tyre të mëdhenj. Ajo që do të dalë nuk ka për të qenë e përsosur, por do të jetë demokratike. Gjithsesi më mirë se rezultatet e një sistemi, që aktualisht nxit kokëfortësi dhe marrëzi në dëm të gjithë botës.