1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: hipokrizi dhe dështim

Azilkërkuesit e dëshpëruar në kufirin greko-maqedonas dëshmojnë në mënyrë tragjike, se BE-ja nuk është në gjendje ta menaxhojë krizën e refugjatëve, që po ashpërsohet gjithnjë e më shumë, mendon Bernd Riegert.

Eshtë e kuptueshme që pas sulmeve të tmerrshme terroriste në Paris politika dhe mediet në Europë e kanë përqendruar vëmendjen tek gjetja e dorasve dhe lufta kundër të ashtuquajturit "Shteti Islamik". Por kriza e refugjatëve në Europë po intensifikohet gjithnjë e më shumë nën hijen e terrorit. Ndaj saj nuk duhet qendruar indiferent. Problemet në kufijtë e Ballkanit po shtohen, në vend që të pakësohen. Përpjekja e deritanishme e çalë, për etablimin e një politike të përbashkët europiane për refugjatët, ka mbetur pa dhënë fryte. Qëllimi, për ta ngadalësuar migracioonin nga Turqia përmes Greqisë e Ballkanit deri në Gjermani, nuk është arritur. pavarësisht shumë samiteve të posaçme dhe takimeve për krizën.

Krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrës në këto takime duhet ta kenë të qartë në marrjen e vendimeve, se recetat e tyre nuk do të kenë efekt. Nuk ka një kontroll efikas të kufijve të jashtëm të BE-së. Kapacitete funksionuese për pranimin e refugjatëve në Greqi nuk ka. Një mekanizëm funksionues për shpërndarjen e drejtë të tyre në BE nuk ka. Kush të mundet vendos gardhe duke shpresuar, se të gjithë do të vazhdojnë rrugën për në Gjermani. Refugjatët dhe migrantët edhe më tej do të detyrohen të vazhdojnë marshimin e tyre në të ftohtë e në shi përmes Europës.

Edhe për sa kohë do të funksionojë kjo kështu?

Pasi Suedia kapitualloi kundrejt dyndjes së refugjatëve, në thelb mbetet vetëm Gjermania si vendi që pranon ende. Çdo ditë vijnë deri në 6000 vetë në Gjermani. Kjo nuk mund të përballohet më gjatë. Landet po rebelojnë kundër federatës. Kancelarja ndodhet nën presion të jashtëzakonshëm. Deri për Krishtlindje numri i të porsaardhurve sivjet do të arrijë milionin. E vitin e ardhshëm kjo do të vazhdojë po kështu.

Riegert Bernd Kommentarbild App

Riegert Bernd

Disa vende tranziti tani kanë filluar të pengojnë kalimin në kufijtë e tyre të njerëzve nga Pakistani, Afganistani apo nga vendet afrikane. Mijëra syresh janë bllokuar në kufirin greko-maqedonas në kushte të këqia e aspak humane. Njerëzit janë kaq të dëshpëruar, sa ata kanë nisur të sakatojnë vetveten duke qepur buzët. Policia druan, se mund të ketë eksese dhune ndër grupet e refugjatëve. Por kjo është vetëm një simptomë e vetme e asaj se çfarë mund të ndodhë, nëse edhe Gjermania i vë në jetë deklarimet e saj dhe i refuzon njerëzit, që kanë shanse minimale për të fituar të drejtën e azilit.

Mijëra e dhjetra mijëra njerëz do të bllokoheshin në Austri, Slloveni, Kroaci, Serbi, Maqedoni apo Greqi. Ata do të bëheshin kësisoj viktimë e një politike deri më tani të dështuar europiane për refugjatët. Pretendimi i politikanëve, se gjendja mund të vihet nën kontroll përmes të ashtuquajturve hotspots, pra qendrave të regjistrimit dhe shpërndarjes me kontigjente, është thjeshtë hipokrizi. Ky sistem presupozon në fakt, që kufijtë e jashtëm të BE-së të mbyllen tërësisht. Një gjë e tillë në kufirin greko-turk nuk është e mundur të zbatohet as në aspketin logjistik dhe as në atë politik.

Turqia nuk mund ta përballojë

Që tani të gjitha shpresat të varen tek Turqia dhe të mendohet, se me para dhe fjalë të bukura Turqia mund të vihet në lëvizje, që t'i mbajë në vend të gjithë refugjatët e luftës nga Siria, kjo është thjeshtë marrëzi. Nga njëra anë Turqia nuk mund ta garantojë këtë. Sepse asaj do t'i duhej që të izolojë të gjitha brigjet e veta dhe brenda pak javësh të përmirësojë radikalisht kushtet e jetesës për refugjatët në Turqi. Nga ana tjetër përmes Turqisë nuk vijnë vetëm sirianë e irakianë. Gjithnjë e më shumë njerëz largohen përmes Turqisë edhe nga Afganistani, Pakistani, Irani dhe Erirtrea. A duhet të ndalohen të gjithë këta? Si? Kësaj i shtohet edhe fakti, se refugjatët ndërkohë nga Europa më shumë po marin sinjalin "largohuni tani, sa nuk janë mbyllur portat!", gjë që e rrit numrin edhe më shumë e atyre që vazhdojnë të vijnë.

Burrat, gratë dhe fëmijët, që ndërkohë po rezistojnë në kufirin e Maqedonisë, as që duan t'ia dinë për lojërat politike brenda BE-së lidhur me çështjen e refugjatëve. Por ata vuajnë prej kësaj dhe nuk e dinë se përse. Ky është një turp për Europën. Ne nuk duhet të jemi indiferentë.