1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Heshtje shurdhuese

Matthias von Hein4 Qershor 2014

Çdo kujtim i lëvizjes demokratike të vitit 1989 dhe i shtypjes së saj të përgjakshme në Kinë ndalohet. Partia Komuniste druhet nga mesazhi: "Një Kinë më e lirë është e mundur", mendon Matthias von Hein.

https://p.dw.com/p/1CBmB
Deutsche Welle Chinesische Redaktion Matthias von Hein
Fotografi: DW

"Ai që kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen. Ai që kontrollon të tashmen, kontrollon të kaluarën": një fjali nga romani i George Orwellit "1984", paraqitjes së errët të një shteti totalitar. Një fjali, që përshtatet në mënyrë perfekte me mënyrën, si e trajton udhëheqja kineze shtypjen e përgjakshme të lëvizjes demokratike një çerek shekulli më parë.

Kontroll i së tashmes

Qeveria kineze nuk lë asnjë dyshim, se synon të kontrollojë të tashmen. Ajo nuk lejon asnjë pamje tjetër të historisë, me përjashtim të asaj të sanksionuar zyrtarisht: sipas versionit zyrtar, natën nga 3 deri 4 qershor 1989 iu dha fund "një kryengritjeje kundërrevolucionare", u bë përpjekje për stabilitet dhe u pengua kaosi. Që 25 vjet më parë miliona vetë kaluan nëpër Pekin dhe qytete të tjera me kërkesa për liri mendimi, të drejtë bashkëvendosjeje, shtet juridik, shkurt: për demokraci, kjo nuk lejohet të kujtohet.

Heshtet që 52 ditët e protestave në pranverë 1989 kaluan në mënyrë paqësore dhe pa dhunë. Po ashtu heshtet për luftën e atëhershme për pushtet brenda byrosë politike. Heshtet për angazhimin e ushtrisë kundër popullit të vet, pasi luftën brenda Byrosë Politike e fituan mbështetësit e vijës së fortë. E gjithë pranvera 1989 është një temë tabu. Ai që e kundërshton këtë përpjekje për ta kontrolluar të kaluarën, ndien të gjithë ashpërsinë e aparatit shtetëror. Amnesty International ka hartuar një listë prej 50 vetësh, të cilët janë arrestuar në lidhje me përvjetorin e protestave, ose janë vendosur nën arrest shtëpiak.

Nacionalizëm dhe kapitalizëm

Nën drejtimin e patriarkut të partisë, Ten HsiaoPin, Partia Komuniste atëherë vendosi: kundër lirisë, për diktaturën dhe shtypjen. Si etalon për politikën u përcaktua krejtësisht ruajtja e pushtetit të Partisë Komuniste. Njëkohësisht, Partia u largua krejtësisht nga kapitali i saj ideologjik, u bë një parti e kapitalizmit shtetëror. Boshllëkun ideologjik duhet ta mbushte nacionalizmi dhe shansi për të fituar para. Kjo politikë mundësoi një mrekulli ekonomike. Por ajo mundësoi edhe korrupsionin në rangjet më të larta të Partisë Komuniste. Ajo krijoi një shoqëri me hendekun më të madh në mirëqënie në botë. Dhe la pas një ambjent të plaçkitur dhe të helmuar.

Partia Komuniste shpenzon sot për sigurinë e brendshme më tepër se për mbrojtjen e vendit. Tani në përvjetorin e 25-të të shtypjes së përgjakshme të lëvizjes demokratike po mobilizohen të gjitha burimet për të shtypur që në fillesë çdo përpjekje për përkujtimin e masakrave.